Italia organizon samitin me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë për Korridorin 8
2023-07-28 15:44:01

Në Brindisi të Italisë u zhvillua samiti me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, me temë qendrore Korridorin VIII, i kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Në të ishin të pranishëm edhe ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ministri i Jashtëm maqedonas, Bujar Osmani, dhe kryediplomatja bullgare, Maria Gabriel.

Samiti kishte si objektiv kryesor rivitalizimin e Korridorit VIII, një infrastrukturë multimodale e përfshirë në rrjetin strategjik evropian të transportit (TEN-T), që do të lidhë detin Adriatik me Detin e Zi, përcjell “ATSH”.

“Me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut ne duam të promovojmë bashkëpunim dhe integrim më intensiv përmes Korridorit VIII. Ky takim do të shërbejë gjithashtu për të nisur një platformë për dialog dhe bashkëpunim politik, i cili, duke asociuar dy shtete anëtare të BE-së dhe dy vende kandidate, përbën një shembull për bashkëpunimin rajonal në Ballkan”, deklaroi kryediplomati italian në konferencën e përbashkët për shtyp.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Italinë, në të cilin qeveria ka investuar, duke u bërë një lojtare lidere. (Irma)