Rusia nuk rinovoi marrëveshjen, BE e gatshme të përdorë rrugë alternative për eksportin e grurit
2023-07-27 16:21:21

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Bashkimi Evropian njoftoi se është gati të eksportojë pothuajse të gjitha prodhimet bujqësore të Ukrainës përmes rrugëve alternative apo “korsive të solidaritetit” dhe të ndihmojë në mbulimin e kostove të transportit.

Komisioneri i BE-së për bujqësinë, Janusz Wojciechowski, tha se blloku po kërkonte të dilte me një plan të përbashkët për të mbuluar kostot shtesë të transportit.

Megjithatë, zgjerimi i tranzitit të drithërave përmes BE-së është temë e ndjeshme për Poloninë dhe disa vende në kufi me Ukrainën, ku fermerët janë nën presion nga rritja e importeve ukrainase, shkruan “Panorama”.

Në maj, BE-ja lejoi pesë vende afër Ukrainës - Bullgarinë, Hungarinë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë - të ndalonin shitjet e brendshme të grurit, misrit dhe farave vajore ukrainase deri më 15 shtator, duke lejuar tranzitin përmes tyre për eksport të mëtejshëm.

BE-ja do të rishikojë ndalimin, pasi disa vende kërkuan një zgjatje përtej 15 shtatorit.

Ministri polak i Bujqësisë, Robert Telus, u tha gazetarëve të martën se ai donte një ndalim të pjesshëm, duke shpjeguar si shembull se Polonia donte të ndalonte mjedrat, por do të lejonte farat e lulediellit.

“Nuk ka asnjë mënyrë që pas 15 shtatorit, gruri i Ukrainës të hyjë në Poloni”,- tha Telus. “Ne kemi shumë drithëra, çmimet e drithit tashmë janë të ulëta. Kjo do të destabilizonte plotësisht tregun tonë”,- tha ai.

Lituania i ka kërkuar Komisionit Evropian të krijojë një rrugë për grurin ukrainas përmes pesë porteve në shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Pesë portet kanë një kapacitet të kombinuar të eksportit të grurit prej 25 milionë tonë.

Refuzimi i Rusisë për të rinovuar marrëveshjen në fillim të këtij muaji, ka bërë që anijet e ngarkuara me drithëra të mos mund të kalojnë nga portet e Ukrainës. (Elona)