foto/Xinhua
Diplomati i lartë kinez Wang Yi propozoi të martën katër pika për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Jugut Global, duke theksuar se Jugu Global duhet të bashkohet për të nxitur paqen botërore dhe zhvillimin e përbashkët.
Wang, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme të PKK-së, e paraqiti propozimin gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjen e 13-të të Këshilltarëve të Sigurisë Kombëtare e Përfaqësuesve të Lartë për Sigurinë Kombëtare të BRICS-it, në Johanesburg të Afrikës së Jugut.
Ai u shpreh se duhet të shmangen konfliktet dhe të rikthehet paqja, duke shtuar se Jugu Global duhet të mbështesë një koncept të sigurisë së përbashkët, të gjithanshme, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme, të nxisë ndërtimin e një arkitekture sigurie të ekuilibruar, të efektshme e të qëndrueshme, të respektojë shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve dhe të punojë për zgjidhjen politike të çështjeve të nxehta.
Wang kërkoi më tej nxitjen e zhvillimit, duke thënë që Jugu Global duhet ta vendosë zhvillimin në qendër të agjendës ndërkombëtare, të ringjallë partneritetin global për zhvillimin dhe të nxisë forcat e reja të rritjes. Vendet në zhvillim duhet gjithashtu të inkurajojnë vendet e zhvilluara të mbajnë seriozisht premtimet e tyre të ndihmës, duke sjellë më shumë përfitime zhvillimi për popujt e të gjitha vendeve, shtoi ai.
foto/Xinhua
Diplomati kinez theksoi edhe rëndësinë e hapjes dhe përfshirjes, duke u kërkuar vendeve të ndryshme të respektojnë larminë e qytetërimeve, të kundërshtojnë kundërvënien ideologjike dhe atë mes kampeve, të mbështesin vendet të ndjekin rrugët e veta të zhvillimit e sistemet e veta shoqërore dhe të forcojnë shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë lidhur me qeverisjen.
Wang bëri thirrje gjithashtu për unitet dhe bashkëpunim, duke thënë se vendet duhet të mbrojnë parimet e këshillimit të gjerë, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të ndërsjella, t'u kundërvihen hegjemonisë e politikës së forcës dhe të mbështesin Kombet e Bashkuara në luajtjen e një roli aktiv në çështjet ndërkombëtare.
Ai shtoi se Kina, si anëtare e Jugut Global, është e gatshme të punojë me tregjet e tjera të reja dhe vendet në zhvillim për të nxitur zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global, Nismës së Sigurisë Globale dhe Nismës së Qytetërimit Global dhe për të ndërtuar së bashku një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. (Artan)