Bashkëpunimi hapësinor Kinë-Argjentinë
2023-07-30 18:47:33

foto nga CMG

Stacioni i Hulumtimit Hapësinor Neuquen në Argjentinë/ foto nga CCTV

Stacioni i Hulumtimit Hapësinor Neuquen në Argjentinë është stacioni i parë i Kinës jashtë vendit për matjen dhe kontrollin e hapësirës së thellë. Ai u vu në funksionim në vitin 2017 për zhvillimin dhe shfrytëzimin paqësor të hapësirës nga Kina dhe Argjentina. Njëkohësisht, ai është i hapur edhe për komunitetin ndërkombëtar. Aktualisht, shumë institucione kombëtare shkencore dhe teknologjike, përfshirë ShBA-në, e kanë përdorur këtë stacion për kërkime shkencore.

Në vitin 2019, Radio Televizioni i Argjentinës (RTA) realizoi një dokumentar për këtë stacion, ku gazetarët jetuan me shkencëtarët dhe regjistruan punët e tyre të përditshme. Njëri prej gazetarëve të pranishëm në xhirime tha se falë Stacionit Hapësinor Neuquen, “Argjentina ka kushtet për të kryer kërkime në hapësirë, të cilat në të kaluarën ishin të pamundura”.

Stacionin e kanë vizituar edhe shumë diplomatë amerikanë e evropianë të akredituar në Argjentinë, duke u njohur nga afër me karakterin e tij për përdorim civil. Megjithatë, marsin e vitit të kaluar, nuk munguan edhe shpifjet për stacionin, duke e quajtur atë si një objekt ushtarak.

Kundrejt këtyre thënieve, ministri argjentinas i Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Daniel Filmus theksoi se “Stacioni i Hulumtimit Hapësinor Neuquen është një objekt për eksplorimin e hapësirës dhe bashkëpunimit satelitor mes nesh dhe Kinës, ashtu siç kemi edhe me Evropën”.

Në fakt, Argjentina është vendi ideal për bashkëpunimin ndërkombëtar hapësinor. Qysh prej vitit 2012, Agjencia Evropiane e Hapësirës vendosi stacionin e saj hapësinor të thellë në Argjentinë, 480 kilometra larg stacionit të bashkëpunimit Kinë-Argjentinë.

Në një letër të hapur për kongresmenen amerikane Maria Elvira Salazar, ambasadori argjentinas në ShBA Jorge Argüello vuri në dukje se “Argjentina nuk ka infranstrukturë apo prani ushtarake të ndonjë vendi jashtë rajonit”,   duke hedhur poshtë akuzat e politikanes amerikane për stacionin Neuquen.

foto nga CFP

Yang Liwei në anijen hapësinore të Kinës më 15 tetor 2003/ foto nga CFP

Për sa i përket Kinës, që nga fillimi i zhvillimit të industrisë së saj hapësinore, ajo ka insistuar në qëllimin paqësor. Në vitin 2003, astronauti i parë kinez që fluturoi në hapësirë, Yang Liwei mbajti një flamur të OKB-së gjatë misionit të tij dhe tha një fjali në kinezisht dhe gjuhën angleze: “Nga përdorimi paqësor i hapësirës, përfiton i gjithë njerëzimi.”

Sot, Stacioni Hapësinor i Kinës është i hapur për të gjitha vendet anëtare të OKB-së. Kjo është hera e parë në historinë e njerëzimit që realizohet një projekt i tillë. Të gjitha këto kanë vërtetuar synimin e Kinës për hulumtime në hapësirë, të cilat nuk mund të përbalten nga asnjë shpifje. Hapësira është vatra e përbashkët e njerëzimit. Ajo do të shfrytëzohet nga të gjithë. (Wang Lei/ Laçi)