Shoqata e eksportuesve kërkon sërish ndërhyrje në kursin e këmbimit
2023-07-31 10:43:00

Rënia e euros (Foto gazeta sot)

Rënia e euros (Foto gazeta sot)

Edhe pse qeveria ka ndërmarrë dy nisma për t’i ndihmuar me shtyrjen e këstit të tatim-fitimit dhe rimbursimin më të shpejtë të TVSH-së, Shoaqata e Eksportuesve  kërkon ndërhyrje më drastike, me ndryshimin e regjimit të kursit të këmbimit. Ata thonë se zhvlerësimi i euros po i dërgon drejt falimentit. Efektet goditëse tashmë janë dhënë tek bizneset dhe sipas sipërmarrësve duhet veprim i menjëhershëm.

“Duke e lancuar si fitore se Shqipëria fiton më shumë sesa eksporton ndaj ekonomia fiton, përveç se preken një grup i ngushtë biznesesh që eksportojnë. Tashmë pasojat tepër të rënda të mbiçmimit të lekut deri në kursin e këmbimit një me një po shfaqin efektet e para. Në tërësi në ekonomi, humbje dyshifrore të eksporteve prej disa muaj radhazi, po shfaqen efektet drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve, që të ardhurat i kanë nga remitancat dhe jo pak nga ato që i kanë kreditë për shtëpinë në Euro. Ndërsa specifikisht për bizneset eksportuese është i garantuar falimenti. Gjatë gjithë kësaj periudhe, bizneset sidomos ato eksportuese, kanë ndjekur rrugën institucionale për të adresuar rreziqet dhe për të bashkëpunuar me aktorët institucionalë për zgjidhjet, por është fakt që nuk ka patur asnjë progres ndërsa regresi i kompanive eksportuese deri në faliment është realitet që agravon përditë. Për fat të keq, ekspertët dhe këshilltarët ekonomikë të institucioneve qendrore publike me të cilët është diskutuar katastrofa ekonomike për shkak të mbiçmimit të pakontrolluar e të pashpjegueshëm të lekut, nuk kanë reflektuar koshiencën e plotë mbi rëndësinë e situatës dhe dimensionet e pasojat ekonomike e sociale që mund të prodhojë ende në vijim kjo situatë. “-  thotë Alban Zusi.

Alban Zusi (Foto TPZ.al)

Alban Zusi (Foto TPZ.al)

Eksportuesit thonë se  rënia e kursit nuk shpjegohet nga qëndrimet zyrtare të institucioneve. Nëse nuk bëhet reagimin në kohë, bizneset thonë se dëmi do të jetë i parikuperueshëm.

“Këto stafe që këshillojnë ekonominë është fakt që efektivisht po e çkëshillojnë atë, për shkak të mos njohjes së ekonomisë reale, por edhe papërgjegjshmërisë që ato kanë. Banka e Shqipërisë jo vetëm që nuk ka treguar ndonjë rol për të stabilizuar tregun e këmbimit valutor, por ka refuzuar për të bërë transparencë për përmbushjen e detyrave ligjore që ka lidhur me ecurinë e këmbimit valutor për të shpjeguar me statistika e të dhëna të kuptueshme se çfarë ka ndodhur që po mbiçmohet monedha vendase ne Shqipëri ndryshe nga kudo në Europë. Çfarë projeksioni dhe perspektivë ka kjo çështje? Nuk ka asnjë shpjegim zyrtar nga Banka e Shqipërisë. Bizneset eksportuese të parat, por edhe të gjitha bizneset e tjera dhe qytetarët ushtrojnë aktivitet ekonomik dhe financiar në ambient të pasigurt. Pas disa takimeve të pafrytshme me institucionet, jemi këtu sot për të deklaruar publikisht se bizneset eksportuese, por edhe ato prodhuese janë në limitet e rezistencës ekonomike e financiare të tyre. Po ashtu janë prodhuar dëme, pasojat e të cilave do të ndihen në muajt në vijim, por nëse zgjidhja e situatës nuk do të bëhet menjëherë pasojat afatgjata ekonomike dhe sociale do të jenë shumë të rënda dhe buxheti i shtetit dhe ekonomia në tërësi do të ballafaqohet për t’i kompensuar me buxhete shumë më të larta se sa ato që kërkon zgjidhja e menjëhershme”- tha Zusi.

Shoqata e eksportuesve (Foto Top  Channel)

Shoqata e eksportuesve (Foto Top  Channel)

Përfaqësuesit e bizneseve flasin edhe me shifra për humbjet që kanë pësuar.

“Nëse e marrim sektoriale unë jam përfaqësues i fasonëve, aktualisht humbja mujore është mbi 9 milionë euro vetëm nga kursi i këmbimit, por për sektorin tonë është kjo shumë që ne po flasim dhe nëse do vijojë të bjerë akoma më shumë imagjino sa e dëmshme do të jetë akoma më shumë”, tha Edvin Prençe.

 

Eksporte shqiptare  (Foto abc news)

Eksporte shqiptare  (Foto abc news)

Një tjetër sektor mjaft i prekur është ai i bimëve mjekësore.

 

“Industria më e prekur është ajo e bimëve mjekësore, pasi 100% te kostot e prodhimit i ka në lekë, blerjen e lëndëve të para, shpenzimet operative, shitjet në euro e dollarë dhe pasojat janë që çdo kompani bën nga 20 milionë dollarë/ euro në muaj, llogariten 17-20% humbje. Ne kishin shumë negociata para zgjedhjeve me ministren e Financave, guvernatorin e BSH dhe me një serë dikastere të tjera, por pas zgjedhjeve nuk ka një reagim të duhur. I bëjmë thirrje qeverisë se nëse nuk do të përcaktojë një kurs fiks, në bazë të rregullave do të kërkojmë lejë dhe së shpejti do zbresim para kryeministrisë në protestë vetëm për të kërkuar, që duhet ulur në bazë të Kushtetutës edhe guvernatori edhe qeveria dhe mos na lenë në dorën e rënies së lirë.” – tha Filip Gjoka, kryetari i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Shqiptare.

Euro ka rënë me 15% në vetëm 4 muaj, ndërsa efektin më të madh po e jep në tregtinë e jashtme.