Foto nga CFP
Vapa përvëluese e verës duket se po i shtyn me mijëra njerëz drejt kinemave. Deri në fundjavë, arkëtimet verore kishin tejkaluar 10 miliardë juanë (1.4 miliardë dollarë), shumë e arritur në harkun më të shkurtër kohor në historinë e industrisë kineze të filmit.
Të ardhurat nga arkëtimet u mblodhën midis 1 qershorit dhe 22 korrikut, një rritje prej 158 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me arkëtime njëditore mbi 100 milionë juanë për 32 ditë rresht, bëri të ditur platforma informuese mbi filmat, “Beacon”.
Gjatë kësaj periudhe, kanë dalë në kinema 89 filma të rinj, duke u përkthyer në 20 milionë projektime dhe 249 milionë bileta të shitura, bënë të ditur Shoqata e Shpërndarjes dhe Shfaqjes së Filmit në Kinë dhe “Beacon”.
Vitet e fundit, Kina ka dëshmuar një interes në rritje për prodhimet vendase të filmave. Trendi ka vazhduar edhe këtë verë, me tre filmat me fitime më të larta dhe që të gjithë janë prodhime vendase.
Pasi ka grumbulluar 3.5 miliardë juanë deri më tani, “Lost in the Stars”, një thriller policor që tregon historinë e një burri që kërkon gruan e tij të zhdukur gjatë një udhëtimi jashtë shtetit, kryeson arkëtimet verore.
Pas tij renditet “Never Say Never”, me regji të aktorit të aksionit Wang Baoqiang. I përshtatur nga një histori e vërtetë, filmi, i cili ka grumbulluar mbi 1.8 miliardë juanë, tregon se si një grup të rinjsh të paprivilegjuar nga zonat rurale luftojnë për mbijetesë dhe sukses përmes garave të arteve marciale.
“Chang'an”, filmi më i gjatë i animuar kinez, prej 168 minutash, i cili tregon historinë e poetit të dinastisë Tang (618-907), Li Bai, dhe të besuarit të tij, Gao Shi, ka siguruar vendin e tretë duke fituar 1.1 miliardë juanë. “Chang'an” sjell në ekranin e madh gjithsej 48 poezi të disa prej poetëve më të njohur të dinastisë, duke nxitur shumë prindër që t'i çojnë fëmijët e tyre në kinema, në mënyrë që ata të mësojnë për këto kryevepra letrare.
Për shumë ekspertë të industrisë, tendenca e lartë për të ndjekur këto filma të suksesshëm kinezë sinjalizon një të ardhme premtuese për industrinë vendase të filmit, e cila tashmë ka fituar mbi 32.7 miliardë juanë në shtatë muajt e parë të vitit.
Foto nga CFP
Hu Jianli, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Kritikëve të Filmit në Kinë, tha se ky sezon veror i filmit është i pari me këtë ritëm të lartë pas heqjes së masave ndaj pandemisë. Sipas tij, shkalla e rimëkëmbjes së industrisë së filmit ka tejkaluar pritshmëritë. Ai shtoi se filmat e Hollivudit me buxhet të madh, dikur shumë të popullarizuar në mesin e audiencës vendase, tani janë lënë në hije nga filmat kinezë. Ecuria e “Transformers: Rise of the Beasts” dhe “Mission: Impossible - Dead Reckoning Part One” janë shembuj që e tregojnë më së miri këtë gjë.
Yuan Yun'er, një kritik filmi nga Pekini, tha se ndryshimi i preferencave të audiencës kineze mund t'i atribuohet amullisë së formulës së zakonshme të Hollivudit të sekuencave mahnitëse të aksionit dhe skenave ku heroi kryesor sjell shpëtimin.
Ndërsa sharmi i Hollivudit po zbehet, industria kineze e filmit ka bërë përparim të jashtëzakonshëm për sa i përket buxhetit dhe efekteve speciale, duke nxjerrë në kinema prodhime vizualisht tërheqëse që pëlqehen nga audienca vendase, për shkak të elementeve kulturore të njohura, shpjegoi Yuan.
Chen Jin, analist në “Beacon”, deklaroi se sezoni veror pritet të vazhdojë të mbledhë më shumë të ardhura me publikimin e më shumë filmave kinezë në javët e ardhshme. Të enjten dhe të premten e kaluar, dy publikime të reja kineze u kthyen shpejt në filma të suksesshëm. “Creation of the Gods 1: Kingdom of Storms”, një epikë mitologjike e përshtatur nga një klasik i dinastisë Ming (1368-1644) ka arkëtuar 345 milionë juanë në katër ditë, duke tejkaluar “Misionin: Impossible 7”, i cili ka fituar 289 milionë juanë që nga premiera më 14 korrik.
Publikimet e ardhshme shumë të pritura përfshijnë “One and Only”, i cili tregon historinë e një balerini të ri që ndjek ëndrrën e tij hip-hop, dhe “Meg 2: The Trench”, vazhdimi i një bashkëprodhimi të suksesshëm fantastiko-shkencor kino-amerikan. Të dy filmat janë planifikuar të shfaqen respektivisht më 28 korrik dhe 4 gusht.
“Ky sezon veror, i cili do të përfundojë në fund të gushtit, pritet të arrijë arkëtime mbi 16 miliardë juanë”,- tha Chen, i cili theksoi se tregu ka potencialin të rikuperohet plotësisht në nivelet para pandemisë.
Në vitin 2019, koleksioni i sezonit veror (1 qershor deri më 31 gusht) ishte 17.8 miliardë juanë.