Zvicër, shkrirja e akullnajave zbulon një alpinist të zhdukur në vitin 1986
2023-07-31 11:29:39

Foto nga VCG

Akullnajat në Alpet e Zvicrës po shkrijnë me shpejtësi për shkak të ndryshimeve klimaterike. Këtë verë, pas shkrirjes së akullit, disa eksplorues zbuluan në akullnajën Theodul, trupin e një aplinisti gjerman të zhdukur që prej shtatorit të vitit 1986, njofton “RTSH”.

Një operacion i madh kërkim-shpëtimi në atë kohë nuk arriti të gjente asnjë gjurmë të tij.

Policia nuk e përmendi emrin e alpinistit, por tha se ai ishte 38 vjeç kur u zhduk gjatë një eksplorimi.

Akullnaja Theodul ka pësuar një shkrirje drastike si pasojë e rritjes së temperaturave duke humbur gjysmën e vëllimit të saj që nga viti 1931.

Deri në vitet 1980, akullnaja Theodul ishte ende e lidhur me fqinjin e saj, akullnajën Gorner, por të dyja tani janë plotësisht të ndara.

Zvicra vitin e kaluar kishte një nga qershoret më të nxehta dhe më të thata.

Por, tre javët e para të korrikut ishin më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë. (Fatosi)