
Foto nga CFP
Rritja ekonomike globale parashikohet të bjerë nga 3.5 për qind në vitin 2022 në 3.0 për qind në 2023-shin dhe 2024-n. Rritja e Kinës do të qëndrojë e pandryshuar në 5.2 për qind për vitin 2023 dhe 4.5 për qind për vitin 2024, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), cituar nga “Xinhua”.
“Ndërsa parashikimi për vitin 2023 është mesatarisht më i lartë sesa parashikohej në Perspektivën Ekonomike Botërore të prillit 2023, ai mbetet i dobët sipas standardeve historike”,- bëri të ditur FMN-ja në përditësimin më të fundit të Perspektivës Ekonomike Botërore, ku theksohet se rritja e normave të interesit të Bankës Qendrore për të luftuar inflacionin vazhdon të rëndojë mbi aktivitetin ekonomik.
Inflacioni total global pritet të bjerë nga 8.7 për qind në 2022-shin në 6.8 për qind në 2023-shin dhe 5.2 për qind në 2024-n. Inflacioni bazë parashikohet të bjerë më gradualisht.
Për ekonomitë e përparuara, vuri në dukje raporti, ngadalësimi i rritjes i parashikuar për vitin 2023 mbetet i rëndësishëm - nga 2.7 për qind në 2022-shin në 1.5 për qind në 2023-shin.
Rreth 93 për qind e ekonomive të përparuara parashikohet të kenë rritje më të ulët në vitin 2023 dhe rritja në vitin 2024 në mesin e këtij grupi të ekonomive parashikohet të mbetet në 1.4 për qind.
Në Shtetet e Bashkuara, rritja parashikohet të ngadalësohet nga 2.1 për qind në 2022-shin në 1.8 për qind në 2023-shin. (Elona)
