Temperaturat mund ta bëjnë botën pjesërisht të pabanueshme
2023-07-27 16:04:18

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Në hemisferën veriore temperaturat kanë arritur nivele të larta rekord, në vende si Greqi, Itali, Spanjë, Kinë, SHBA apo Japoni.  

Një studim i gazetës “Nature Sustainability”, cituar nga “RTSH”, arrin në përfundimin se pa mbrojtje të madhe të klimës në më pak se 80 vjet rreth 2 miliardë vetë do të rrezikohen nga nxehtësia ekstreme dhe vdekjeprurëse. Kjo shifër përbën 23 për qind të popullsisë që bota pritet të ketë në atë kohë. 

Nëse politika për klimën mbetet ajo që është dhe bota shkon drejt ngrohjes me 2.7 gradë Celsius ose më shumë, atëherë deri në vitin 2100, vende si Katari, Mali ose Burkina Faso do të bëhen të pabanueshme nga njerëzit.  

“Rritja e temperaturave me 2.7 gradë do ta ndryshojë nga themelet jetesën në Tokë dhe mund të shkaktojë një riorganizim në shkallë të gjerë të vendeve”,- thotë autori kryesor i studimit, Tim Lenton, nga universiteti britanik i Exeter-it.  

Që sot, me ngrohjen me 1.1 gradë të Tokës në krahasim me periudhën paraindustriale, valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më të forta dhe më vdekjeprurëse për miliona njerëz të botës.  

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, moti i nxehtë shkakton një sërë sëmundjesh që mund të përfundojnë edhe me vdekje. (Elona)