Gjergj Kola, emigroi në Greqi në vitet 90-të pa e ditur se ditë pas dite do të mund të bashkëjetonte me pasionin e tij, pikturën. Fati i buzëqeshi dhe ai nisi punët e para në Greqi e Itali, deri sa talenti i tij spikati dhe u vlerësua së tepërmi në mbarë botën. Sot jeton me familjen në Trentin, Riva del Garda, Itali, ndërsa puna dhe emri i tij ekspozohet në muzeumet më të famshëm të botës. Muzeu i Louvrit në Paris mban të ekspozuara pikturat e tij. Numëron mbi 160 ekspozita vetjake e kolektive; arti i tij kanë zënë vend në Galerinë Skryptir në Londër në Cassa Batlo në Barcelonë, në Universitetin e Bristol USA, në Art Museum Ny USA në Çikago, Toronto, Moskë janë ekspozuar një pjesë e konsiderushme e punës së Gjergj Kolës. Në intervistë për Radio Ejani Gjergj Kola na rrëfen më shumë për veten, familjen dhe pasionin e tij, pikturën.
CMG: Ju keni një eksperiencë të gjatë në pikturë, a mund të na tregoni se cila ka qenë piktura juaj e parë?
Gjergj Kola: Punët që lindin nga ‘shpirti’ janë më të rëndësishmet në pikëpamjen emocionale, artistike, ndërsa porositë e njerëzve janë diçka tjetër dhe nuk korrespondojnë, janë dy gjëra të ndryshme. Fillimisht në Greqi kam vizatuar bujq në parcelat e duhanit, pijedashës në kafeteri të ndryshme, deri kur mu dha mundësia të vizatoj personazhe të rëndësishme të jetës kulturore, akademike dhe politike në Greqi duke krijuar një bagazh dhe eksperience të rëndësishme të zgjeruar. Puna ime zuri vend shpejt në Greqi në muzeume, galeri artesh, e koleksionistë të thjeshtë, por edhe të njohur duke më dhënë mundësinë e frymëmarrjes artistike dhe promovimin në nivele ndërkombëtare, fillimisht në vende europiane e në vazhdim edhe më larg.
CMG: A mund të na tregoni se çfarë ju motivon në artin tuaj, cila është gjëja që ju nxjerr në pikat tuaja më të forta?
Gjergj Kola: Më motivon gjithçka që ka të bëjë me njeriun dhe me aftësinë e këtij të fundit për të treguar fuqinë. Njerëzit përbëjnë subjektin në tërësi të studimeve, hulumtimeve dhe interpretimeve të mia artistike.
CMG: Shumë nga pikturat tuaja janë ekspozuar në disa nga muzetë dhe galeritë më të njohura në botë. Na rendisni disa prej tyre dhe ndjesitë që keni përjetuar nga ky vlerësim?
Gjergj Kola: Ajo që është më e rëndësishme në pikëpamjen artistike besoj se është fakti që arrita të mbijetoi artistikisht, si të thuash të tregoj dhe të them fjalën time, besoj se bëra të mundur të merret parasysh piktura ime edhe në sallone të rëndësishme ku shihet dhe ekspozohet arti botëror. Pastaj që unë ndihem i lumtur kjo patjetër që nuk diskutohet është një ndjesi që e përjeton çdo njëri kur fiton dhe në fund ja ka dalë përballë një bote, e cila në fillim pa të drejtë ka qenë skeptike.
CMG: Është e vështirë të jesh një piktor…?
Gjergj Kola: Piktura është art dhe në thelb çdo art është i vështirë. Ka raste që shprehja emocionale mund të jetë aq e fortë saqë për pak minuta mund të realizohen gjëra të bukura dhe të vështira teknikisht, aq sa mund të mundohesh për shumë kohë dhe mund të mos kesh rezultat.
Pra, nuk ka një menu apo një mënyrë e cila të jetë universal. Unë përpiqem të mos e shoh punën time si një profesion të vështirë, por si diçka të bukur tek e cila gjej veten, por zbuloj edhe dimensione të tjera. Çdo njeri mendoj që duhet të jetë me fat që arrin të bëjë punën që do, pasi vetëm në këtë formë përditshmëria jote nuk të mërzit.
CMG: A arrin të numërosh sa ekspozita ke hapur deri më sot?
Gjergj Kola: Kemi të regjistruara 160 ekspozita personale dhe kolektive, por sigurisht që janë më shumë se kaq, pasi disa fondacione arti si në në Itali, Greqi, Francë, Norvegji, U.S.A disponojnë koleksione me punimet e mia dhe i ekspozojnë duke mos na informuar rregullisht. Puna nuk ka të ndalur dhe unë çdo vit dhe më tepër gjej motivimin për të bërë edhe më shumë punë, ndaj e planfikoj që do të vijoj të kem edhe më shumë ekspozita të hapura për të cilat meritat i ka abolutisht talenti.
CMG: Si ka ndikuar mbështetja e familjes suaj në gjithë rrugëtimin që keni pasur
Gjergj Kola: Familja është gjithçka për mua, udhëzuesi im në jetë vijon të mbetet përgjithnjë familja ime.
Bashkëshortja, Vjollca është diplomuar për histori-gjeografi, por pati mundësinë në Itali të bëjë studime plotësuese për artet kontemporane, kështu që e mbështet fuqishëm aktivitetin tim artistik, sidomos përfaqësimet në evente arti në hapësirën ndërkombëtare.
Njeriu në jetë duhet të jetë udhëtar dhe shoqërues në këtë rrugëtim duhet të jenë njerëz të besuar, të cilët të njohin dhe të duan. Unë nuk mendoj se do të isha këtu ku jam pa ndihmën e familjes sime, e cila më ka ngritur në piedestal sa herë e kam merituar por edhe më ka këshilluar aty ku duhet. Unë ju besoj fuqishëm atyre sikundër ata mua.
CMG: A keni një mesazh për të gjithë artistët e rinj që sapo e kanë nisur karrierën dhe duan të gjejnë guximin për ta vazhduar dhe për të investuar tek ajo me çdo kusht?
Gjergj Kola: Po patjetër, marr shkas nga jeta ime për ta dhënë këtë mesazh. Nga një emigrant, i cili zbulon talentin në një vend të huaj dhe sot një piktor i njohur, besoj se ky mesazh duhet të merret parasysh. Kurrë mos u dorëzoni, jeta ka ulje dhe ngritje tek të cilat ju thjesht duhet të besoni se në çdo kohë vjen diçka më e mirë. Nëse një i ri ka talentin, çdo gjë mund të zgjidhet dhe një ditë do të arrijë atje ku ai ose ajo dëshiron, por për këtë i duhet fuqia e besimit.
Intervistoi: Megi Latifi