Kohët e fundit fëmijët janë gjithmonë edhe më tepër pranë teknologjisë dhe duket se libri po lihet pas dore, pasi bota virtuale është më e dashur për ta. Nëpër librari shohim një interes shumë të ulët të fëmijëve apo të rinjve që lexojnë libra. Gjithsesi libri mbetet një nga miqtë më besnikë të njeriut, pasi jo vetëm që pasuron me dije, por zhvillon edhe imagjinatën. Që fëmija të ketë interes për librin, së pari është e nevojshme që librat për fëmijë të korrespondojnë me moshën e tyre. Në rastet kur fëmijët sapo kanë filluar të lexojnë, është prindi ai që duhet t’i orientojë drejt librarive, duke i ofruar dhe sugjeruar disa libra që ata të mund të zgjedhin. Në shumicën e rasteve fëmijët tërhiqen më shumë nga kopertina e librit sesa nga përmbajtja e tij. Sido që të jetë zgjedhja e fëmijës, në asnjë rast mos hiqni dorë nga përrallat, e as nga poezitë.
Sa lexojnë fëmijët shqiptarë gjatë sezonit veror? A njeh stinë libri? Cilat zhanre janë më të preferuara për ta? E ftuar në Radio Ejani, për të folur më tepër rreth kësaj teme, Vjollca Fetahu (Zalli), menaxhere dhe prezantuese e librave të bashkëshortit të saj, autorit Shkëlzen Zalli, tregon për lidhjen e fëmijëve me librat, kryesisht gjatë sezonit veror.
Vjollca është gjithmonë pranë fëmijëve, duke përcjellë tek ata dashurinë për librin, permes prezantimit të librave të autorëve të ndryshëm shqiptarë, si dhe në mënyrë të veçantë librat me poezi të bashkëshortit të saj të ndjerë, autor i njohur i mbi 35 librave për fëmijë.
CMG: Pëshëndetje Vjollca! Flasim për fëmijët dhe interesin e tyre për librin gjatë sezonit të verës.
Vjollca Fetahu (Zalli): Përshëndetje të gjithë fëmijëve dhe dëgjuesve të radio Ejani! Unë kam një jetë që merrem me fëmijët dhe është shumë kënaqësi që të merrresh me librat për fëmijë. Gjatë këtyre ditëve të verës, kam patur fatin që të shkoj nëpër Shqipëri dhe në Kosovë, ku dashuria më e madhe për fëmijët janë librat. Mendoj së fëmija ka nevojë për gjithçka për lodrat, argëtimet në mal, në det, në liqen, pra në natyrë, vetëm që të jenë sa më larg celularit.
Nuk është mirë që fëmijët të shohin gjëra jo reale, jo të prekshme. Një kërkesë kam për prindërit, duhet t’i çojnë fëmijët që të shohin fshatin, fëmija nuk i parë kafshët nga afër, lumin, përrenjtë dhe të argëtohen sa më shumë në ajrin e pastër. Gëzohem kur fëmijët argëtohen e kënaqen në natyrë.
CMG: Ti ke qenë prezente në stinën e verës, pranë fëmijëve që pushojnë në bregdet apo pranë liqenit. Si ka qenë këtë vit interesi i lexuesve të vegjël për librin. Për cilat libra janë të interesuar fëmijët t?
Vjollca Fetahu (Zalli): Unë pata fatin që të isha para disa ditësh në Pogradec, në ajrin e pastër pranë liqenit magjepsës,ku valët e tij ishin aq të qeta, sa të vijnë ndër mend poezitë e Lazgush Poradecit, të Mitrush Kutelit, të ikonave të letërsisë për të rritur e fëmijë. Sipas mendimit tim, trendi i fëmijëve këto kohë vazhdojnë të jenë librat me aventura. Fëmija kërkon aventura, kërkon një botë fantazie që të ëndërrojë. Prapë ka filluar libri shqip të kërkohet nëpër panairet e mëdha në Kosovë, në panairin e madh që është mbajtur në pallatin e kongreseve në Tiranë, sidomos dy vitet e fundit.
CMG: Në cilën stinë të vitit ka më shumë shitje të librave për fëmijë ? Cili vend ka pasur rekord shitjesh ndër vite?
Vjollca Fetahu (Zalli): Muaji rekord i shitjeve të librave për fëmijë është nëntori, në panairin e madh të Tiranës. I dyti është Fieri, një nga qytetet ku libri për fëmijë tërhiqet shumë, madje edhe logoja e një panairi është “Fieri e do librin”. Fëmijët janë të etur për lexim dhe kur vijnë në panair, nuk blejnë një, por dy e tre libra përnjëherë. Më vjen keq pasi dikur ka qenë Vlora, një nga qytetet më të mëdha të librit, por arsyeja kryesore e kësaj rënie është se fëmijët kanë emigruar bashkë me prindërit dhe kur vijnë në Shqipëri, ata nuk dinë shqip. Ndërsa në panairin që mbahet në muajin qershor në Prishtinë, vijnë shqiptarët e Kosovës që kthehen për pushime dhe është interesi më i madh, ata kërkojnë librin dhe poezinë shqipe. Fatkeqësisht poezia shqipe e autorëve shqiptarë tërhiqet shumë pak. U bëj thirrje fëmijëve të lexojnë poezinë shqipe që në moshë të vogël, sepse poezia është një art shumë i bukur. “Ju që në moshë të vogël filloni të krijoni, dhe që të shkruash një poezi duhet të njohësh natyrën, duhet të njohësh yjet, të studiosh çdo gjë që na ka falur natyra dhe çdo krijesë natyrore, shtazore që na rrethon, nuk ka gjë më të bukur. Duhet që ju fëmijë të imagjinoni gjëra reale që i keni prekur nga afër, e jo kafshë që nuk i keni parë nga afër”.
Intervistoi: Sava Lena