Zbulohet pranë Vatikanit Teatri i Neros
2023-07-30 16:49:46

Teatri ne Vatikan (Foto Panorama)

Teatri në Vatikan (Foto Panorama)

Arkeologët njoftuan se kanë zbuluar pranë Vatikanit Tteatrin e Neros, një strukturë perandorake që përmendet në shkrimet e lashta romake, por nuk ishte gjetur ndonjëherë. 

Objektet ofrojnë një pamje të rrallë të historisë, që nga Perandoria Romake dhe deri në shekullin e 15-të.

Arkeologët thanë se zbuluan Teatrin e Neros te kopshti i një prej hoteleve luksoze të Romës, shumë pranë Vatikanit, raporton “RTSH”.

Megjithëse përmendej në shkrimet romake, teatri perandorak nuk ishte gjetur dot. Arkeologët ishin duke gërmuar thellë nën kopshtin e “Palazzo della Rovere” që në vitin 2020, në kuadrin e rinovimeve të kësaj godine të rilindjes.

Pallati i shekullit të 15-të në rrugën “Via della Conciliazione” që të çon drejt sheshit “Shën Pjetri”, është selia e një urdhri të lashtë, pasardhës i Urdhrit të Kryqit të Shenjtë të Jeruzalemit, nga periudha e kryqëzatave.

Zyrtarët i quajnë të jashtëzakonshme zbulimet nga gërmimi. Perandori Nero qeverisi Romën nga viti 54 deri në vitin 68 të erës së re.

Ndër gjetjet ka kupa qelqi dhe poçe balte të shekullit të 10-të, të cilat janë të pazakonta pasi nuk dihet shumë për këtë periudhë të Romës. Arkeologët thonë se në të kaluarën janë gjetur gjithsej vetëm shtatë kupa qelqi nga ajo epokë, ndërsa te gërmimet e tanishme u gjetën edhe shtatë të tjera.

Arkeologët gjithashtu zbuluan kolona dhe murale të dekoruara me fletë të arta, që mundësuan identifikimin e objektit si Teatri i Neros, i përmendur në tekstet e Plinit, autor dhe filozof i lashtë romak.

Zyrtarët thonë se objektet antike që mund të lëvizen do të dërgohen në muze, ndërsa rrënojat e strukturës së teatrit do të mbulohen sërish, pasi të jenë bërë të gjitha studimet e nevojshme. (Irma)