Dokumenti me plane të mundshme për të sulmuar Iranin, pjesë e akuzave të reja ndaj ish-Presidentit Trump
2023-07-31 17:23:52

Mes akuzave të reja të ngritura ndaj ish-Presidentit Donald Trump këtë javë, ishte edhe ajo për mbajtjen e paligjshme të një dokumenti të klasifikuar ku detajoheshin planet operacionale amerikane për një sulm të mundshëm ndaj Iranit. 

Ndaj ish-Presidentit Donald Trump dhe një punonjësi të tij në klubin Mar-a-Lago janë ngritur tashmë tre akuza të reja penale. Prokurorët federalë në Florida ia shtuan akuzat e reja 37 akuzave të mëparshme të ngritura për marrjen e paligjshme të dokumentave në përfundim të mandatit të tij presidencial dhe për mbajtjen e dokumentave pasi iu kërkua në mënyrë të përsëritur që t’i kthente.

Zoti Trump akuzohet se ai dhe ndihmësat e tij i kërkuan një punonjësi në Mar-a-Lago që të fshinte filmimet e kamerave në pronën e tij, në përpjekje për të penguar hetimin për dokumentat e klasifikuara.

Ish-presidenti akuzohet edhe për mbajtjen e qëllimshme të informacionit për mbrojtjen kombëtare. Ai akuzohet se ua tregoi planet operacionale për një sulm ndaj Iranit një autori, një botuesi dhe dy punonjësve në klubin e tij në Bedminster, Nju Xhersi, në korrik 2021.

Një analiste për çështjet e sigurisë dhe diplomacisë thotë se ekzistenca e këtyre planeve nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara po planifikonin ta sulmonin Iranin, por se Pentagoni përgatit plane për rastin më të keq të mundshëm. Ajo thotë se veprimi për të cilin akuzohet ish-Presidenti Trump, pra ndarja me të tjerë e informacionit të këtij dokumenti të klasifikuar, është e paprecedentë në historinë amerikane.

“Është detyra e ushtrisë që të shpresojë për më të mirën dhe të planifikojë për më të keqen. Kështu që ekzistojnë shumë plane lufte. Por qartësisht ato që kanë të bëjnë me Iranin janë jashtëzakonisht serioze për shkak të historikut të Iranit me prodhimin e armëve bërthamore”, tha zonja Shea.