Shfaqja “Gjirafat s'vallëzojnë dot” nis turin nga Saranda
2023-07-27 10:34:12

Shfaqja “Gjirafat s'vallëzojnë dot” bazuar në librin për fëmijë me të njëjtin titull, me autor Giles Andrea, pas shfaqjeve në  Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahigovli” do të vijojë  përgjatë këtij sezoni veror të shfaqet edhe në qytete të tjera të vendit.  Shfaqja lëvizëve  do të jetë në qytetin bregdetar të Sarandës më 1 gusht në orën 20:00, pranë pedonales së qytetit.  Shfaqja realizohet me regji dhe koreografi nga Semela Skënderasi dhe interpretim të Valentina Myteveli, Mariel Brahimllari, Erta Sina, Semela Skënderasi, ndërsa kostumet janë punuar nga Sofi Kara dhe videoanimacion nga Redina Qose.

“Gjirafat s’vallëzojnë dot” është titulli i librit për fëmijë të autorit Giles Andrea, që pëlqehet shumë nga fëmijët. Kjo është një shfaqje dansi argëtuese dhe edukative për fëmijë, e cila me anën e gjuhës së trupit tregon se gjithsecili prej nesh është i ndryshëm, por unik në të njëjtën kohë.

“Gjirafat s’vallëzojnë dot” ka në qendër Geraldin, një gjirafë që nuk dinte të kërcente. Geraldi ka katër këmbë të majta, gjunjët i mban gjithmonë përkulur dhe këmbët i ka të ngurta. Falë ndihmës së Gjinkallës, Geraldi mëson të vallëzojë dhe habit të gjitha kafshët e xhunglës. Ai jep një mesazh tek fëmijët se nuk ka asgjë të keqe të jesh i ndryshëm dhe t’i bësh gjërat në mënyrën tënde. Secili prej nesh ka një talent që e bën  atë unik, por duhet një shtysë nga familja apo shoqëria për të arritur tek gjërat që dëshiron. Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror "KultArt" 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës. Regjizorja e shfaqjes Semela Skënderasi ndan me Radio Ejani emocionet e shfaqjes

CMG: Ti ke realizuar koreografinë dhe regjinë e shfaqjes për fëmijë "Gjirafat që s'vallëzojnë"! Flasim rreth kësaj shfaqje dhe bashkëpunimit me aktorët?

Semela Skënderasi: Shfaqja “Gjirafat s'vallëzojnë dot” është një shfaqje dansi për fëmijë, e cila me anë të gjuhës së kërcimit sjell një histori të bukur, me një mesazh të rëndësishëm në të njëjtën kohë. Për këtë shfaqje kam marr inisiativën nga libri best seller me të njëjtin titull. Ngjarjet zhvillohen në një xhungël të Afrikës, ku të gjitha kafshët vallëzojnë në një festë, por në qendër të ngjarjes është Geraldi, i cili është gjirafë dhe ka karakteristikë të ndryshme me ato të kafshëve të tjera, për shkak të këmbëve të tij të holla dhe qafës së tij të gjatë. Ai nuk mund të kërcejë dhe kafshët e tjera e përqeshin. Shfaqja ka nota humori dhe ka ardhur si rezultat i një procesi krijues së bashku me kërcimtarët e tjerë ku secili prej tyre është përpjekur që t’i përafrohet personazhit që ai interpreron.

CMG: Më 1 gusht kjo shfaqje do jepet edhe për pushuesit në Sarandë. Si i keni pritur shfaqjet lëvizëse jashtë Tiranës?

Semela Skënderasi: Është një kënaqësi për mua si krijuese, por edhe si interpretuese që kjo shfaqje kaq e dashur për fëmijët, përveç Tiranës të jepet edhe në qyetete të tjera. Pasi ka një mesazh të rëndësishëm për fëmijët e vegjël. Duhet ta themi se ne në Shqipëri nuk  kemi shumë shfaqje dansi për fëmijë, pasi më së shumti janë shfaqje aktrimi, pra janë në gjuhën e folur. Është shumë e rëndësishme që fëmijët kudo ku ndodhen, të njihen dhe të edukohen më këtë formë arti, e cila nuk është shumë e njohur për ata.

CMG: Si ka qenë interesi i fëmijëve për këtë shfaqje?

Semela Skënderasi: Në fund të sezonit, në periudhën maj-qershor, ne kemi realizuar disa shfaqje në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" dhe interesi ka qenë i madh nga fëmijët. Shfaqja është pritur mjaft mirë dhe ajo që është më e rëndësishmja, është kuptuar nga fëmijët e moshave të ndryshme që nga kopshti, te parashkollorët dhe deri te fëmijët e klasave të katërta, të cilët e kanë marrë edhe më mirë mesazhin e shfaqjes. Mesazhi që kjo shfaqje transmeton, lidhet direkt me temën e bullizimit, të cilën ne e kemi shumë të pranishme në ditët e sotme nëpër shkolla. Ajo na mëson se, nuk ka asgjë se të jesh i ndryshëm, ashtu siç ishte Geraldi. Ai nuk arriti dot që të kërcente në fillim, sepse kishte disa karakteristika të ndryshme nga kafshët e tjera, por me ndihmën e një miku të mirë, që ishte bulkthi arriti të kuptonte se; "Nëse ndjek rrugë të ndryshme nga ajo e të tjerëve, çdo gjë është në rregull”. Pra mund të ishte një kërcimtar shumë i mirë, si të gjjtha kafshët e tjera. Mesazhi kryesor i kësaj shfaqje është se "Nuk ka asnjë problem të jesh i ndryshëm, për aq kohë sa ti të jesh vetvetja".

Intervistoi: Sava Lena