Juli Cenko (Foto personale)
Juli Cenko këndon me hijeshi këngën e bukur popullore të trevës së jugut, në koncerte, dasma dhe gëzime familjare. Prej shumë vitesh ajo me fanatizëm e përkushtim përpiqet të çojë deri në fund amanetin e të parëve të saj, për të mbrojtur dhe kaluar brez pas brezi këngët më të bukura të polifonisë së jugut. Me zërin dhe këngët e saj ajo është shndërruar në një artiste të muzikës popullore e adhuruar nga shumë artdashës brenda dhe jashtë vendit. Në një intervistë për Radio Ejani Juli tregon për traditën e bukur të familjes së saj, dashurinë e brezave për polifoninë si dhe aktivitetet e saj artistike.
Juli Cenko ne interviste per CMG
CMG: Ka pak kohë që ka përfunduar Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, ku ju ishit pjesëmarrëse. Ndërkohë që për herë të parë jeni ngjitur në skenë e kalasë para 40 viteve. Si e kujtoni daljen e parë në atë skenë?
Juli Çenko: Më ktheve në nostalgjinë e viteve. Unë kam marrë pjesë në festivalin folklori të vitit 1983 me një fragment të shkurtër kënge atëhere si fëmijë që isha, dhe ishte ceremoniali i lindjes së djalit në shtëpinë gjirokastrite. Sivjet ishte jo vetëm ringjallja e atyre emocioneve të mia, një ëndërr për mua që unë të kthehesha përsëri në atë skenë. Emocionet e mia nuk i përshkruaj dot.
CMG: Si ishte ky edicion i festivalit, nëse e krahasojmë me festivalet e mëparshme kur ju keni marrë pjesë?
Juli Çenko: Të them të drejtën në krahasim me festivalet e mëparshme kur unë kam marrë pjesë, këtë vit kishte shumë ndryshime. Ishte një larmishmëri ngjyrash, ishte një bukuri në të gjitha aspektet. Ndërkohë që po të flasësh për organizimet, ne atëhere bënim prova gjashtë muaj rresht. Kemi patur një lodhje të madhe dhe përgatitje atëhere, ndërsa sivjet ndoshta ishin pak më të lehta gjërat. Nuk mund të dal dot në një përfundim në krahasim atëhere me tani.
CMG: Ju jeni me oigjinë nga Gjirokastra, por jetoni prej vitesh në Tiranë. Qytetit tuaj i keni kushtuar dhe një këngë në momentet kur ju ka munguar aq shumë sepse ishit në emigrim.
Juli Çenko: Pikërisht në kohën e emigrimit unë i kushtova një këngë qytetit tim të lindjes me shumë mall dhe nostalgji, duke e titulluar “S’duroj dot moj Gjirokastër”, dhe jam bazuar në shumë vargje, të cilat mi ka dhënë babai im. Dikur ajo quhej kënga e ushtarit sepse para se të shkosh në Gjirokastër ka qenë një repart ushtarak në zonënë e Grihotit. Kjo ishte kënga ime e parë.
Juli Cenko me kostumin popullor gjirokastrit (Foto personale)
CMG: Pra rrugëtimi juaj me muzikën popullore nisi në emigracion?
Juli Çenko: Fillimisht unë kam pasur pasion polifoninë, sepse në shtëpinë tonë është kënduar polifoni, Duke u ngjitur në skenë 10 vjeçe në festivalin folklorik unë këndova polifoni. Në emigracion kur shkonim nëpër gëzimet familjare ne gjithmonë kemi kënduar polifoni. Gjithmonë këngët e mia kanë qenë me bazë polifonike, por të orkestruara si këngë kjo ishte e para “S’duroj dot moj Gjirokastër”.
CMG: Do të preferoje më tepër të interpretoje këngët polifonike, apo ato të muzikuara?
Juli Çenko: E kam pak të vështirë të zgjedh sepse sot në jetën e përditëshme ne kemi këngë të orkestruara, por në shpirt dhe në gjak unë kam këngën polifonike, zëri dhe goja më shkon tek kënga polifonike.
CMG: Gjatë karrierës suaj keni qenë gjithmonë vetvetja dhe nuk keni imituar ndonjë këngëtar tjetër. Pra jeni unike në interpretimin e këngëve popullore.
Juli Çenko: Faleminderit për këtë vlerësim. Siç ju thashë unë jam rritur në një familje tradicionale mes këngëtarësh. Kam patur gjyshin tim që ka kënduar me grupin e pleqëve quhej atëhere të Gjirokastrës, që marrës ka qenë i famshmi Xhevad Avdalli, ku gjyshi im ishte pjesëmarrës. Unë mbi të gjitha kam pasur dhe e kam akoma babain fatmirësisht, që ai ka qenë dhe është akoma një këngëtar jo me grupe, por është një zë brilant dhe unë kam marrë një frymëzim nga ai.
