Trenat e mallrave Kinë-Evropë lehtësojnë eksportet e automjeteve me energji të re
2023-07-28 12:02:35

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pas sinjalizimit, një tren mallrash i ngarkuar me më shumë se 260 automjete me energji të re (NEV) u tërhoq ngadalë nga porti Horgos në Kinën Veriperëndimore dhe u përgatit për t'u nisur për në Uzbekistan.

Në gjysmën e parë të këtij viti, gjithsej 18,000 automjete me energji të re u eksportuan përmes portit Horgos në Rajonin Autonom të Xinjiang Uygur, kryesisht nëpërmjet trenave të mallrave Kinë-Evropë, duke shënuar një rritje me 3.9 herë krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave nga dogana e Horgos.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

"Treni i mallrave Kinë-Evropë na ka ofruar një rrugë të re për eksportimin e automobilave",- tha Li Ruikang, menaxher i “Sino-Worlink Special Cargo Railway Logistics Co., Ltd.”

Li shtoi se 25 për qind e automjeteve të eksportuara nga kompania e tij janë dërguar përmes transportit hekurudhor, ku procesi efikas i zhdoganimit është një faktor vendimtar në vendimin e tyre për të përdorur trenin e mallrave Kinë-Evropë.

 

Bazuar në llojin e automjetit, peshën, dimensionet dhe detaje të tjera, dogana e Horgos ka formuluar masat përkatëse lehtësuese për zhdoganimin, duke ulur ndjeshëm kohën e zhdoganimit dhe duke ulur në këtë mënyrë edhe kostot për prodhuesit e makinave.

 

Aktualisht, shumica e automobilave të transportuara përmes portit Horgos, një nga portet më të afërta të Kinës me Azinë Qendrore dhe Evropën me transport tokësor, vijnë nga rajone të nivelit provincial, si Chongqing, Sichuan dhe Guangdong. Këto automjete janë të destinuara për vendet përgjatë nismës “Një brez, një rrugë”, duke përfshirë Kazakistanin dhe Uzbekistanin.

Shërbimi i trenave të mallrave Kinë-Evropë, që filloi funksionimin në vitin 2011, ka ofruar një kanal të sigurt dhe të besueshëm midis Azisë dhe Evropës, duke transportuar një sërë mallrash, nga produktet e teknologjisë së informacionit dhe automobilat deri te verërat dhe kokrrat e kafesë.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një numër në rritje i eksportuesve të automjeteve me energji të re po i drejtohen shërbimit të trenave të mallrave Kinë-Evropë për shkak të mjedisit të qëndrueshëm dhe të qetë të transportit, rrugëve dhe ndalesave të shumta, tha Lyu Wangsheng, një zyrtar nga dogana e Horgos.

 

Në janar, një tren mallrash me 50 automjete me energji të re u nis nga metropoli i Kinës Jugore, Guangzhou, për në Evropë. Ai ishte treni i parë i mallrave Kinë-Evropë që u nis nga provinca Guangdong, që është ekskluzivisht për automjetet me energji të re të prodhimit kinez.

Dogana e Guangzhou ka hapur një kanal të gjelbër për eksportet e automjeteve me energji të re, për të siguruar logjistikë të qetë dhe zinxhirë furnizimi.

 

Ndërsa presioni global për të reduktuar emetimet e karbonit dhe krizat e energjisë po intensifikohen, shumë vende po përqafojnë politika që mbështesin përdorimin e automjeteve me energji të re.  Duke shfrytëzuar avantazhet e zinxhirit industrial, eksporti i Kinës i automjeteve me energji të re ka dëshmuar një rritje të konsiderueshme.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, Kina eksportoi 534,000 automjete me energji të re, duke u zgjeruar 160 për qind nga një vit më parë, treguan të dhënat nga Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automobilave.