Sezoni turistik veror 2023: Risitë dhe sfidat
2023-07-28 11:39:23

Turistë në Shqipëri (Foto InLajmi)

Turistë në Shqipëri (Foto InLajmi)

Sipas INSTAT, gjatë gjashtëmujorit të parë janar-qershor 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është rreth 3.4 milionë individë, ose 33 përqind më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Është e qartë tashmë se Shqipëria këtë vit do të presë më shumë turistë të huaj, se sa viti rekord 2022. Operatorët turistikë shprehen se deri tani, prenotimet tregojnë për një rritje  me gati 35% të të huajve që kanë zgjedhur vendin tonë për pushimet e verës. Sipas tyre, pritshmëritë për  këtë vit janë shumë të larta.

Shqipëria është shndërruar, edhe në sajë të artikujve të mediave prestigjoze ndërkombëtare që përshkruajnë tërheqjet e saj, në një destinacion të njohur turistik. Shqetësimet e operatorëve turistikë shqiptarë qëndrojnë tek pasiguria se sa do të jetë në gjendje vendi ynë të mirëpresë këtë masë shumë më të madhe vizitorësh të huaj dhe të tregojë standarde të mikpritjes dhe shërbimit. Nëse pronarët dhe punonjësit e hoteleve, moteleve, restoranteve, administruesit e dhomave me qera e arrijnë këtë, atëhere shumica e vizitorëve të huaj do të largohet e kënaqur nga eksperienca në Shqipëri dhe do të jetë marketingu më i mirë për sezonet e ardhshme turistike. Kliton Gerxhani, Kryetar i Shoqatës së Tur Operatorëve të Shqipërisë komenton sezonin turistik veror në Shqipëri në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës analizon sezonin turistik veror në Shqipëri.

Kliton Gërxhani (Foto Ora News)

Kliton Gërxhani (Foto Ora News)

CMG: Sipas INSTAT, Shqipëria është vizituar në gjysmën e parë të këtij viti nga rreth  3. 4 milionë vizitorë të huaj.  Një rritje impresive, në krahasim me gjashtëmujorin janar-qershor 2022. Cilat janë arësyet?

Kliton Gërxhani: Ka shumë faktorë. Mendoj se një nga shkaqet kryesore është pandemia e Covid-19. Ne nuk e kemi marrë shumë seriozisht efektin që  pandemia pati në ekonomi. Edhe në turizëm. Realisht pandemia ndryshoi shumë gjëra. Ndodhi etja e njerëzve për të udhëtuar, pas një bllokimi prej dy vitesh rrjesht. Ndodhi grumbullimi i fondeve monetare. Këto të ardhura nuk u shpenzuan për pushime në dy vjet. Brezi i dytë dhe i tretë që bëjnë pushime rregullisht pati kështu një buxhet rezervë.

Pastaj ndodhi rritja e çmimeve në rang botëror, pas luftës në Ukrainë, sidomos me rritjen e çmimit të naftës, por edhe të energjisë elektrike dhe të ushqimeve. Të gjitha këto sollën një rritje totale të çmimit të paketës turistike të destinacioneve kryesore turistike në Mesdhe.

Ne krahasimin duhet ta bëjmë me Mesdheun, kryesisht me Greqinë, Kroacinë dhe Italinë. Këto janë vendet që thithin vizitorë më shumë nga tregu, në raport me çka jemi ne rreth e rrotull. Kështu që njerëzit, individët, por edhe kompanitë, po shikonin për alternativa më ekonomike, por edhe pranë Mesdheut.

Ndërkohë, paralelisht me këto, nuk duhet mohuar edhe një lloj promocioni që është bërë ndër vite në Shqipëri. Qeveria jonë ka pasur një shtysë drejt promovimit të vendit. Po ashtu, ka qenë edhe stabiliteti ekonomik.

Pra, janë shumë faktorë që u ndërthurën së bashku, duke shtuar edhe reklamën e bërë nga mediat ndërkombëtare. Sepse duhet thënë, kjo duhet kombinuar edhe me mediat sociale. Të gjitha këto, së bashku me faktorët e rritjes së çmimit të paketës turistike në vendet tradicionale turistike të Mesdheut, janë shkaqet pse njerëzit po shikojnë alternativa ekonomike në Mesdhe. Pra, të bënin pushime në Mesdhe, por me alternativa më të mira ekonomike.

Prandaj dhe numrat e vizitorëve të huaj tek ne janë në rritje.

