Foto nga China Daily
Kompozitori Tan Dun ka udhëtuar shumë herë në Xi'an, në provincën kineze Shaanxi. Qyteti antik e ka magjepsur prej kohësh, për arsye të ndryshme, si ushqimi i shijshëm, Luftëtarët e Terrakotës me famë botërore dhe Opera Qinqiang, një opera tradicionale kineze e njohur në zonë.
Këtë muaj Tan u rikthye në qytet, këtë herë me një qëllim të veçantë. Së bashku me Orkestrën Simfonike Xi'an, më 15 korrik, ai drejtoi “Symphony of the First Emperor”, hera e parë që vepra është interpretuar ndonjëherë në Kinë.
“Shumë orkestra simfonike kineze donin ta jepnin premierë veprën në Kinë, por Xi'an është qyteti i përsosur për të. Erdha në Xi'an shumë vite më parë kur po përgatitesha të kompozoja veprën dhe u frymëzova nga qyteti. Është sikur ajo është kthyer në vendlindjen e saj”, tha kompozitori 65-vjeçar për “China Daily”.
Kompozitori dhe dirigjenti është, ndoshta, më i njohur për partiturën fituese të Oskarit që ai kompozoi për filmin e arteve marciale të regjisorit Ang Lee, “Tiger Crouching, Hidden Dragon”.
“Symphony of the First Emperor” u bazua në muzikën nga opera e Tanit, “The First Emperor”.
Në vitin 2006, vepra u shfaq premierë në “Metropolitan Opera House”, e cila kishte porositur prodhimin në bashkëpunim me Operën e Los Anxhelosit.
E drejtuar nga regjisori kinez Zhang Yimou dhe dirigjuar nga Tan, opera flet për Qinshihuang, sundimtarin e parë të dinastisë Qin (221-206 pes), i cili bashkoi vendin, filloi ndërtimin e Murit të Madh dhe lëshoi urdhra për standardizim pothuajse universal të peshave, masave, gjuhës së shkruar dhe ligjit.
Ylli i njohur i operas, Placido Domingo, interpretoi rolin kryesor të Qinshihuang.
Në opera, Qinshihuang ngarkon një muzikant, Gao Jianli, të kompozojë një himn për perandorinë e tij. Kur zbulon se vajza e tij ka rënë në dashuri me Gaon, Qinshihuang, pavarësisht se e vlerëson talentin muzikor të Gaos, zemërohet sepse dëshiron që vajza e tij të martohet me një gjeneral për arsye politike.
Në vitin 2017, kur Muzeu Metropolitan i Artit çeli një ekspozitë të madhe, “Epoka e Perandorive: Arti Kinez i dinastive Qin dhe Han (221 pes-AD 220)”, muzeu porositi një vepër të re nga Tan bazuar në muzikën nga opera, e cila u bë Simfonia e Perandorit të Parë.
Foto nga China Daily
“Në thelb, versioni që ne performojmë në Xi'an është i njëjtë me atë për ekspozitën e Muzeut Metropolitan të Artit. Por duke qenë se shumica e muzikantëve të Orkestrës Simfonike Xi'an janë nga Xi'an, gjë që u jep atyre një një lidhje e veçantë me kompozimin, performanca do të jetë unike”,- deklaroi Tan, duke shtuar se performanca në Xi'an përfshin disa instrumente muzikore të veçanta të krijuara ekskluzivisht për qytetin - instrumente perkusioni prej qeramike.
Simfonia e Perandorit të Parë përmban shtatë kapituj, secili i emëruar sipas ngjyrave të ndryshme dhe “wu xing” (pesë elementët në filozofinë e lashtë kineze).
Për shembull, kapitulli i parë titullohet “Bardhezi” (Yin-Yang), kapitulli i dytë “E Kuqja” (Vallja e perandorit) dhe kapitulli i pestë “Vjollca” (Hakmarrja).
Tan ia atribuon emërtimin e kapitujve regjisorit Zhang, i cili ka lindur në Xi'an. “Kur punonim për operën, Zhang më tregoi për “lao san se”, ose tre ngjyrat e Shaanxi, të cilat janë e zeza, e bardha dhe e kuqja. Këto ngjyra përdoren shpesh nga njerëzit në Shaanxi dhe shfaqen edhe në filmat e tij.
Ai gjithashtu frymëzoi Emi Wada, e cila projektoi kostumet për operën, për të përdorur teknikën tradicionale të ngjyrave të Shaanxi në krijimin e kostumeve”,- tha Tan.
“Lao san se” u përdor gjithashtu gjatë premierës së Simfonisë së Perandorit të Parë në Xi'an. Instrumentet e perkusionit prej qeramike ishin pikturuar të zezë, të bardhë dhe të kuqe, me perkusionistët që luanin instrumentet përpara orkestrës.
“Ato instrumente perkusioni vinin prej librave për muzikën e dinastisë Qin që Tan kishte lexuar”,- deklaroi Lu Shan, perkusionisti kryesor i Orkestrës Simfonike Xi'an. Ai vëren se mënyra e luajtjes së instrumenteve është krejt e ndryshme nga luajtja e instrumenteve bashkëkohore të perkusionit.