Librat e vjetër dhe të rrallë në Qendrën më të re të librit
2023-07-31 16:35:51

Qendra Sotir Kolea - foto ATSH

Qendra Sotir Kolea - foto ATSH

Lexuesve dhe miqve të librit u rikthehet një prej hapësirave më interesante të librit në Tiranë, deri dje një depo e lënë në harresë të plotë. Qendra më e re e librit “Sotir Kolea”, dikur e njohur si biblioteka e vjetër e kryeqytetit, e cila pas dëmtimeve nga tërmeti, i rikthehet lexuesit përmes shërbimit të librave të rrallë. Godina ndodhet përballë Parlamentit dhe miqtë e librit tashmë mund të gjejnë aty libra të rrallë.

Tashmë, e gjithë kjo pasuri vihet në dispozicion të publikut në një ndërtesë tërësisht të rikonstruktuar, falë investimit të qeverisë shqiptare dhe mbështetjes europiane nga Programi “EU4Culture”.

Kryeministri Edi Rama vizitoi Qendrën e re, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha.

Duke shpjeguar projektin e zbatuar, Ministrja Margatiti u shpreh se Qendra “Sotir Kolea”, jo vetëm i sjell publikut një pjesë të vyer të trashëgimisë sonë kulturore të së shkuarës, por do të shërbejë dhe si një qendër kulturore moderne multifunksionale, në shërbim të studiuesve, e para së gjithash të rinisë. Kjo qendër përmban një numër të madh librash të rrallë që janë konfiskuar nga shteti, pas vitit 1944 e në vazhdim, deri në vitin 1990. Tashmë të gjithë këto libra të depozituar janë sistemuar sipas kritereve moderne të qasjes ndaj librave”.

Kryeministri Edi Rama , Ministrja Elva Margariti dhe Drejtori i Bibliotekes Kombetare Piro Misha ne promovimin e qendres se re te librit- foto A

Kryeministri Edi Rama , Ministrja Elva Margariti dhe Drejtori i Bibliotekes Kombetare Piro Misha ne promovimin e qendres se re te librit- foto ATSH

Qendra “Sotir Kolea” mban emrin e një personaliteti të kulturës shqiptare, i cili si drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë gjatë periudhës 1928-1937, dha një kontribut të veçantë në hedhjen e bazave të bibliotekonomisë në Shqipëri, si dhe për pasurimin e koleksioneve bibliotekare me materiale albanologjike.

Ajo është e vendosur në një ndërtesë me një vlerë të dyfishtë historike, në të cilën në vitin 1912 u ngrit për herë të parë në Tiranë flamuri shqiptar pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, ndërsa më 1920 aty u vendos qeveria e parë e dalë nga Kongresi i Lushnjës në Tiranën e sapo caktuar kryeqytet. Me urdhrër nr. 362 dt., 29.08.2000 të Ministrit të Kulturës kjo ndërtesë gëzon statusin “Monument Kulture i Kategorisë II”.

Për shumë vite me radhë ajo ka shërbyer si një “Aneks” i Bibliotekës Kombëtare, në të cilin mbaheshin të mbyllura disa qindra mijëra libra, kryesisht prej atyre që pas Luftës së Dytë Botërore qenë konfiksuar nga individë apo institucione të ndryshme. Tashmë, e gjithë kjo pasuri po vihet më në fund në dispozicion të publikut në një ndërtesë tërësisht të rikonstruktuar.

Qendra e librit Sotir Kolea Tirane- foto  ATSH

Qendra e librit Sotir Kolea Tirane- foto  ATSH

Për rikonstruksionin e ambienteve është bërë një punë kolosale. Projekti në tërësi konsistoi në rikonstruksionin total të objektit, në krijimin e kushteve dhe hapësirave të përshtatshme të punës për stafin dhe përdoruesin e rregullt. Punimet e kryera përfshinë rikonstruksionin e hollit të hyrjes, tre salla në katin përdhe, mobilimin me rafte në katin përdhe dhe të parë, lyerjen e hapësirave, punime riparimi të dyshemesë dhe tavaneve, restaurimin e fasadës, punime elektrike, mekanike.

Po ashtu në punimet për sigurinë e objektit dhe konkretisht: punime për mbrojtjen ndaj zjarrit, sistemi i fikjes dhe dedektimit; sistemi i alarmit kundër vjedhjes; riparim i konstruksionit të çatisë.

Të gjitha punimet e ndara në tri faza kanë kushtuar rreth 81 milionë lekë.

Ambientet e Bibliotekes se re Sotir Kolea - foto ATSH

Ambientet e Bibliotekes se re Sotir Kolea - foto ATSH

Qendra është organizuar në salla sipas gjuhëve të ndryshme, si franceze, gjermane, italiane, orientale, ruse, por edhe salla “Herbert”, “Lumo Skëndo” etj.

I gjithë ky ivestim vjen i financuar nga BE, PROGRAMI EU4CULTURE. Ky program i financuar nga BE dhe i zbatuar nga UNOPS Albania në partneritet me Ministrinë e Kulturës ka prokuruar dhe dorëzuar pajisje moderne restauruese me 621,672.73 Euro. Këto pajisje moderne, ndër të cilat janë serverët, skanuesit e librave dhe barkodeve, laptopët, tabletët, pluhuri i librave dhe fshesa me korrent të specializuar, dezinfektuesit, dhomat e pastrimit të lagështirës, makinat e pastrimit dhe deacidifikimit të librave, do të rrisin shumë aftësinë e bibliotekës për të ruajtur librat dhe për t'i bërë disa prej tyre të disponueshme online. Në veçanti, dezinfektuesi automatik i librave është e vetmja makinë e transportueshme në botë e aftë për të pastruar pluhurin dhe dezinfektimin e librave, letrave të lira, dokumenteve, dosjeve, duke respektuar materialin, mjedisin dhe shëndetin e operatorëve dhe përdoruesve të mundshëm dhe gjendet vetëm në disa biblioteka në Europë.

Neritana Kraja