CMG: Shifrat e vizitorëve për korrik-gusht 2023 duken se do të jenë rekord, të parregjistruara më parë për këto muaj. Koniukturë e favorshme, apo arritje e strukturave tona hoteliere dhe tur-operatorëve, si dhe ndihma e dhënë nga përfundimi i disa projekteve të qeverisë, sidomos në infrastrukturën rrugore të Jugut të vendit?

Kliton Gërxhani: Unë mendoj se një nga ato gjëra që duhet veçuar nga projektet qeveritare që ju thoni është nxitja e hoteleve zinxhir, që i quajmë me gjuhën teknike “hotel chains”. Pra e hoteleve me pesë yje. Për këto hotele u bë dhe një ligj i veçantë, duke i lehtësuar ato në maksimum nga taksat, si tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi vlerën e shtuar(TVSH).   

Kjo solli rritjen e pranisë së emrave ndërkombëtarë të hotelerisë. Nga një emër që kishim një herë e një kohë, Sheratonin, tani janë disa emra të njohur zinxhirësh hotelesh në Tiranë. Ata po shtohen edhe në bregdet dhe presim disa të tjerë të vijnë.

Këto hotele ndërkombëtare, këta emra të njohur, brande, sjellin me vete një marketing të fuqishëm, që vetë shteti ynë nuk do ta bënte dot kurrë. Ato kanë një rrjet të tyre të klientelës, kanë një promocion profesional dhe të fuqishëm. Dhe në momentin që ne jemi në hartën e tyre, kjo ndihmon shumë në marketingun e destinacionit.

Për më tepër, ndihmon në tërheqjen e tregut cilësor në turizëm, për të cilin ne kemi më shumë nevojë, në raport me numrin e madh të vizitorëve. Unë nuk jam shumë partizan i këtyre shifrave, se sa jam tek cilësia e tyre.

Këtë do ta veçoja, në raport me investimet shtetërorë që janë bërë. Pastaj, kudo ku investohet për rrugët, për përmirësimin e atyre ekzistuese dhe akseve të reja, të cilat nuk mbarojnë. Ne kemi nevojë shumë për akse të reja, për hapjen e segmenteve rrugore në akset kryesore.

Shpesh herë e kam theksuar edhe çuarjen dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonat e thella rurale të Shqipërisë. Ne nuk kemi, për shembull, lidhje të aksit Lindje-Perëndim. Pra, ne nuk kemi lidhje të Korçës me Beratin, dhe, më tutje, me Vlorën. Për një vit do të kemi një aeroport të rëndësishëm në Vlorë. Ky është një hap që unë e kam përshëndetur dhe ne si shoqatë e përshëndesim.

Nuk do të isha për shumë aeroporte në Shqipëri, sepse Shqipëria është shumë e vogël. Por një i tillë në Vlorë duhet se s’bën. Dhe, për fat të mirë, është në rrugë të mbarë.

Nëse do të pretendojmë të kemi një aeroport, ndoshta edhe më konkurrues se sa aeroporti i Tiranës, ky duhet të lidhet se s’bën me polin e Lindjes, që është zona e Korçës, e cila, nga ana tjetër, lidhet me Greqinë, pra me Janinën.

Kjo nuk mund të bëhet pa një infrastrukturë rrugore, që të lidhë Korçën me Beratin dhe këtë infrastrukturë nuk e kemi sot për sot. Nuk është menduar. Apo një lidhje vertikale nga Veriu, duke u futur në Qendër dhe Jug të Shqipërisë, siç ka qenë një herë e një kohë një projekt i caktuar Elbasan-Berat-Skrapar-Përmet-Gjirokastër dhe që të çon në Sarandë, për të kaluar më shpejt.

Pastaj janë zonat e fshatrave. Ne duhet të çojmë infrastrukturën në fshatra, për të mbajtur, mbi të gjitha, njerëzit atje. Kjo, sepse, dëmi më i madh që ne po na bëhet është largimi i njerëzve nga zonat e thella. Ne nuk mund ta bëjmë turizmin vetëm në plazh në disa muaj të caktuar dhe vetëm në Tiranë. Pjesa tjetër që ngelet, po të heqësh plazhet dhe Tiranën, ka nevojë shumë të mbështetet.

CMG: Tendenca e vizitorëve të huaj në gjashtemujorin janar-qershor 2023 shënonte një interes të lartë të vizitorëve nga Azia, sidomos nga Kina dhe nga vendet e Gjirit Persik. Cilat janë arsyet e rritjes së numrit të turistëve aziatikë në vendin tonë?

