
Foto nga CFP
Zjarret e pakontrolluar që kanë përfshirë Greqinë kanë marrë dhe jetë njerëzish. Një grua u gjet e vdekur në një rimorkio pranë Volos, ku një zjarr i madh shpërtheu të mërkurën, njoftoi transmetuesi kombëtar grek “ERT”, citon “Xinhua”. Burri i saj u plagos rëndë.
Disa kilometra më tutje është gjetur i pajetë një bari 45-vjeçar, në përpjekje së bashku me të vallanë për të shpëtuar bagëtitë.
Trupi i një burri u gjet pranë një resorti bregdetar në ishullin Evia.
Megjithëse identifikimi zyrtar është ende në pritje, të afërmit e një bariu 41-vjeçar, i cili rezultonte i zhdukur që nga e diela, besojnë se një tjetër trup i pajetë që është gjetur është i tij, njoftoi agjencia kombëtare greke e lajmeve “AMNA”.
Një avion i angazhuar për shuarjen e flakëve u rrëzua të martën, duke rezultuar në vdekjen e dy pilotëve.
Gjithsej 594 zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Greqinë në 10 ditët e fundit, duke përfshirë 61 të mërkurën. Zjarri pranë Volos është ndër më sfiduesit, tha ministri për Krizat Klimaterike dhe Mbrojtjen Civile, Vasilis Kikilias. Vendbanimet janë evakuuar pasi temperaturat mbi 40 gradë Celsius dhe erërat e forta kanë krijuar fronte që shtrihen disa kilometra, shtoi ai.
“AMNA” raportoi se zjarrfikësit po luftojnë me flakët pranë zonës industriale të Volos, ku janë evakuuar edhe fabrikat, si dhe pranë vendbanimeve me vlerë të lartë arkeologjike. Ata po luftojnë gjithashtu frontet e zjarrit të rindezur në ishujt e Korfuzit dhe Rodosit, njoftoi Shërbimi Zjarrfikës.
Në Rodos u shpall të mërkurën gjendja e jashtëzakonshme. Megjithatë, gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton që Rodosi nuk është i sigurt për vizitorët, por lidhet me procesin e kompensimit për dëmet e shkaktuara nga zjarret.
Presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, zhvilloi një sërë bisedash telefonike me homologët e saj nga Italia, Portugalia, Malta dhe Bullgaria. Ajo ka sugjeruar një iniciativë të përbashkët midis vendeve të Evropës Jugore, për t'u marrë me krizën klimaterike, njoftoi zyra e saj. (Irma)