Juli Cenko me kostumin e Lunxherise (Foto personale)
CMG: Pra ju e keni të trashëguar këngën nga familja juaj?
Juli Çenko: Ne e kemi të trashëguar muzikën në familje sepse jemi shumë veta që këndojmë. Unë mbi të gjithë do veçoj babain tim sepse atë mundohen që ta imitojnë të gjithë, edhe pjesëtarë të tjerë të fisit dhe familjes Çenko, por nuk e arrijnë dot.
CMG: Keni realizuar shumë produksione muzikore, duke qenë e suksesshme në tregun muzikor. Cilat kanë qenë përshtypjet e publikut për këto produksione?
Juli Çenko: Unë jam shumë e kënaqur si nga ana e produksionit, por edhe nga ana e publikut sepse janë mirëpritur këngët e mia si në tekste ashtu dhe në orkestrim. Dua të them që në të gjitha këngët, përveç atyre që janë këngë të vjetra polifonike, që i kemi risjellë të përpunuara, në tekstet e reja idetë kanë qenë të miat për tematikat e këngëve, që i kam dhënë poetëve për t’i shtjelluar.
CMG: Keni sjellë mjaft këngë të reja popullore duke e pasuruar folklorin.
Juli Çenko: Patjetër, unë fillimisht kam filluar të realizoj këngë me tekste të reja, dhe më vonë mendova qe të sillja disa këngë të vjetra të cilat janë polifoni por që ishin harruar. Mund të them që kam qenë ndër të parat që unë e kam menduar dhe realizuar, duke sjellë disa kolazhe nga këngët polifonike si “Dasma Gjirokastrite”, të kënduara në kala në festivale folklorike. Unë i risolla të përpunuara me qëllim që ata të këndohen dhe mos të harrohen.
CMG: Keni pasur ndonjë këngëtar idhull të muzikës popullore?
Juli Çenko:Kam pasur idhull këngëtarin Petrit Lulo, i cili ka qenë në këngët popullore qytetare. Ndërsa në këngët polifonike e kam marrë gjithmonë frymëzimin në familjen time.
CMG: Së fundi keni publikuar këngën “S’plaket dashuria” në duet me këngëtarin Aleks Micka. Si erdhi kjo ide dhe ky bashkëpunim?
Juli Çenko: Unë kisha shumë vite më përpara që më kishte ardhur një ide për ti kushtuar një këngë të gjitha moshave, dhe aq më tepër brezit të tretë. Kam biseduar me Armand Trebickën para shumë vitesh, duke i dhënë tematikën e këngës, e shtjelluam dhe atë këngë unë e kisha në bllok në shtëpi. Erdhi koha më në fund që unë ta realizoja, duke i bërë ftesën këngëtarit Aleks Micka i cili erdhi nga Greqia dhe unë e falenderoj shumë si koleg dhe si mik. Kjo këngë doli shumë e bukur dhe e mirëpritur nga të gjitha moshat. Kjo këngë i prek të gjitha moshat, duke filluar që nga çiftet e reja, që dëshira ime do ishte një çift nuse dhe dhëndër në dasmën e tyre ta kërcenin dhe vallëzim këtë këngë, dhe aq më tepër pastaj moshat e treta, gjyshërit dhe gjyshërit që janë bërë me nipër e mbesa. Pra unë i kam mbledhur të gjitha moshat te ky tekst kënge dhe kam dhënë një mesazh për dashurinë.
Juli Cenko duke kenduar (Facebook)
CMG: Sa i rëndësishëm është kostumi popullor për ju si artiste kur interpretoni këngën popullore?
Juli Çenko: Kostumi popullor është shumë i rëndësishëm, dhe unë nuk e kuptoj dot veten time të këndoj pa kostum popullor. Unë fillimisht kak dalë me kostumin tradicional të krahinës së Lunxhërisë, që është një nga kostumet më të bukura të jugut, është një perlë. Në shumicën e këngëve dhe të kolazheve gjirokastrite unë jam përfaqësuar me këtë kostum lunxhiot. Ndërsa herën e fundit në festivalin folklorik në Gjirokastër unë u përfaqësova për herë të parë me kostumin e vajzës të qytetit të Gjirokastrës.
CMG: Ju e keni kostumin popullor personal?
Juli Çenko: Unë i kam të dy kostumet të miat personale.
CMG: Videoklipet e disa prej këngëve tuaja i keni realizuar në kalanë e Gjirokastrës. Cilat janë këto këngë?