 

Ksamil-i-Albania(Kaba Travel)

Ksamil-i-Albania(Kaba Travel)


Kliton Gërxhani: Arsyeja kryesore është lidhja e destinacioneve aziatike me linja direkte, nga ana e kompanisë së fluturimeve me kosto të ulet Wizz Air. Kjo është kryesorja në treg, që ka shtuar në aeroportin e Rinasit këto destinacione të reja. Kur ke lidhje direkte, patjetër të shtohet numri e vizitorëve.

CMG: Në gjykimin, tuaj, a kemi mangësi në fuqinë punëtore të industrisë për këtë sezon veror? Nëse po, si po e përballojmë?

Kliton Gërxhani: Po. Kjo është thembra e Akilit, është pika jonë më delikate, për të cilën nuk kemi zgjidhje sot për sot. Gjatë Pandemisë dhe pas Covidit, ne humbëm pjesë të fuqisë sonë punëtore te kualifikuar. Shumë punonjës ishin trajnuar ndër vite nga bizneset tona. Këta njerëz u larguan. Ne e kemi të pamundur t’i rikthejmë. Është shumë vështirë t’i rikthesh, sepse ata diku janë sistemuar. Ose janë larguar fare nga vendi, ose janë sistemuar në sektorë të tjerë.

Kështu kjo ngelet një nga sfidat tona kryesore, sepse turizmi nuk bëhet dot pa njerëz. Aq më tepër, turizmi cilësor nuk bëhet pa njerëz të kualifikuar. Nuk kemi akoma një zgjidhje. Kemi thënë disa ide: hapja e universiteteve funksionale në Tiranë, kryesisht, mbështetje me incentiva. Kohët e fundit po dëgjojmë disa hapa edhe nga qeveria, por janë të pjesshme. Kemi nismën e futjes së turizmit ndër sektorët prioritarë, të cilët do të nxiteshin përmes një pagese për studentët që do të zgjidhnin këtë degë. Është një hap i mirë, një këmbanë që më në fund u dëgjua. Nuk është e vetmja. Duhet të shkojmë në këtë rrugë, por duhet t’i shkojmë deri në fund.

Ndoshta duhet të kemi fushata nxitëse,  biznesi së bashku me Shtetin, për të ndërgjegjësuar të rinjtë. Ne duhet të japim edhe kontributin tonë, në rast se kërkohet. Duhet të kemi një plan të qartë, për të ndërgjegjësuar të rinjtë që ky sektor mund dhe duhet të jetë e ardhmja e tyre. Pra, mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre familjare në këtë sektor, pasi është sektori prioritar, në dijeninë time, i ekonomisë shqiptare.

Nëse të gjitha këto i ndërthurim, ndoshta do të frenojmë këtë largimin e madh të të rinjve, që janë edhe pjesa kryesore e krahut të punës të këtij sektori. Të mbajmë sa mund të mbajmë, pse kemi një rritje të numrit të turistëve dhe nevoja më të mëdha pritëse, sipas këtyre numrave. Ndërkohë që kemi edhe një largim të krahut të punës dhe të rinjve të edukuar. Kjo ka një konflikt që nuk mund të zgjidhet. Ose do të ulim numrin e turistëve, ose do të shtojmë numrin e punonjësve që u shërbejnë atyre.

      

Saranda (Foto World Bank)

Saranda (Foto World Bank)

CMG: Në nivel të cilësisë që ju e përmendët që është sfida jonë kryesore, sepse duam që turisti të vijë sërisht, ose të thotë fjalë të mira për shërbimin e marrë, a ju duket me vend nisma e Ministrisë së Arsimit për të dhënë bursa ose edhe pagë, për studentët që zgjedhin degën e Hotelerisë?

Kliton Gërxhani: Pikërisht. Është një nismë që duhet mbështetur dhe duhet përgëzuar. Ne e kemi thënë vetë këtë gjë përpara. Por nuk besoj që do të mjaftojë. Ndërmjet të tjerave, turizmi nuk ishte i vetmi sektor. Janë edhe sektorë të tjerë që nxiteshin. Patjetër kemi nevojë dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë që t’i mbajmë të rinjtë të shkojnë dhe të shkollohen edhe në ato degë.

Gjykoj se duhet një fushatë ndërgjegjësimi, duhen shkolla më cilësore. Duhet një integrim i trajnimeve dhe i shkollimit, ndërthurur edhe me shkolla të tjera të huaja. Duhet të synojmë që të rinjtë të marrin një rritje profesionale më të mirë, nga ajo që vetëm ne mund të ofrojmë.

