Dita Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, OKB: Çdo vend i botës i prekur nga ky fenomen
2023-07-31 11:16:10

Foto nga VCG

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 30 korrikun si “Ditën Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”, për të rritur ndërgjegjësimin mbi gjendjen e viktimave të trafikimit njerëzor dhe për promovimin, mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Trafikimi i personave është një shkelje e të drejtave të njeriut. Çdo vit mijëra qenie njerëzore bien në duart e trafikantëve, në vendet e tyre dhe jashtë vendit. Pothuajse çdo vend në botë është i prekur nga trafikimi, qoftë si një vend i origjinës, tranzit apo destinacion për viktimat”,- bën të ditur OKB-ja, citon “RTSH”.

Sipas OKB-së, fushata për Ditën Botërore Kundër Trafikimit të Njerëzve 2023 synon të rrisë ndërgjegjësimin për tendencat shqetësuese të identifikuara nga UNODC dhe u bën thirrje qeverive, zbatimit të ligjit, shërbimeve publike dhe shoqërisë civile të vlerësojnë dhe rrisin përpjekjet e tyre për të forcuar parandalimin, identifikimin dhe mbështetjen e viktimave dhe t'i jepet fund pandëshkueshmërisë.

Krizat globale, konfliktet dhe urgjenca klimatike po përshkallëzojnë rreziqet e trafikimit. Zhvendosja dhe pabarazitë socio-ekonomike po prekin miliona njerëz në mbarë botën, duke i lënë ata të pambrojtur ndaj shfrytëzimit nga trafikantët. Ata që nuk kanë status ligjor, jetojnë në varfëri, kanë akses të kufizuar në arsim, kujdes shëndetësor, përballen me diskriminim, dhunë ose abuzim, ose vijnë nga komunitete të margjinalizuara dhe janë shpesh objektivat kryesore të trafikantëve.

Globalisht, reagimet kombëtare, veçanërisht në shtetet në zhvillim, duket se po përkeqësohen. Shkalla e zbulimit ra me 11% në vitin 2020 dhe dënimet ranë me 27%, duke ilustruar një ngadalësim në mbarë botën në përgjigjen e drejtësisë penale ndaj trafikimit.

Pandemia e Covid-19 ndryshoi gjithashtu karakteristikat e trafikimit duke rritur potencialisht rreziqet për viktimat, duke e bërë krimin më pak të prirur për t'u vënë në vëmendjen e autoriteteve.

Në fakt, 41% e viktimave që arrijnë t'i shpëtojnë sprovës së tyre u drejtohen autoriteteve me iniciativën e tyre, një tjetër shenjë e qartë se reagimet kundër trafikimit janë të mangëta. (Fatosi)