
Foto nga CFP
Beteja për shuarjen e zjarreve në ishullin grek të Rodosit dhe atë të Korfuzit po vijon, ndërsa vatra të reja kanë shpërthyer përsëri në 24 orët e fundit. Më shumë se 20.000 pushues kryesisht nga Britania, Gjermania dhe Italia, u larguan nga ishulli i Rodosit si pasojë e zjarreve të fuqishëm, shkruan “RTSH”.
Një avion i ashtuquajtur “bombardues uji” i tipit “Canadair”, me të paktën dy persona në bord, u rrëzua gjatë operacionit të shuarjes së zjarrit në jug të ishullit Evia.
Autoritetet e Mbrojtjes Civile thonë se situata vazhdon të jetë jashtë kontrollit për shkak të valës së nxehtësisë që ka përfshirë të gjithë Greqinë dhe erërave të cilat kanë favorizuar shtimin e vatrave të zjarreve.
“Për javët e ardhshme ne duhet të jemi në gatishmëri të vazhdueshme. Jemi në luftë. Do të rindërtojmë atë që humbëm e do të kompensojmë ata që u lënduan”, - tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
“Kriza klimaterike ka nisur dhe do të shfaqet kudo në Mesdhe me fatkeqësi më të mëdha”, - shtoi ai. (Elona)