Juli Çenko: Gjirokastra shquhet për bukurinë, ku ka një arkitekturë të veçantë dhe është e qendisur me dorë. Unë në xhirime të videoklipeve kam marrë të gjitha pjesët më të bukura të Gjirokastrës, për ti nxjerrë te këngët e mia, dhe pikërisht në kala, ku unë aty fillova të këndoj. Unë kam xhiruar në kala këngën “Vajzë ku je rritur”, në kalldrëmet e Gjirokastrës dhe në rrugët ku unë u rrita.
CMG: Keni një repertor të gjerë këngësh dhe kolazhesh popullore. Cilën do të veçoje si këngën më të dashur për ju dhe publikun?
Juli Çenko: Nuk mund të veçoj dot një këngë se mund të jenë dy-tre këngë. Në fakt të gjitha jam munduar që ti realizoj bukur, por kënga e parë që ishtë këngë malli dhe nostalgjie kushtuar vendlindjes time. Pastaj kam bërë këngën “Çupa për babain lë kokën”, të cilën përsëri ja kam kushtuar babait tim dhe duke përmbledhur të gjitha vajzat shqiptare, për dashurinë që ato kanë për baballarët e tyre. Gjithashtu dhe këngë “Vajzë ku je rritur”, që unë u rrita në atë qytet, dhe patjetër do ti këndoja rrugëve, lagjies time, burimit ku unë kam pirë ujë, pra qytetit tim, duke e përmbledhur me këngën e fundit “Splaket dashuria”.
Juli Cenko me kostumin e Gjirokastres (Foto personale)
CMG: Shkoni shpesh në Gjirokastër?
Juli Çenko: Unë shkoj shumë shpesh se aty kam prindërit, kam vitet e rritjes, që mua edhe rrugët më duken sikur më flasin. Kam mall, ndoshta jo aq shumë kur isha në emigrim sepse jam në Tiranë dhe shkoj më shpesh dhe më shpejt akoma. Malli nuk ikën asnjëherë për vendlindjen.
CMG: Do ta ndërroje Gjirokastrën me ndonjë vend tjetër?
Juli Çenko: Nuk do ta ndërroja me asnjë qytet tjetër në botë. Gjirokastra ka qenë dhe është e bukur, por është bërë akoma më e bukur. Unë sikur t’i këndoj Gjirokastrës çdo vit nuk lodhem si kënduari vendlindjes time.
CMG: Ju e trashëguat pak a shumë muzikën nga familja juaj. Po fëmijët tuaj e kanë trashëguar atë nga ju?
Juli Çenko: Fëmijët e mi e pëlqejnë shumë polifoninë, dhe unë kënaqem kur i shikoj që dëgjojnë këngët polifonike. Ata nuk janë përfshirë për ta kënduar, por që këngën polifonike e pëlqejnë shumë.
CMG: Pse nuk keni dalë nga treva e jugut për të kënduar dhe këngë të trevës së veriut apo Shqipërisë së mesme?
Juli Çenko: Unë edhe në të folur jam e krahinës së jugut, dhe që të këndoj një këngë qoftë të Shqipërisë së mesme apo të veriut mund ti këndoj nëse mi kërkojnë, por nuk dua ti kaloj kufijtë sepse unë nuk mund t’i këndoj si një këngëtar i veriut apo Shqipërisë së mesme. Jam e mendimit që çdo këngëtar të rri tek tradita sepse ne këndojmë siç flasim, dhe unë dua që këngët e mia t’i shqiptoj në jug ashtu siç unë flas. Jam përfaqësuese e qytetit të Gjirokastrës, jam vajzë gjirokastrite dhe duhet të këndoj këngët e jugut.
CMG: Keni studiuar për gjuhë-letërsi por që nuk e keni ushtruar porfesionin e mësueses sepse kënga ju ka plotësuar gjithë jetën. Vazhdon akoma pasioni për këtë letërisnë dhe arsimin?
Juli Çenko: Ishte lënda që më ka pëlqyer më shumë nga të gjitha lëndët në shkollën 8 vjeçare dhe atë të mesme. Kam pasur shumë prirje ku bëja poezi, por që në hartime kam qenë shumë e mirë. Zgjodha degën që doja, por e ushtrova shumë pak sepse ne morëm rrugën e mërgimit si gjithë shqiptarët dhe që andej u kthyem në Shqipëri dhe erdhëm në Tiranë. Unë tani jam në marrëdhënie pune, jo në arsim si mësuese por që jam në kontakt me studentët. Ajo është një ëndërr e jetës time që unë të bëhesha mësuese, por pasioni im me këngën nuk krahasohet.
