Violinistia Aiola Laska: Dëshiroj të bëhem producente muzikore
2023-07-30 19:24:20

Aiola Laska (Foto  personale)

Aiola Laska (Foto  personale)

Aiola Laska është një violiniste mjaft e talentuar, por gjithashtu edhe këngëtare. Ajo është rritur në një familje artistësh dhe muzikën e ka nisur që në moshën 4 vjeçare, kur është aktivizuar në festivale fëmijësh të organizuara në TKOB. E ëma është mezzo -soprano në TKOB dhe e motra këngëtare e muzikës së lehtë. E dashuruar që e vogël me violinën, ajo zgjodhi që ky instrument ta  shoqërojë gjatë gjithë jetë. Aiola ka marrë pjesë në disa konkurse muzikore, por në spektaklin “Tu si que vales” konkuroi si një instrumentiste profesioniste ku u vlerësua me çmimin e parë. Çmimet e para e kanë shoqëruar atë gjithmonë, madje edhe në festivalet e fëmijëve ku ka interpretuar si këngëtare. Ajo tashmë është pjesë e grupit të vajzave “Strin Girls”, vajzat e harqeve. Në Radio Ejani, ajo na rrëfen për planet e saj për të ardhmen, por edhe bashkëpunimet në vazhdim.

Aiola Laska - violiniste (Foto personale)

Aiola Laska - violiniste (Foto personale)

CMG:  Aiola ti je shumë e re, por ke mbi dy dekada që jeton me muzikën . Na trego për këtë dashuri tënden?

Aiola Laska: Dashuria për muzikën, sidomos për violinën ka nisur në një moshë shumë të hershme, përpara se ta praktikoja këtë instrument. Mbaj mend që kam qenë më pak se 6 vjeç, kur kam parë një violinist duke luajtur dhe jam mahnitur aq shumë, sa menjëherë kam meduar se ky do të ishte profesioni im. Më pas jam futur në shkollën “Servete Maçi” ku zgjodha pikërisht violinën. Nga historia që sapo ju tregova, e çdo vit e më shumë violina u bë pjesë e imja. Pastaj përveç muzikës klasike fillova të eksperimentoj edhe muzikën moderne, duke luajtur me instrument elektrik, duke parë më tepër edhe nga violinistët e mëdhenj të botës dhe eksperimentet që ata bënin.  

Aiola Laska (Foto personale)

Aiola Laska (Foto personale)

CMG: Krahas violinës ty të ka shoqëruar edhe kënga. Në moshën 4 vjeçare ke shkelur në TBOB. Çfarë kujton nga ai moment?

Aiola Laska: Noshta mund të kem qenë edhe pak më e vogël se 4 vjeç të them të vërtetën. Mamaja ime është këngëtare operistike dhe që kur kam qenë në barkun e saj kam shkelur në TKOB. Në moshën katër vjeçare, mbaj mend që skena më dukej mjaft e bukur, emocionet e njerëzve, pjesa që isha brenda në shfaqje duke luajtur me korin e fëmijëve, duke qenë pjesë e shumë shfaqjeve. Nuk kam fjalë për ta përshkruar, por ka qenë një emocion shumë i veçantë që nuk e di a do më përsëritet ndonjëherë.  

Aiola Laska ne spektaklin -Tu si que Vales (Foto personale)

Aiola Laska ne spektaklin -Tu si que Vales (Foto personale)

CMG: Në pjesëmarrjet në festivale për fëmijë ti je vlerësuar përherë me çmime.  Flasim për këto pjesëmarrje.

Aiola Laska: Në festivalin e parë që kam  marrë pjesë kam qenë rreth 7 vjeç dhe mbaj mend që kam qenë sëmurë me shyta dhe isha fryrë si tullumbace. Gjithsesi kjo nuk më ndikoi në të kënduarën, madje jam vlerësuar me çmimin e parë. Festivali i dytë ka qenë Festivali Mbarëkombëtar në Shkodër, në mos gaboj ka qenë edicioni i 45-të dhe unë merrja pjesë me një këngë të kompozuar nga Sokol Marsi me tekst të Jorgo Papingjit që titullohej “Po ju sjell një karafil” ku u vlerësova me çmimin e parë. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme dhe ja kam kaluar shumë bukur. Ajo skenë e madhe, me atë publik aq të mirë, ka qenë vërtetë shumë bukur.

Aiola Laska me grupin e vajzave (Foto personale)

Aiola Laska me grupin e vajzave (Foto personale)

CMG: Për publikun e gjerë ti je bërë e njohur në disa spektakle të talenteve të rinj, si" Tu Si Que Vales”. Si ishte kjo garë për ty dhe a ja vlejti për karrierën tënde artistike?

