Deklarata e përbashkët Kinë-Guajana thekson bashkëpunimin në fusha të ndryshme
2023-07-31 17:49:25

foto/VCG

foto/VCG

Kina dhe Guajana janë zotuar të thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin në nivel dypalësh e shumëpalësh, sipas një deklarate të përbashkët të publikuar nga qeveria kineze të hënën, gjatë vizitës shtetërore të presidentit guajanas Irfaan Ali në Kinë. Ali ndoqi gjithashtu të premten ceremoninë e hapjes të Lojërave të 31-ta Universitare Botërore Verore në Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore.

Të dy vendet ritheksuan respektin e tyre për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe mbështetjen e ndërsjellë në zgjedhjen e rrugëve të zhvillimit në përputhje me kushtet kombëtare të tyre, në bazë të parimeve të respektit të ndërsjellë e të përfitimit të përbashkët dhe në përputhje me qëllimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të ligjit ndërkombëtar, thekson deklarata.

Pala guajanase përsëriti gjithashtu mbështetjen e saj të fortë për parimin e "Një Kine".

Ali shprehu mirënjohje për mbështetjen e Kinës në zhvillimin ekonomik të vendit të tij, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës, bën të ditur deklarata, duke shtuar se të dy palët janë të angazhuara për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, duke përfshirë shtimin e tregtisë e të investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tilla si infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, energjetika dhe arsimi.

Sipas deklaratës, pala guajanase vlerëson lart nismën "Një brez, një rrugë", Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global, të propozuara nga Kina.

Duke kujtuar nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Guajanës dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës mbi bashkëpunimin brenda Kornizës së Nismës së Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të më 27 korrik 2018, pala guajanase shprehu gatishmërinë e saj për të negociuar dhe nënshkruar një plan bashkëpunimi për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" me palën kineze, shton deklarata.

Kina i shprehu presidentit Ali vlerësimin e saj për rolin konstruktiv të luajtur nga pala guajanase në çështjet rajonale e ndërkombëtare, veçanërisht në fushat e sigurisë ushqimore, integrimit rajonal dhe bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe Amerikës Latine. Ali tha se si vendet e zhvilluara, ashtu dhe vendet në zhvillim, duhet të përqendrohen në nxitjen e sigurisë ushqimore, klimatike dhe energjetike, me qëllim që të nxitin zhvillimin e qëndrueshëm. Të dy palët ranë dakord se Nisma e Zhvillimit Global mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.

Dy palët pranuan të shtojnë bashkëpunimin kulturor e arsimor, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimeve njerëzore. Për të forcuar njohjen e miqësinë e ndërsjellë mes dy popujve, Kina e Guajana vendosën të përkrahin bashkëpunimin mes institucioneve arsimore të të dy vendeve, të nxitin programet e shkëmbimeve studentore e të shtojnë lidhjet kulturore. (Artan)