Presidenti kinez Xi Jinping iu përgjigj një letre nga nxënësit e shkollës së mesme "Pui Kiu" në Hong-Kong, duke i inkurajuar ata të japin kontribut për ndërtimin e një Hong-Kongu edhe më të mirë dhe realizimin e rilindjes kombëtare.
Ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong Kong-ut, Kinë, 1 korrik 2023(Foto:VCG)
Në letrën e tij të së hënës, kreu i shtetit vuri në dukje se ndjeu kënaqësi kur nxënësit i thanë se kishin një ndjenjë më të fortë krenarie për qenien kinezë pasi morën pjesë në veprimtari të tilla si komunikimi ndëraktiv me astronautët e stacionit hapësinor kinez “Tiangong”.
Xi tha se patriotizmi është në thelb të frymës kombëtare kineze.
Banorët e Hong-Kongut ruajnë traditën fisnike të dashurisë për atdheun dhe Hong-Kongun, çka shërben si një gur themeli për të konsoliduar dhe zbatuar në mënyrë të qëndrueshme parimin "Një vend, dy sisteme", tha presidenti kinez.
Ai u bëri thirrje nxënësve të kuptojnë më mirë prirjet globale e të thellojnë njohuritë për historinë, kulturën dhe realitetin e tanishëm të atdheut, duke kultivuar një dashuri më të thellë për vendin dhe popullin e tij.
Xi gjithashtu u bëri thirrje nxënësve të ngrenë aftësitë e tyre për t'u bërë talente të shkëlqyera, që të japin kontribut për ndërtimin e një Hong-Kongu edhe më të mirë dhe realizimin e rilindjes kombëtare.(Zhang Yan/Artan)