Leonz Eder: Besoj se Universiada në Chengdu do të kurorëzohet me sukses
2023-07-29 16:31:51

Në kuadrin e Universiadës së 31-të Botërore Verore në Chengdu, gazetarja e CGTN-së Zhou Yun bëri një intervistë me Leonz Eder, i ngarkuari me detyrën e presidentit të FISU-t.

Ndër të tjera, Eder tha se slogani i këtij edicioni të Universiadës Botërore është “Chengdu realizon ëndrrat”, ku përfshihen edhe tema si qyteti i gjelbër, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i qëndrueshëm etj., të cilat nuk merreshin parasysh më shumë se dy dekada më parë. Në të kaluarën, zhvillonim thjesht veprimtari sportive, duke mbledhur atletë të shquar universitarë. Ndërsa sot, Universiada Botërore është bërë një projekt i gjithanshëm, duke përfshirë elemente kulturore, sportive, arsimore dhe të trashëgimisë.

foto nga CGTN

Leonz Eder, i ngarkuari me detyrën e presidentit të FISU-t dha një intervistë për CGTN/ foto nga CGTN

Eder theksoi se jo vetëm organizata e tij, FISU, por edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe federatat ndërkombëtare të sporteve të ndryshme, nuk mund të mbeten vetëm te organizimi i një veprimtarie sportive. Njerëzit do të na pyesin çfarë do t’u sjellim atyre, universitarëve, masave popullore, vendit organizator, madje dhe rajonit? Nga ky këndvështrim, mendoj se Universiada e Chengdusë, me konceptin e planifikimit tërësor, është unike dhe besoj se ajo do të kurorëzohet patjetër me sukses të madh. 

Universiada e 31-të Botërore Verore u hap të premten në qytetin Chengdu të Kinës Jugperëndimore. Kjo është veprimtaria e parë ndërkombëtare sportive komplekse që zhvillohet në këtë krahinë jugperëndimore kineze. Në 12 ditët e ardhshme, 6.500 sportistë universitarë nga 113 vende dhe rajone të botës, duke përshirë 3 sportistë shqiptarë, do të garojnë mes tyre. (Wang Lei/ Laçi)

foto nga CFP

Ceremonia e hapjes e Universiadës së 31-të Botërore Verore në Chengdu/ foto nga CFP