Kopertina e librit te poetit Roland Musta (Facebook)
Para pak ditësh u promovua në Tiranë libri me poezi “Asgjë nga qiejt” i poetit Roland Musta, i cili prej vitesh jeton bashkë me familjen në SHBA. Në promovim ishin të pranishëm miq, kolegë dhe të afërm të familjes Musta, ku disa prej tyre recituan poezi të zgjedhura nga libri. Bashkëshortja e tij gazetarja e njohur Luiza Musta interpretoi disa prej poezive të librit të Rolandit, duke emocionuar të pranishmit. Në një intervistë për Radio Ejani Luiza dhe Roland Musta tregojnë për vitet në emigrim, mallin për vendlindjen si dhe emocionet e përjetuara gjatë promovimit mes miqve dhe klegëve.
Luiza dhe Roland Musta (CMG)
CMG: Promovuat në Tiranë librin tuaj me poezi mes miqve, kolegëve dhe njerëzve të afërm. Cilat ishin emocionet që morët nga ky promovim?
Roland Musa: Unë i falenderoj shokët dhe juve që ishit prezent dhe për fjalët që u thanë në promovimin e librit tim ndjehem shumë i vlerësuar. Ka qenë një ditë e bukur, nga më të bukurat e kohës që kam ardhur në Shqipëri. Unë dua t’i falenderoj të gjithë, duke ju uruar mbarësi.
CMG: Poezitë tuaja i keni publikuar dhe në rrejtet sociale, ku komunikimi me lexuesit dhe miqtë ka qenë dhe më i shpeshtë.
Roland Musta: Komunikimi në rrjetet sociale sot është bërë si një nevojë dhe një bashkëbisedim i përditshëm me miq e shokë, kudo që janë. Kjo ka bërë që largësia mos të ndjehet, por të duket sikur je i pranishëm mes tyre në bisedat që bën, në preokupimet që kanë si dhe në vlerësimet që marr herë pas here. Kur kthehesh në vendin tënd është pak më ndryshe dhe më emocionues takimi me njerëzit sepse je në folenë që je rritur.
Luiza dhe Roland Musta.(Facebook)
CMG: Keni botuar disa libra të tjerë gjatë krijimtarisë suaj letrare. Ky ishte promovimi i parë që bëtë në Shqipëri, apo keni promovuar dhe librat e tjerë më përpara?
Roland Musta: Unë kur isha këtu promovimet i bënim pak më të organizuara dhe me pjesëmarrje të gjerë sepse ashtu ishte ajo kohë, por këto dy librat e fundit i kam promovuar këtu në Shqipëri mes miqve të hershëm dhe më të rinjtë, por dhe të njohurve tani rishtas nëpërmjet rrjeteve sociale. Më vjen mirë që përsëri nuk më mungojnë fansat dhe prania e tyre, fjala e tyre që është një stimul i madh që më rinon, më duket sikur nuk jam shkëputur nga dashamirësit e artit tim.
CMG: Znj.Luiza është kënaqësi që ju ritakoj pas kaq vitesh mes miqsh dhe dashamirësve të artit dhe letërsisë.
Luiza Musta: Unë ju kam ndjekur në programet tuaja në rrjetet socilale dhe janë vërtetë interesante, duke ngelur brenda atij fokusi të muzikës që e ke pasur për zemër dhe që ke arritur ta zhbirosh dhe ta ngresh në nivele më të larta. Është vërtetë kënaqësi të shikosh nxënsësit e tu që të ecin në rrugën e gazetarisë dhe kjo më jep kënaqësi të veçantë.
CMG: Keni 20 vite që jetoni në SHBA bashkë me familjen tuaj. Natyrisht që jeni shkëputur nga profesioni, por jo nga krijimtaria sepse ju bashkë me Rolandin shkruani. Si kanë qenë këto vite në emigracion për juve?
Luiza Musta: Emigracioni ka anët e veta të mira, por ka edhe anët e tjera që të mungojnë. Gjithnjë atje zbulon diçka që nuk e ke parë më parë. Natyrisht ka qenë në një botë tjetër sepse dhe Shqipëria ka ndryshuar tani dhe nuk është më ajo që ka qenë dikur, është më e hapur. SHBA-ja ëshë një botë ku secili gjen veten dhe ku ka shumëçka për të mësuar. Qenia larg nga Shqipëria të jep emocione të veçanta, atje normal që ka memorie dhe rikthimi në memorie të bën që të ulesh dhe të shkruash, edhe të provosh atë që ndoshta më parë nuk e ke provuar. Unë jam marrë me gazetari, por nuk kisha provuar letërsinë, të cilën e provoj tani dhe them që është bukur të shkruash dhe të krijosh.
Luiza dhe Roland Musta ne interviste per CMG
CMG: Çfarë emocioni përjetoni sa herë që ktheheni në vendlindje, si edhe sot që takuat ish kolegë, miq dhe të afërm?
