Cilat janë disa nga veprat më të bukura të artit figurativ shqiptar që fokusojnë detin apo liqenin?
Peizazhi i detit mund të qetësojë gjithkënd në çdo situatë, sepse uji është një nga tre gjërat që mund ta shikoni pafundësisht. Një pikturë me detin mund të varet në çdo dhomë dhe do të duket në shumë harmoni. Historia e peizazhit detar ka më shumë se shtatëqind vjet që ka gjetur vendin e vet në veprat e artistëve botërorë dhe bota njeh mjaft kryevepra ku në qendër është deti, liqeni ose lumi.
Pavarësisht teknikës me të cilën janë punuar veprat dhe koncepteve estetike për të bukurën, pavarësisht zhanrit, nëse janë peizazhe të qeta, apo kompozime fantastike, të gjitha kanë një të përbashkët: tematikën që i lidh me ujërat. Skenat e luftës me dallgët, qetësia e liqenit, engletisja e varkave, peshkatarë që hedhin e tërheqin rrjetat, apo skena të vërteta njerëzore që shijojnë apo përballen me detin, i bëjnë këto krijime në pikturë kaq të dashura për publikun.
E njëjta gjë ndodh edhe në artet figurative shqiptare. Shumë artistë kanë punuar në zhanrin e peizazhit dhe të kompozimit duke sjellë detin, liqenin apo lumin, me qëndrime e konceptime të ndryshme mes tyre.
Në rubrikën e sotme do ju njohim me disa prej pikturave më përfaqësuese të kësaj tematike, ku nuk mjafton vetëm pasqyrimi i formës dhe ngjyrës, por mbi të gjitha pikturimi i emocionit.
1. “Peizazh i Pogradecit” nga Abdurrahim Buza, një vepër e vitit 1934. Peizazhi është punuar me ngjyra vaji mbi kompensatë dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ky peizazh i përket periudhës së parë krijuese të artistit dhe është frymëzuar nga qëndrimi i tij në Pogradec. Në këtë krijim ndihet mirë ndikimi i impresionizmit.
2. Pogradeci përbën muzën frymëzuese për shumë artistë dhe mes tyre spikat piktori korçar Vangjush Mio, i cili i ka kushtuar liqenit disa peizazhe në cikle të ndryshme stinore. Në listën tonë ne kemi fokusuar veprën “Pogradeci”, që i përket vitit 1929. Ajo është punuar në vaj mbi pëlhurë dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në këtë peizazh fokusohen disa varka me vela, ku njëra prej tyre është në plan të parë dhe merr të gjithë vëmendjen e publikut, ndërkaq në sfond luhaten varka të tjera impresioniste.
3. Aristotel Papa, piktori më i denjë i trashëgimisë estetike të Vangjush Mios, shquhet për peizazhet e tij, që janë tejet të ngrohta e të dashura për të gjithë. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhet një peizazh i tillë që fokuson disa varka në liqen. Vepra është realizuar në teknikën vaj, ndërsa viti i realizimit nuk njihet.
4. “Peizazh” nga Skender Kamberi. Si një vlonjat që e do shumë ujin, pavarësisht se gjatë gjithë krijimtarisë, pika më e fortë e tij kanë qenë kompozimet, ai nuk i ka shpëtuar tundimit për të pikturuar cepa apo pamje të ndryshme të Gjirit të Vlorës. Peizazhi që kemi përzgjedhur për rubrikën tonë, dëshmon talentin e piktorit dhe lidhjen me qytetin e tij. Natyra e vendlindjes, deti i kaltër, dielli, peizazhi i mbytur në dritë, ullinjtë e argjendë, këtu duhet të kërkojmë zanafillën e pasionit të tij për ngjyrë e cila manifestohet dukshëm në këtë vepër.
5. Agim Kadillari është një ndër peizazhistët më të mirë shqiptarë që me kavaletin e tij ka udhëtuar e udhëton për të gjetur frymëzimin në natyrë e për ta pikturuar përmes emocionit. Por me sa kuptohet, frymëzimin më të madh e ka gjetur në shtëpinë e tij, në Shkodër, së cilës i ka kushtuar disa cikle, ku ka pikturuar bukuritë ujore të këtij qyteti rrethuar nga uji.
6. Piktori Pashk Përvathi, është ndër artistët që më shumë se askush tjetër e ka pikturuar detin, liqenin, lumin në të gjithë krijimtarinë e tij. Ai nuk ka lënë asnjë plazh, breg, apo zabel pa pikturuar, të gjitha me një ndjeshëmri të madhe dhe origjinalitet të pashoqe, duke krijuar edhe stilin e tij unik, lehtësisht të identifikueshëm nga të tjerët. Nga ky piktor mund të kishim zgjedhur disa peizazhe shumë të mirë, por duke respektuar origjinën e tij, kemi përzgjedhur peizazhin “Plazhi i Shëngjinit”, realizuar në ngjyra vaji. Vepra ruhet në koleksionin privat të piktorit.
7. Madhështia e detit dhe anijet që lundrojnë mbi të kanë frymëzuar piktorin Zamir Mati për peizazhin “Anija”, punuar në vaj dhe fibër në vitin 1985. Në fakt ai ka pëlqyer të pikturojë një prej anijeve të flotës shqiptare. Vepra ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve. Po këtij autori i përket edhe kompozimi me titull “Vitet e para”, punuar në vaj dhe pëlhurë në vitin 1975, vepër e cila ruhet edhe kjo në GA. Fakti që piktori është i lidhur kaq shumë me anijet dhe detit shpjegohet nga të dhënat autobiografike, pasi ai ka lindur në Durrës në një familje detarësh dhe është rritur pranë kantjerit detar.
8. Deti nuk do të ishte asgjë pa njerëzit e tij, ata që përballen dhe lundrojnë mbi të. “Peshkatarët” e piktorit pogradecar Gjergji Lako, e pikturuar në vaj, realizuar në vitin 1983, përcjell më së miri këtë ide.
9. “Peshkatarët” por kësaj here, ata që luftojnë me dallgët e detit, vijnë në këtë renditje si kompozim i piktorit Abdullah Cangonji. Vepra është realizuar në vaj dhe i përket vitit 1985. Ajo ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
10. “Vizita” është një kompozim i piktorit Edi Hila, ndër më të veçantët e këtij klasifikimi, pasi edhe trajtimi i emocionit jepet përmes një subjekti të frymëzuar nga jugu i Shqipërisë. Tablloja fokuson në plan të parë një vajzë të re, nga sfondi duken ujërat e Jonit, ndërsa shtëpia në fshat prezanton një ambient idilik, mikpritës e mjaft ndjellës. Vepra është e punuar në vaj, i përket vitit 1985 dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Neritana Kraja