MJK: Kina do të marrë masat e nevojshme për të ruajtur sigurinë kibernetetike
2023-07-26 20:23:05

foto/

foto/MJK

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha në një konferencë të rregullt për shtypin të mërkurën se një organizatë piratësh interneti e mbështetur nga ndonjë qeveri e huaj ka zhvilluar një sulm kibernetik mbi Qendrën e Monitorimit të Tërmeteve të qytetit Wuhan, duke kërcënuar seriozisht sigurinë kombëtare të Kinës. Kina dënon veprimet e papërgjegjshme përkatëse dhe do të marrë masat e nevojshme për të ruajtur sigurinë kibernetike kombëtare. 

Për një periudhë kohe, zyrtarë të tillë si ndihmësi i presidentit amerikan për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, sekretari amerikan i Shtetit, sekretarja e Thesarit dhe zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë kanë bërë komente të njëpasnjëshme mbi të ashtuquajturin "sulm kibernetik prej Kinës kundër ShBA-së". Zyrtarët e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të ShBA-së madje deklaruan se "spiunazhi është diçka që bëjnë shtetet kombe". Sipas një raporti tjetër, Zyra e Menaxhimit të Emergjencave dhe Zyra e Sigurisë Publike e Bashkisë së Wuhan-it publikuan një deklaratë publike dhe një raport policie të mërkurën,  duke thënë se Qendra Kombëtare e Reagimit ndaj Viruseve Kompjuterike dhe kompania “360” zbuluan se Qendra e Monitorimit të Tërmeteve në Wuhan kishte pësuar një sulm kibernetik. Ka raporte që provat paraprake tregojnë se sulmi kibernetik e ka origjinën nga ShBA-ja. 

foto/VCG

foto/VCG

Mao Ning tha në përgjigje të pyetjes përkatëse se siguria kibernetike është një sfidë e përbashkët me të cilën përballen të gjitha vendet. Deklarata përkatëse e Kinës është objektive dhe profesionale, duke shpallur fakte bazë, dhe është thelbësisht e ndryshme nga sulmet dhe shpifjet e ShBA-së kundër Kinës.

foto/VCG

foto/VCG

“Nga njëra anë, qeveria amerikane angazhohet në aktivitete keqdashëse kibernetike kundër vendeve të botës, përfshirë Kinën, ndërsa nga ana tjetër, shtrembëron vazhdimisht ‘teorinë e sulmit të piratëve kinezë të internetit’, çka është një standard tipik i dyfishtë dhe manipulim politik. Politizimi dhe ‘armëzimi’ i çështjeve të sigurisë kibernetike nga ana e palës amerikane kanë penguar seriozisht përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të trajtuar së bashku sfidat nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit dhe kanë dëmtuar seriozisht besimin e ndërsjellë ndërmjet vendeve. ShBA-ja duhet të ndalojë menjëherë keqbërjet përkatëse, të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të formuluar dhe respektuar rregullat e përbashkëta nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit dhe të ruajë paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë në hapësirën kibernetike me një qëndrim konstruktiv dhe pragmatik,” u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning.  (Fang Xiaoyu/Artan)