Foto nga China Daily
Duke pasur një eksperiencë prej disa dekadash, mjeshtri kinez i qeramikës ka zhvilluar teknika të larmishme për t'i dhënë veprës së tij një dimension tjetër. I rritur në një qendër të famshme të prodhimit të qeramikës, siç është Jingdezhen, në provincën Jiangxi, Zhu Legeng u ushqye që nga fëmijëria me diversitetin dhe dinamikat e traditave të vjetra të artizanatit të qytetit.
I cilësuar si kryeqyteti kinez i porcelanit, Jingdezhen, është i njohur për përdorimin e tij të sofistikuar të argjilës së imët të prodhuar në vend, për derdhjen dhe pjekjen e saj në forma të ndryshme, traditë që ka vazhduar ndër shekuj. Thelbi i kësaj mjeshtërie ka qenë arredimi i ambienteve të brendshme dhe të jashtme, në shtëpi dhe në mbarë botën, me objekte të ekselencës supreme, madje duke i shërbyer oborrit perandorak në kohët e lashta.
Zhu, i cili ka ndjekur kolegjin për t’u bërë artist qeramike, tani studiues i Akademisë Kombëtare Kineze të Arteve, ndodhet në udhëkryqin e së shkuarës dhe të tashmes.
“Ai është një enciklopedi e teknikave të qeramikës së lashtë kineze. Ndërsa përballet me ndryshimin e estetikës të sjellë nga urbanizimi, Zhu duhet ta përshtasë eksperiencën e tij në teknikat tradicionale në shërbim të nevojave të shoqërisë moderne, një çështje e përbashkët themelore për të gjithë artistët kinezë që jetojnë në një kohë reformash”,- deklaroi Fan Di'an, kryetar i Shoqatës së Artistëve të Kinës.
Gjatë katër dekadave, Zhu ka eksperimentuar shumë dhe tani po ndan atë që ka arritur në “Creating in Heritance”, shfaqja e tij, e cila mund të ndiqet në Muzeun e Kulturës Tradicionale Kineze deri më 8 gusht. Ai eksploron evolucionin e karrierës së një 71-vjeçari, duke i ngulitur rrënjët e tij artistike thellë në estetikën klasike dhe duke u shfaqur në piktura dhe shprehje qeramike.
Zhu thotë se, që nga vitet 1990, ai e ka përqendruar punën e tij në pasurimin e prezantimit të qeramikës, jo vetëm si një material për të bërë objekte dekorative, por si një manifestim i baltës dhe zjarrit, i teksturave të bukura dhe për të dominuar një hapësirë. Ai e quan qasjen e tij si arti i qeramikës mjedisore.
Foto nga China Daily
Ekspozita shfaq produktin më të fundit të këtij stili: tre instalime që i ofrojnë audiencës një përvojë gjithëpërfshirëse dhe zgjerojnë kuptimin e qeramikës si një formë arti me mundësi të pafundme. “Reflektimet e trefishta të luleve”, për shembull, është një nga veprat e ekspozuara ku dhjetëra pllaka qeramike blu kobalti “qinghua” janë varur e pluskojnë në ajër dhe reflektohen në pasqyra që formojnë tre mure dhe dyshemenë.
Zhu thotë se kjo vepër ka marrë shkas nga studimi i tij për porcelanin “qinghua” (motive blu kobalti në një sfond të bardhë), prodhuar gjatë mbretërimit të perandorit Kangxi të dinastisë Qing (1644-1911).
Ai thotë se porcelani “qinghua” paraqet kiminë midis skicave dhe modeleve të këndshme dhe se ai dëshiron ta transferojë atë nga një sipërfaqe e sheshtë gjysmë e tejdukshme në një hapësirë tredimensionale.
Instalacioni jo vetëm që lejon njerëzit të hyjnë vetëm për të bërë foto, por është shndërruar edhe në një skenë, ku gjatë hapjes së ekspozitës u interpretuan kërcime dhe muzikë tradicionale kineze.
“Koncepti i ri dhe mjeshtëria e qeramikës, e cila është çdo gjë që një artist guxon të krijojë, është ajo që dëshiroj të përcjell në ekspozitë, te publiku, rrethi i artit dhe gjithashtu industria më e gjerë e qeramikës. Duke hapur sytë dhe mendjen tonë për të përqafuar tendencat ndërkombëtare dhe duke u përpjekur të zbatojmë një qasje ndërdisiplinore, kjo është mënyra se si ne mund të vazhdojmë të gjallërojmë artin e qeramikës dhe ta çojmë atë në linjë të parë të artit bashkëkohor”,- deklaroi thotë Zhu.