Inteligjenca artificiale po sjell risi të rëndësishme edhe në mjekësi. Bianka Agaraj, mjeke në degën shqiptare të laboratorit gjerman Dr.Limbach Heidelberg, ka thënë në një intervistë për Revistën “Monitor” se inteligjenca artificiale po përdoret për rritjen e saktësisë në metodat diagnostikuese, ndërsa paraqet perspektiva shumë interesante për të ndihmuar në trajtimin e sëmundjeve, sidomos të atyre gjenetike.
“Në bazë të ChatGPT, që është trendi i momentit, nga gjimnazistët deri tek moshat e treta, inteligjenca artificiale ka kohë që përdoret në mjekësi. Më tepër në specialitetet që kanë të bëjnë me diagnozat me imazhe, si radiologjia, dermatologjia, apo patologjia, si dhe kur duhet të vendoset diagnoza me biopsi. Kështu që inteligjenca artificiale nuk është një lajm i ri për mjekësinë, por ka kohë që përdoret. Dua të sjell një shembull të prekshëm dhe në laboratorin ku unë punoj, që e ka të domosdoshëm përdorim e inteligjencës artificiale. Është si pap testi por më mirë se pap testi. Ajo që përdoret është ndihma e robotit, apo e sistemeve kompjuterike për të identifikuar qelizat malinje në qafën e mitrës së pacienteve tona. Kjo bëhet nëpërmjet software-ve të detajuar dhe shumë të avancuar që realisht lehtësojnë punën e mjekut citopatolog, por nuk e zëvendësojnë atë. Është një gjë e rëndësishme që dua ta theksoj që kompjuterat robot ndihmojnë, por nuk kanë arritur të na zëvendësojnë dot në mjekësi. Kështu që siç thashë dermatologjia, radiologjia dhe citologjia janë tre fushat ku ka përdorim më të shpeshtë.”, u shpreh mjekja Agaraj.
Nëse për shume biznese inteligjenca artificiale po arrin që të zëvëndësojë tërësisht disa punonjës, në rastin e mjekësisë ajo lehtëson punën e mjekut, por nuk e zëvendëson dot atë.
“Ne dimë që puna e një mjeku ka shumë ngarkesë, qoftë në kontakt të drejtpërdrejt me pacientin, apo pas kuintave siç jemi ne në laborator, si dhe radiologët apo patologët, që nuk janë në kontakt me pacientët por kanë shumë punë. Inteligjenca artificiale lehtëson punën e mjekut, por nuk e zëvendëson dot atë. Marr shembullin që përmenda më lart në rastin e një paptesti konvencional nëse puna është tërësisht manuale, që nga puna e ngjyrosjes apo ekstraktimi. Nuk dua të hyj në detaje dhe varen nga syri i mjekut citopatolog që do t’i studiojë ato dhe pas 100 mostrave dhe tek 101 mund të ndodhë një gabim human i mundshëm, por inteligjenca artificiale nuk e lejon që të ndodhi ky gabim ose më saktë e bën atë të shkojë drejt zeros. Dhe me paptestin bën që të reduktohet gabimi njerëzor pothuajse zero. Sipas studimeve të fundit, me metodën e re citologjinë dhe qafën e mitrës ne kemi arritur të rrisim sensitivitetin e paptestit nga 50% në 90%. Kjo jo vetëm lehtëson mjekun, por ndihmon edhe pacientin që do marrë përgjigjen në fund. Pra është lehtësi për ne dhe kualitet në fund.”, shpjegoi mjekja
Ajo tregon për investime të tjera mjaft të rëndësishme që janë bërë kohët e fundit në fushën e mjekësisë për t’i dhënë zgjidhje shqetësimeve të ndryshme.
“ Dua të përmend vetëm një detaj. Në 2020 çmimi në mjekësi u mor për gërshërët gjenetike. Ishin dy shkencëtarë që zbuluan se tashmë ne mund të modifikojmë materialin gjenetik, ta personalizojmë dhe përdorim në trajtim. Sigurisht me epokën e re të Inteligjencës artificiale ne mund të bëjmë më shumë. Në studimet e fundit mbi terapitë e reja, të personalizuara, është përdorur pikërisht metoda që bën prerjen e materialit dhe bën personalizimin e terapisë për pacientin. Kjo është një perspektivë për përdorimin e Inteligjencës artificiale si terapi unike, lidhur me sëmundshmërinë ose gjenezën apo gjenetikën e pacientit apo edhe kushtet e tjera që përfshihen. Një studim është përfshirë dhe për talaseminë, pasi Shqipëria është një vend i prekur nga talasemia apo anemia. Kështu që jemi shumë afër që jo vetëm ta diagnostikojmë talaseminë, por edhe ta shërojmë. Inteligjenca artificiale është e ardhmja e mjekësisë gjenetike.”nënvizoi ajo
Nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, një kompjuter mund të pranojë dhe interpretojë një sasi të madhe të dhënash, duke përpunuar llogaritjet komplekse matematikore. Sot, AI është pjesë e procedurave diagnostike dhe terapeutike të shumë patologjive.