Njihuni me kulturën dhe mençurinë e lashtë kineze në Universiadën e 31-të Verore Botërore
2023-07-31 10:43:42

Në qytetin Chengdu të provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore po zhvillohen Lojërat e 31-ta Universitare Botërore. Gjatë konkurrimit, elementet e spikatura të kulturës kineze kanë tërhequr interesin e sportistëve të rinj nga e gjithë bota. Le të njihemi së bashku me më mbresëlënëset prej tyre.

Ceremonia e hapjes së Universiadës së 31-të Verore Botërore në qytetin Chengdu, 28 korrik 2023(Foto:VCG)

Ceremonia e hapjes së Universiadës së 31-të Verore Botërore në qytetin Chengdu, 28 korrik 2023(Foto:VCG)


Pishtari “Ronghuo”

Këtë 2 qershor, pishtari, stema, maskota dhe medaljet e Universiadës Chengdu 2023 u zbuluan bashkërisht për publikun. Emri i pishtarit “Ronghuo” përbëhet nga karakteri "Rong" (emri i lashtë i qytetit Chengdu) dhe "Huo" (që fjalë për fjalë do të thotë “zjarr”). Ndërsa, “Ronghuo”, bashkëtingëllon edhe si “bashkim” në gjuhën kineze. Pishtari përbëhet nga katër ngjyrat tematike të Universiadës, të cilat mishërojnë frymën e këtij edicioni që përfshin konceptin e gjelbërimit, mençurisë, vitalitetit dhe të ngjashmes.

Si lëndë djegëse shërben propani i biomasës, ndërsa materiali përbërës është një lloj aliazhi alumini i përdorur te avionët. Katër pika janë bërë me përparësi gjatë kërkimit, zhvillimit dhe prodhimit të pishtarit:

Ronghuo(Foto:VCG)

Ronghuo(Foto:VCG)

1) Efektshmëria e lartë e djegies: Përdoret teknologjia e motorit special në fushën aeronautike për të siguruar besueshmëri dhe djegie të pastër (pa mbetje);

2) Materialet e riciklueshme: Lëndët e para të përdorura për prodhimin e pishtarit janë të gjitha materiale të riciklueshme;

3) Prodhimi i gjelbër dhe miqësor me mjedisin;

4) Teknologjia inteligjente. Gjatë zhvillimit të formës së pishtarit, teknika si 3D etj., u përdorën për përpunimin e modeleve.

Për dizenjimin, mbi pishtar është përdorur panda (Sichuan është vendlindja e pandas), një imazh i qytetit të Chengdusë dhe simboli i trashëgimisë kulturore kineze - Zogu i Shenjtë i Diellit, figurë e një statuje bronzi të zbuluar në rrënojat Sanxingdui, që përfaqëson qytetërimin e lashtë në Sichuan si dhe gropëza e flakës në formën e gjethes së bambusë që shkon me pandën.


Maskota “Rongbao”

Rongbao(Foto:VCG)

Rongbao(Foto:VCG)

Rongbao është maskota e Universiadës së 31-të Botërore. Ajo u krijua në bazë të pandës "Sezam" në bazën e kërkimit dhe mbarështimit të pandave. Emri i maskotës “Rongbao” përbëhet nga karakteri "Rong" (emri i lashtë i qytetit Chengdu) dhe "Bao" (që fjalë për fjalë do të thotë “bebi” në gjuhën kineze).Rongbao, që vrapon, duke mbajtur një pishtar në dorë të gdhendur me numrin “31”, përfaqëson gjallëri dhe nënkupton se qyteti Chengdu do t’i udhëheqë atletët nga e gjithë bota për të kaluar së bashku këtë ngjarje sportive madhështore.