Aiola Laska: Pjesëmarrja  ime në "Tu Si Que Vales” ishte diçka që nuk e kisha planifikuar, por kisha kohë që mendoja të isha më prezente në skenat televizive. Kjo ishte një nga arsyet pse shkova në atë emision. Pas gjithë procedurave të regjistrimit, nisa  me  prezantimin e parë, që kalova direkte në finale, por bëra edhe një interpretim në gjysmë finale për kënaqësi. Ndërsa në finale dhashë performancën time më të bukur, sepse çdo gjë po ndodhte ashtu si unë doja dhe ashtu si e kisha imagjinuar. Ndoshta prandaj më vlerësuan edhe me çmimin e parë, sepse  emocionet ashtu si unë i ndjeva, u transmetuan edhe tek publiku.

Aiola Laska duke performuar ne skene (Foto personale)

Aiola Laska duke performuar ne skene (Foto personale)

CMG: Ti ke studiuar për violinë. Por kënga të ka shoqëruar me konkurse të ndryshme gjatë jetës. A i ndan dot nga njëra- tjetra? Apo do të shoqërojnë të dyja?

Aiola Laska: Pavarësisht se gjatë gjithë jetës më ka shoqëruar kënga, violina gjithmonë ka zënë vendin e parë dhe nuk besoj se ky fakt do të ndryshojë ndonjëherë, por gjithsesi dhe këngën nuk do ta ndaj nga karriera ime.

Aiola Laska soliste (Foto personale)

Aiola Laska soliste (Foto personale)

CMG: Ti ke realizuar vetë tekstin dhe muzikën e këngës "Jo më" , ku duket që nuk mungojnë edhe tingujt e violinës. Na trego për këtë krijimin e kësaj kënge?

Aiola Laska: Përpara se të shkruaja këngën “Jo më”, kam shkruar edhe melodinë e tre këngëve instrumentale, të grupit tim “Strin Girls”. Kënga “Jo më” erdhi si një frymëzim i momentit. Ishte një melodi që më erdhi ndër mend, të cilën e regjistrova menjëherë në celular që mos ta harroja, sepse ka shumë momente që mendon se i mban mend melodinë, por në fakt  mund ta harrosh.  Sapo nisa që ta regjistroja në celular melodinë, në mënyrë organike më erdhën edhe fjalët, pra njëkohësisht po shkruaja edhe fjalët në letër. Ka qenë diçka shumë e shpejtë, nuk më ka lodhur. Më pas shkova në studio, për të vazhduar me procedurën tjetër. Normalisht që tingujt e violinës nuk mund të mungonin sepse së pari jam violiniste, e më pas jam këngëtare.

Aiola Laska  ne skene (Foto personale)

Aiola Laska  ne skene (Foto personale)

CMG: Do të të shohim në të ardhmen edhe si autore këngësh?

Aiola Laska: Do më shihni si producente. Jam duke mbaruar tek “Muza” shkollën për producente dhe tani kam orët e punës që të ulem e të krijoj. Ky është plani im i së ardhmes, që të kem një studio timen dhe vetëm të prodhoj muzikë.

CMG: Jo rastësisht ti je në rrugën e muzikës, pasi je lindur e rritur në familje artistësh....

Aiola Laska: Mamaja ime punon në TKOB  ku është mezzo-sporano, dhe  ajo ma ka ushqyer dashurinë për muzikën dhe skenën që në moshë shumë të vogël Pavarësisht se im atë është fizikant, ai është artdashës dhe adhurues i muzikës blues dhe jazz, dhe që në moshë të vogël më ka mësuar që të kërceja sidomos rrymën blues. Motra ime është këngëtare dhe jemi e gjithë familja që e duam muzikën dhe merremi me muzikë.

Aiola  Laska (Foto personale)

Aiola  Laska (Foto personale)

CMG: A do të të shohim me ndonjë bashkëpunim brenda familjes?

Aiola Laska: Po patjetër, pse jo. E kam menduar bashkë me motrën time Megi Laska, që të kemi një bashkëpunim ku të këndojmë të dyja, sepse pjesët e këngëve që ajo ka kënduar unë i kam shoqëruar përherë me violinë.

CMG: Me çfarë po merresh momentalisht Aiola?

Aiola Laska: Momentalish mund të them se po merrem me shumë gjëra të ndryshme. Paradite mund të më gjesh në zyrë, gjithashtu kam dhënë mësim edhe në Liceun Artistik,  kam qenë pjesë e një bendi muzikor të këngëtares Juliana Pasha ku luajta në violinë në fundjavë. Kam grupin tim “Strin Girls”  ku kemi aktivitete gjatë gjithë kohësh, por regjistrojnmë edhe me covera këngësh të njohura, madje kemi në plan që të sjellim një këngë tjetër. Luajmë nëpër clube me Dj të ndryshëm, gjithashtu po shkruaj nga pak edhe muzikë. Këto janë ato pikat kryesore me të cilat jam angazhuar momentalisht.

(Foto personale)

(Foto personale)

CMG: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Aiola Laska: Planet e mia në të ardhmen janë vazhdimësia ime në muzikë, si në fushën e violinës ashtu edhe të këngës dhe me shpresën që në një të ardhme jo shumë të largët, të kem studion time.  

Intervistoi: Sava Lena