BE dënon përdhosjen e kuranit në Suedi dhe Danimarkë
2023-07-28 12:02:52

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Bashkimi Evropian ka dënuar përdhosjen e kuranit në Suedi dhe Danimarkë.

Shefi për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell, deklaroi se BE-ja rithekson refuzimin e saj të fuqishëm dhe të vendosur të çdo forme të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës fetare. Ai theksoi rëndësinë e respektimit të diversitetit dhe komuniteteve të tjera fetare, shkruan “ATSH”.

“Përdhosja e kuranit ose e çdo libri tjetër që konsiderohet i shenjtë është ofendues, mosrespektues dhe një provokim i qartë. Shprehjet e racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës nuk kanë vend në BE”, tha Borrell.

Kryediplomati evropian bëri thirrje gjithashtu për mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë.

“Këto akte të kryera nga provokatorë individualë u sjellin dobi vetëm atyre që duan të na përçajnë neve dhe shoqëritë tona”, shtoi ai.

Në muajt e fundit janë parë akte të përsëritura të djegies apo përdhosjes së kuranit nga figura apo grupe islamofobe, veçanërisht në vendet e Evropës Veriore dhe ato nordike, duke shkaktuar zemërim të vendeve myslimane dhe të mbarë botës.  (Irma)