Kjo pastaj duhet të ndërthuret edhe me rritjen e pagës së tyre në sektorin privat, nëse këta të rinj vijnë me një kualifikim më të mirë. Pra, duhet mbyllur cikli i nisur vetëm nga shkollimi. U duhet thënë të rinjve që vërtet në shkollim do të paguhesh. Nuk është e vogël kjo gjë. Është shumë. Nuk ka ndodhur tek ne deri sot, të paguajmë studentët për t’u shkolluar. Më parë ka qenë e kundërta, studentët duhet të paguanin. Por, nga ana tjetër, duhet premtuar kjo paketë, duke u thënë studentëve: shiko, po të arrish në një pozicion të caktuar menaxherial në një kompani turistike, paga mund të shkojë nga ky limit i ulët në këtë limit të lartë. Studentët duhet ta dinë sa mund të jetë kjo pagë.

Dhe në këtë paketë totale, bëhet më e lehtë joshja e të rinjve për të zgjedhur të ardhmen e tyre. Ndërsa po të thuash vetëm shkollimi, ndoshta kjo nuk do të mjaftonte. Duhet një ndërthurje, një bashkëveprim i sektorit publik me atë privat.  

CMG: Në gjykimin tuaj, cila është sfida e sotme dhe e ardhshme e afërt e turizmit shqiptar: rritja e standardeve të shërbimit apo promovimi më i mirë në të gjithë rruzullin, mbështetur nga politika dhe fonde shtetërore? Apo të dyja bashkë?

Kliton Gërxhani: Unë jam pro i zgjedhjes ndërmjet dy drejtimeve, dhe jo të dyja bashkë. Unë shikoj një rritje të turizmit, që e mendoj se do të vazhdojë në vitet e ardhme. Por reklamimi i tepërt, i llojit “Hajde shkojmë në Shqipëri, në Maldivet e Europës!”, ndërkohë që në “Maldivet e Evropës” birra pihet me një paund britanik dhe hahet një menu me pesë paund, kjo është shumë e dëmshme për imazhin e turizmit tonë. Kjo po sjell njerëz që e shikojnë një alternativë të Maldiveve me një buxhet qesharak. Kjo nuk na bën mirë, sepse, siç përmenda, ne kemi limite shumë të vogla. Maldivet e Evropës që përmenden është ai Ksamili ynë, që është i tejmbushur tashmë, për të mos folur kur bëhet një reklamë e tepërt për këtë gjë.

Unë do të thosha që me reklamat ne duhet të jemi të kujdesshëm, madje të frenojmë. Ne duhet të rikthehemi tek strategjia dhe vizioni i turizmit të Shqipërisë, ku duhet të synojmë patjetër cilësinë. Ne nuk duhet të kënaqemi nga numrat e rritur në kufi, por duhet të themi se cili do të jetë kapaciteti maksimal pritës i Shqipërisë dhe të kalojmë në rritjen e pagesës për një natëqëndrim të turistit në Shqipëri, sepse këtë e kemi patur pagesën më të ulët në rajon. Çdo turist paguante më pak se në çdo vend tjetër të rajonit. Kjo është sfida jonë dhe ne duhet të kalojmë nga fundi i kësaj liste, në krye të saj.

Kjo bëhet duke rritur standardet, duke kthyer të rinjtë shqiptarë në punësim në sektor. Turizmi shqiptar nuk mund të bëhet nga të huajtë. Vizitorët e huaj duhet të mikpriten nga shqiptarët, jo nga të huajtë. Ndryshe turizmi ynë do ta humbë autenticitetin e tij. Të paktën në pjesën e përballjes me klientët. Të huajtë mund të punojnë në pjesët më pak të dukshme ose të padukshme të sektorit.

Ksamili (Foto Revista Bordo)

Ksamili (Foto Revista Bordo)

Në momentin që garantojmë këtë, ne rrisim standardet e tur operatorëve, e restoranteve, e guidave që janë çoroditur këtë vit, si dhe klasifikimin e hoteleve dhe strukturave të tjera akomoduese, duke u vendosur yjet atyre. Pra jo vetëm të kemi hotele “chain” me pesë yje dhe gjithshka tjetër është në një thes. Kjo do të rriste shumë cilësinë. Do të na dallonte në treg dhe do të shkonim drejt asaj çka Kroacia ka bërë dhe po e bën edhe Mali i Zi. Pra, që përzgjedh në tregjet e veta. Kjo do të na sillte më shumë të ardhura dhe do të na mbante punonjësit, të cilët ankohen se nuk paguhen sa duhet dhe prandaj po ikin. Kjo është ajo çka ne duhet të bëjmë.        

 

Intervistoi Fatos Çoçoli