NATO-ja rrit mbikëqyrjen në Detin e Zi
2023-07-28 15:48:59

Foto nga CFP

Foto nga CFP

NATO njoftoi se ka marrë vendim që të rrisë mbikëqyrjen në rajonin e Detit të Zi, në përgjigje të tërheqjes së Rusisë nga një marrëveshje që siguronte tranzitin e sigurt të anijeve që transportonin grurë ukrainas.

Njoftimi pasoi një takim të Këshillit NATO-Ukrainë, i cili u krijua kohët e fundit për të lehtësuar koordinimin midis aleancës ushtarake perëndimore dhe Ukrainës, shkruan “Panorama”.

“Aleatët dhe Ukraina dënuan me forcë vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga marrëveshja e grurit dhe përpjekjet e saj të qëllimshme për të ndaluar eksportet bujqësore të Ukrainës nga të cilat varen qindra milionë njerëz në mbarë botën. NATO dhe aleatët po rrisin mbikëqyrjen në rajonin e Detit të Zi, duke përfshirë avionët e patrullimit detar dhe dronët”, thuhet në një deklaratë të aleancës.

Marrëveshja që lehtësoi eksportin e sigurt të grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi skadoi më 17 korrik, pasi Rusia vendosi të tërhiqej prej saj.

Organizata e Kombeve të Bashkuara shprehu shqetësim, duke e cilësuar një lëvizje me një ndikim negativ te të varfrit në mbarë botën.

Rusia bëri të ditur se mund ta rishqyrtojë marrëveshjen nëse përmbushen kërkesat e saj për përmirësimin e eksporteve të grurit dhe plehrave ruse.

Deklarata e NATO-s kritikoi një paralajmërim rus se pjesë të ujërave ndërkombëtare të Detit të Zi ishin përkohësisht të pasigurta për lundrim.

Si pjesë e atij paralajmërimi, Rusia njoftoi gjithashtu se çdo anije që udhëton në portet e Detit të Zi të Ukrainës do të konsiderohej si transportues i ngarkesave ushtarake për Ukrainën.

“Aleatët vunë në dukje se zona e re e paralajmërimit të Rusisë në Detin e Zi, brenda zonës ekskluzive ekonomike të Bullgarisë, ka krijuar rreziqe të reja për keqllogaritje të gabuara dhe përshkallëzime, si dhe pengesa serioze për lirinë e lundrimit”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

Bullgaria është anëtare e NATO-s. (Irma)