Foto nga CFP
Autoritetet meteorologjike në Kinë rinovuan një alarm blu për stuhi shiu. Deri rreth orës 14:00 të ditës së sotme, reshje të dendura shiu pritet të regjistrohen në disa pjesë të rajonit autonom të Tibetit, Yunnan, Sichuan, Guizhou, Chongqing, Hubei, Hunan dhe Tajvan, bëri të ditur Qendra Kombëtare Meteorologjike, citon “Xinhua”.
Disa nga këto rajone do të përjetojnë reshje të dendura shiu, me 20 mm deri në mbi 80 mm reshje në orë, si dhe mot me stuhi.
Qendra meteorologjike këshilloi qeveritë vendore dhe banorët që të marrin masat e duhura. Shkollave dhe kopshteve u është kërkuar që të garantojnë sigurinë e nxënësve dhe fëmijëve, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë këshilluar të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm për shkak të bllokimit të rrugëve dhe të trafikut.
Kina ka një sistem paralajmërimi të motit me katër nivele, ku e kuqja përfaqëson paralajmërimin më të rëndë, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe bluja. (Elona)