Veshët, sytë dhe bishti i “Rongbao”-s janë gjithashtu në formën e flakëve. Dizenjimi i mimikës së fytyrës së “Rongbao” i referohet artit tradicional vendor – ndërrimit të maskave të Operës Sichuan. Kombinimi i pandës dhe i flakëve tregon gatimin më të njohur të provincës Sichuan, hotpot ose një tenxhere e nxehtë për zierjen e ushqimit mbi zjarr dhe një mjeshtëri në Operën Sichuan, ku aktorët shfaqin “frymëmarrje me zjarr”.


Medalja “Rongguang”

Rongguang(Foto:VCG)

Rongguang(Foto:VCG)

Emri i medaljes së Universiadës “Rongguang” përbëhet nga "Rong" (emri i lashtë i qytetit Chengdu) dhe “Guang” (që do të thotë dritë). Dy karakterë bashkëtingëllojnë edhe si "lavdi" në gjuhën kineze, duke nënkuptuar kështu vlerësimin për guximin e atletëve, bukurinë e jetës dhe frymën e sportit.

E gjithë medalja peshon rreth 185 gramë dhe ka një diametër prej 68 mm dhe trashësi 6.8 mm. Kjo është hera e parë që mjeshtëria e endjes së brokadës Shu, një trashëgimi kulturore jomateriale, përdoret në prodhimin e shiritave të medaljeve. Në anën e përparshme të medaljes, imazhi “Zog i Shenjtë i Diellit ” që është duke përplasur krahët për të fluturuar, simbolizon mbrojtjen e ëndrrave drejt një të ardhmeje më të bukur. Ajo është në përputhje edhe me sloganin e kësaj Universiade "Në Chengdu, realizohet çdo ëndërr", duke inkurajuar sportistët të që ndjekin dëshirat e tyre në këtë qytet.

Nga kërkimi, zhvillimi, prodhimi eksperimental deri te vlerësimi dhe miratimi përfundimtar, u harxhuan në përgjithësi dy vite, duke përfshirë mjaft shpikje në shumë aspekte. Si për shembull, edhe pse me ndihmën e printimit metalik 3D dhe teknika të tjera, prodhimi i kallëpeve të medaljeve nuk ishte i lehtë. Sepse për medaljet e arit, argjendit dhe bronzit, nuk ka dallime vetëm te dizenjimet, por edhe te materialet për pjesë të ndryshme të tyre, gjë që krijoi vështirësi për të marrë një efekt të kënaqshëm që në fillim. Mësohet se vetëm për medaljen e arit, u prodhuan shtatë grupe kallëpesh.


Mençuria e lashtë 

Në këtë verë “përcëlluese”, kur hyni në Qendrën e Shërbimit të Delegacionit të Fshatit të Universiadës, mund të ndjeni një fllad të freskët. Por, ajo në fakt është një hapësirë e lidhur me pjesën e jashtme dhe nuk është e kondicionuar. Atëherë pse është kaq freskët?

 Qendra e Shërbimit të Delegacionit e Fshatit të Universiadës(Foto: Drejtoria e Mjedisit dhe të Ekologjisë e qytetit Chengdu)

Arkitektët përdorën metodën e "rrugicës së ftohtë" të ndërtesave tradicionale kineze. Gjatë procesit të projektimit, në bazë të kushteve topografike, arkitektët hartuan një “rrugicë” me hyrje e dalje të mëdha në dy anët, dhe një trup të vogël në qendër. Dy “kokat” e mëdha të rrugicës drejtohen përkatësisht nga verilindja dhe jugu, që janë drejtimi dominues i erës në Chengdu. Kështu që dy anët gjigante thithin më shumë ajër, ndërsa në qendër kur ngushtohet, era fryn më shpejt, duke sjellë freski.

"Kondicioneri ekologjik" i projektuar sipas modelit të mjeshtrave të lashtë kinezë, ka ulur jo vetëm shpenzimet, por ka mbrojtur edhe mjedisin në Fshatin e Universiadës. Sipas llogaritjes, kjo mjeshtëri mund të kursejë rreth 70 mijë kilovatë energji elektrike në vit, me të cilët mund të plotësohen kërkesat e 20 familjeve për konsumin e energjisë gjatë gjithë vitit.