Luiza Musta: Është sikur të kthehemi vite të shkuara në shtëpinë tënde, dhe kur je në shtëpi, me imtësi shikon çdo detaj që ka shtëpia. Miqtë dhe shokët janë pikërisht këto detaje të shtëpisë së madhe, që është vendi yt. Natyrisht ata të japin emocione sepse të lidhin kujtimet, ke memorie të pashlyera. Janë vitet e punës, vitet e rinisë, vitet e fëmijërisë që i ke kaluar në këtë vend dhe që të është dashur në një moment të caktuar të jetës të shpërngulesh, por gjithnjë kjo është një shpërngulje e përkohëshme. Aashtu si tha dhe Rolandi, këto rrjetet sociale e kanë zbutur pak a shumë distancën. Nuk është më ajo distanca që kanë pasur gjyshërit tanë me emigracionin, që ka qenë shumë therës do të thosha sepse të presësh një letër që të të vijë nga SHBA-ja siç priste gjyshja ime me muaj të tërë, dhe të shikonte postierin kur vinte për t’i sjellë një letër është krejt ndryshe sot, ku ti ke mundësi që me mjetet e shumta të informimit dhe mundësitë e shumta që ka ta shikosh njeriun ballë për ballë, duke qenë ti në SHBA dhe ai tjetri në Shqipëri. Kjo është vërtetë një arritje shumë e madhe që në njëfarë mënyre e zbut mallin, por kur vjen këtu dhe e prek me dorë është diçka tjetër.
CMG: Ju interpretuat disa nga poezitë e librit të Rolandit në promovimin e librit të tij. A jeni dhe një kritike apo redaktore e librave të bashkëshortit tuaj?
Luiza Musta: Unë jam lexuesja e parë, natyrisht kam mendimet që i shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Rolandi është këmbëngulës në poezinë e tij, punon shumë dhe nuk është nga ata që e hedh në letër e ikën tutje. Ai ka poezi të fokusuara të jetës kudo, ka mendim në poezi, ka poezi shoqërore. Libri i tij i fundit është një kënd lirik që ka dashur t’i japë librit, pra libri është fokusuar te lirizmi. Ndërsa po të shfletosh librat e tjerë të mëparshëm ata kanë tjetër ngjyrim, por sidoqoftë janë prodhime të SHBA-së, janë tre librat e fundit që ai i ka shkruar atje, kurse librat e tjerë i ka pasur të shkruar në Shqipëri më hershëm dhe botuar hershëm.
Roland Musta duke falenderuar te pranishmit ne pormovim (CMG)
CMG: Jeni të dy të së njëjtës fushë në gazetari, por dhe në krijimtarinë letrare së fundi. Mund të themi që jeni vërtetë një çift me model në jetë dhe krijimtari.
Luiza Musta: Mundet të jetë kështu.
Roland Musta: Natyrisht kur midis një çifti harmonia është e shtuar kur diskuton edhe për krijimtarinë vetjake me bashkëshorten, është një nxitje e një fushe të bukur që të jep në jetë një kënaqësi tjetër, një përjetim tjetër dhe kjo ndihmon dhe atë që shkruan, por edhe atë që sugjeron apo bashkëbisedon për ta përmirësuar sepse krijimtaria nuk ka përkryerje. Kur ke një njeri pranë që të motivon, atë që bën ti e ke maksimumin e asaj që t’i mund të japësh.
CMG: Keni në plan ndonjë botim tjetër së afërmi?
Roland Musta: Për momentin nuk kam ndonjë plan, mbase në një kohë më të largët mund të bëj diçka. Nuk jam dhe shumë prodhimtar apo manjak pas rendjes së librave, por dua që atë që bëj ta bëj dhe të them që është i imi.
Luiza Musta: Mund të them që Rolandi futet në radhën e atyre krijuesve që asnjëherë nuk kënaqet me atë që shkruan. Nëse e hedh diçka në rrjetet sociale (Facebook), të cilët tani janë të përditëshme, ku asnjëherë poezia e tij nuk ngelet e fillimit, ajo e hedhjes së parë sepse gjithnjë lexon, fokusohet në atë që ka shkruar dhe përpiqet të punojë me fjalën, ta ndërrojë atë njëherë, dy herë dhe shumë herë për të arritur atë që do, pra është vazhdimisht kërkues. Duke u nisur pikërisht nga kjo kërkesë që ka për veten, unë mendoj që dhe librat e tij nuk janë aq të shpeshtë siç mund të ketë rëndom njerëz që mendojnë se shkruajnë poezi, por që lënë për të dëshiruar sepse nuk ka një ent botues që të arrijë të bëjë kritikën e duhur para botimit. Kjo mungon në Shqipëri dhe për fat të keq nuk arrin të kuptosh se kush është gruri dhe kush është kashta.
Intervistoi: Gazmend Agaj