Foto nga CFP
Më shumë se 40 njerëz kanë vdekur, shumica në Algjeri, si pasojë e zjarreve në rajonet e Mesdheut, që rrezikojnë një numër të madh të fshatrave dhe vendpushimeve të turistëve. Mijëra njerëz janë evakuuar nga ato zona, shkruan “RTSH”.
Greqia vazhdon evakuimin e njerëzve nga Rodosi, pasi zjarret po shpërthejnë edhe në ishujt e Korfuzit dhe Evias.
Vala e gjatë aktuale e të nxehtit nuk duket se do të ndalet pasi temperaturat pritet të rriten mbi 44 gradë Celsius në disa pjesë të Greqisë. Zjarre masive u përhapën në Sicili dhe e detyruan Italinë ta mbyllë për pak kohë aeroportin e Palermos.
Erërat e forta dhe bimësia e thatë bëjnë që zjarrfikësit të përpiqen në shumë zona për t’i shuar flakët.
Numri më i madh i vdekjeve deri tani është shënuar në Algjeri, ku në mesin e 34 viktimave ishin edhe dhjetë ushtarë të rrethuar nga flakët gjatë një evakuimi në provincën bregdetare Bejaia.
Autoritetet algjeriane thanë se 80 për qind e zjarreve ishin shuar deri të dielën, por një përpjekje masive për shuarjen e zjarrit po vazhdon ende, me rreth 8000 persona, qindra zjarrfikës dhe disa avionë.
Zjarret kanë shpërthyer edhe në Tunizinë fqinje, ku 300 persona u evakuuan nga një fshat bregdetar.
Në Greqi, Ministria e Mbrojtjes Civile paralajmëroi të mërkurën për një “rrezik ekstrem” zjarri në 6 nga 13 rajonet e vendit.
Një ekip shkencëtarësh të klimës, grupi “World Weather Attribution”, njoftoi se vala e të nxehtit e këtij muaji në Evropën Jugore, Amerikën e Veriut dhe në Kinë do të ishte praktikisht e pamundur pa ndryshimet klimaterike të shkaktuara nga njerëzit. (Elona)