Publikohet “Libri blu i Italisë: Raporti i zhvillimit të Italisë 2022-2023”
2023-07-27 16:58:08


Të martën u zhvillua në Pekin ceremonia e publikimit të “Librit blu të Italisë: Raporti i zhvillimit i Italisë 2022-2023” dhe seminari dypalësh “Bashkëpunimi Kinë-Itali përballë ndryshimeve të mëdha”. Veprimtaritë u zhvilluan në internet dhe me prani fizike. Drejtori i Institutit të Studimit të Çështjeve Evropiane pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Feng Zhongping, atasheu kulturor i ambasadës së Italisë në Kinë Federico Roberto Antonelli, drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Ekonomike e Shoqërore të Italisë Gian Maria Fara, si edhe afro njëqind ekspertë nga të dy vendet morën pjesë në këto veprimtari. Pjesëmarrësit bënë diskutime mbi gjendjen e tanishme dhe perspektivën e zhvillimit të ardhshëm të bashkëpunimit Kinë-Itali në ekonomi, teknologji, kulturë dhe fusha të tjera.

 

Drejtori i Institutit të Studimit të Çështjeve Evropiane pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Feng Zhongping u shpreh që Kina dhe Europa po u kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje marrëdhënieve dypalëshe. Kina, Italia dhe vendet e tjera europiane janë partnere ekonomike dhe tregtare të pandashme dhe është në interes të të dyja palëve të ruajnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Nëpërmjet dialogut dhe shkëmbimeve, Kina dhe Italia mund të pakësojnë keqkuptimet, të rrisin besimin dhe të nxisin bashkëpunimin në fushat me interes për të dyja palët.

 

Atasheu kulturor i ambasadës së Italisë në Kinë Federico Roberto Antonelli shprehu urime për publikimin e "Raportit të zhvillimit të Italisë". Ai tha që 2022-shi ishte Viti i Kulturës dhe i Turizmit i Kinës në Itali dhe arritjet e të dy vendeve në bashkëpunimin dhe shkëmbimet kulturore janë të jashtëzakonshme. Në vitin 2022, Kina organizoi me sukses Lojërat e 24-ta Olimpike Dimërore dhe më pas Italia do të marrë stafetën për të organizuar Lojërat Olimpike Dimërore të ardhshme, theksoi Antonelli,  duke shprehur shpresën që Italia dhe Kina të kenë shkëmbime dhe bashkëpunim më të thellë ekonomik, tregtar, kulturor, sportiv dhe në fusha të tjera.

 

Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Ekonomike e Shoqërore të Italisë Gian Maria Fara u shpreh që "Libri blu i Italisë" ka paraqitur në mënyrë të thellë dhe të gjithanshme gjendjen e tanishme të zhvillimit të Italisë. Bota ndodhet sot para shumë ndryshimeve të ndërlikuara dhe Italia e Kina duhet ta kuptojnë e ta mbështesin njëra-tjetrën dhe të bashkërendohen me njëra-tjetrën, duke përballuar së bashku sfidat, për të krijuar një të ardhme me bashkëpunim.

 

Kryeredaktori i "Librit blu të Italisë" Sun Yanhong shtjelloi përmbajtjet kryesore të këtij raporti. Sipas tij, në raport janë përfshirë gjendja e përgjithshme politike, ekonomike, shoqërore dhe diplomatike e Italisë dhe janë bërë vlerësime mbi zhvillimin e marrëdhënieve kino-italiane.

 

Në këtë raport vihet në dukje që vjet u zhvillua me sukses “Viti i kulturës dhe i turizmit Kinë-Itali” dhe që bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella është ende prirja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe. Qeveritë e të dy vendeve kanë krijuar platforma për bashkëpunimin dhe shkëmbimet njerëzore, të cilat kanë pasur rezultate të frytshme, duke shfrytëzuar plotësisht epërsinë e mekanizimit të bashkëpunimit kulturor Kinë-Itali. Edhe në vitin 2023 ka një hapësirë të gjerë për bashkëpunimin dypalësh.

 

"Raporti i zhvillimit të Italisë 2022-2023" është i katërti në serinë e raporteve “Libri blu i Italisë”, i hartuar bashkërisht nga Instituti i Studimit të Çështjeve Evropiane pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, Zyra e Bashkëpunimit Ndërkombëtar pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës dhe Departamenti i Studimeve Italiane pranë Shoqatës Kineze për Studimet Europiane. Këto institute bëjnë studime dhe analiza mbi gjendjen e sektorëve të ndryshëm në Itali dhe përparimet kryesore të marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Italisë. (Jiang Lei)