Muaji korrik është cilësuar si muaji, i cili ka pasur temperatura ekstreme të larta. Ato kanë kulmuar ditën e mërkurë ku temperaturat kanë shkuar 45 gradë celsius. Mjekët kanë raportuar probleme të theksuara në shëndetin e njerëzve dhe një ndër këto probleme është edhe ai i "shëndetit mendor". Në një intervistë për Radio Ejani Psikologe Nereida Llaha, bëri një pasqyrim të problematikës si edhe disa këshilla në lidhje me pasojat psikologjike të së nxehtit .
Llaha tha të kemi një kujdes për shëndetin mendor dhe mos të nxitohemi për të marrë vendime të rëndësishjme, pasi dhe performanca jonë është më e ulët dhe se sezonin e verës ta marrim sa më qetë.
CMG: Çfarë i ndodh trurit nga vapa ekstreme?
Nereida Llaha: Kur i referohemi temperaturave ekstreme që janë të papërballueshme edhe trajtimi është ndryshe. Me rritjen e temperaturave tek individët shfaqen ndryshime si rritje të impulsivitetit, ulje e përqendrimit, agresivitet që ndikojnë edhe për performancën në punë. Gjatë sezonit veror kemi një luhatje të kushteve optimale në aktivitete, si në atë fizik pasi individët evidentojnë ato më të dukshme, ku shpesh herë dehidratimi shkakton dhe probleme të tjera.
Kryesisht personat që vuajnë nga shëndeti mendor, apo ankthi janë ata që kanë më shumë luhatje të humorit, kanë parehati, problematika me frymarrje të cilat nxiten dhe më shumë nga temperaturat. Gjatë verës kemi një ulje të motivimit.
CMG: Këto ndjesi kanë qenë gjithmonë prezente?
Nereida Llaha: Janë dy grupe: ata që vuajnë nga ankthi, si dhe skizofrenia, që e kanë më të dukshme, gjatë verës. Një gjumë jo shumë i mirë, i shpjegon shumë mirë hipotalamusi, kështu që edhe një konsultë tek pediatri apo mjeku i familjes do ishte mirë. Të gjithë personat që kanë një shqetësim kronik, që kanë kuptuar se rritja e temperaturave i ndikon në gjendjen shëndetësore do ishte mirë të konsultoheshin me mjekun.
CMG: A duhet të merren vendime kur kthjelltësia është më e ulët gjatë verës?
Nereida Llaha: Ka persona që nuk i ndikon fare vapa, por ata që i ndjejnë shqetësimet janë të shumtë. Kur ne nuk kemi motivim, ndodh që të përjetojmë dhe depresionin e verës që na nxit të menduarit negativ. Duhet një përgatitje e gjatë për t’i ndarë gjërat, ndaj verën duhet ta marrim sa më qetë.
CMG:A është e vështirë të punosh në këto temperatura?
Nereida Llaha: Është shumë e vështirë të punohet në këto temperatura. Por megjithatë vende në të ndryshme në botë funksionojnë me orë të reduktuara, ndërsa Shqipëria ende jo. Do të rekomandoja që të punojnë duke u përpjekur për t’u përqendruar dhe forma më e mirë është që të mos dalin jashtë ambientit të punës.
CMG:Si e kaloni ju kohën gjatë këtyre ditëve?
Nereida Llaha: Edhe unë si gjithë të tjerët vijoj të jem e angazhuar në punë, por në pikun e vapes zgjedh të mos dal nga shtëpia apo puna kohën më cilësore që harxhoj është koha me vajzën time. Temperaturat e larta e dëmtojnë shëndetin mendor njësoj si shëndetin fizik.
CMG: Çfarë mund të bëjmë?
Nereida Llaha: Një zgjim sa më herët, ushtrim i aktiviteti fizik, konsumimi i kafes herët, të kemi një programim të ditës dhe të shmangen orët e pikut të vapës.
Intervistoi: Megi Latifi