Juli Cenko ne Kalane e Gjirokastres (Foto personale)
CMG: Keni bërë tekste këngësh vetë?
Juli Çenko: Këngën “S’duroj dot moj Gjirokastër” fjalët më të shumta pothuajse janë të miat dhe aty shpreha mallin. Nuk jam ulur që unë të krijoj vetë tekste, sepse kam gjetur ndoshta rrugën më të lehtë duke marrë tematikën dhe biseduar me poetët. Njëri ndër ta ka qenë poeti i ndjerë Arben Duka, i cili më ka ndihmuar shumë dhe e kujtoj me respekt krijimtarinë e tij. Gjithashtu kam bashkëpunuar me Armand Trebickën, por dua të përmend së fundi edhe një poet që është i ri nga Berati dhe më ka shkruar shumë bukur këngën “Vajzë ku je rritur”, krejt rastësisht pa ja dhënë unë idenë. Ai është Adem Nuhaj të cilin e përshëndes sepse e përshtati këngën mirë. Këta jën tre poetët që unë kam bashkëpunuar, por edhe poeti Nexhip Seraj nga qyteti i Vlorës. Ndërsa për kompozitorë duhet të shquhet Edi Balili sepse është vërtetë vula e kompozimit dhe e produksioneve. Ai është këshillues, mësues dhe është një kompozitor i pakrahasueshëm. Në momentin që shkon në studio tek Edi e ke të garantuar suksesin, mënyra e bashkëpunimit, e këshillimit dhe mënyra sesi duhet të këndojmë. Edi është gjithëçka dhe një udhërrëfyes shumë i mirë.
CMG: Jemi në kulmin e sezonit të dasmave dhe gëzimeve familjare, ku dhe ju patjetër që jeni e angazhuar në këtë periudhë. Si është kalendari juaj këtë sezon?
Juli Çenko: Axhenda jonë si çdo vit në verë është e ngarkuar. Mundohemi duke bërë paralel edhe punën që jemi sepse duhet të jetojmë dhe punojmë me atë që kemi studiuar, por dhe me dasmat, koncertet dhe ditëlindjet dhe kudo ku më ftojnë në gëzime familjare unë jam e pranishme dhe e papërtuar.
CMG: Si arrinë të menaxhoni punë e përditëshme, familjen dhe aktivitetet artistike?
Juli Çenko: Falenderoj Zotin për këtë, që më ka dhënë energji, fuqi dhe shëndet për t’i përballuar që të gjitha. Duhet që t’i përballoj përderisa unë u futa në këtë rrugë, por unë nuk kam lodhje sepse kënga më shlodh.
Juli Cenko duke interpretuar ne Festivalin Folklorik (Foto personale)
CMG: Keni qenë pjesëmarrëse e disa aktiviteteve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Flasim për këtë eksperiencë tuajën?
Juli Çenko: Për mua është një nder dhe privilegj që unë kam qenë e ftuar speciale në disa koncerte të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, dhe mund të them se ka qenë një ëndërr e fëmijërisë time, që i kam dëgjuar me ëndje të gjithë këta kënëtarë të famshëm qe kanë dalë nga ai ansambël. Kam qenë shumë e lumtur në mesin e tyre, duke performuar në disa koncerte në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe disa qytete të Shqipërisë. Së fundi mora pjesë ne festivalin e Gjirokastrës me AKVP në natën përmbyllëse të festivalit. Isha vërtetë shumë e lumtur që u ngjita në skenë me këtë ansambël.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Juli Çenko: Projektet e mia janë të shumta, nuk kanë fund ëndrrat që unë kam dhe idetë që kam në kokë. Blloqet e mia janë plot me tekste qoftë këngë të vjetra dhe të reja, por unë kam një parim, pak dhe saktë. Unë nuk nxitoj që të bëj një këngë, por do bindem për idenë se vlen apo nuk vlen kjo këngë dhe do gjej momentin e duhur kur ta sjellë Zoti që unë ta realizoj një këngë. Gjithashtu dhe popullin nuk dua ta lodh, por dua që të dal me mall dhe që kënga të ngelet në mendjen e publikut dhe të këndohet nga të gjithë.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Juli Çenko: Unë do t’i uroj nga shqiprti dhe zemra të gjithë publikut shqiptar, që më ka mbështetur dhe më ka dhënë një ngrohtësi, mbështetje të madhe, të cilët më kanë dhënë zemër që unë të vazhdoj e të eci përpara duke kënduar për t’i lumturuar ata në gëzimet e tyre familjare, ku unë jam bërë pjesë e familjeve shqiptare. E falenderoj shumë publikun tim të dashur.
Intervistoi: Gazmend Agaj