
Foto nga CFP
Tubimet masive shpërthyen në të gjithë Izraelin të hënën pasi ligjvënësit miratuan ligjin e parë që kufizon pushtetin e Gjykatës së Lartë, një hap i rëndësishëm për planin e diskutueshëm të qeverisë së ekstremit të djathtë për sistemin gjyqësor të vendit, shkruan “Xinhua”.
Ligji i heq kompetencën Gjykatës së Lartë për të anuluar vendimet e qeverisë që ajo i konsideron “të paarsyeshme”. Protestuesit bllokuan autostradat kryesore në Jerusalem, Tel Aviv, Haifa dhe qytete të tjera në të gjithë vendin. Policia u përlesh me protestuesit dhe përdori topa uji për t'i shpërndarë ata. Të paktën 34 protestues janë arrestuar që nga mëngjesi i së hënës, sipas policisë.
Në një deklaratë televizive, Netanyahu tha se ligji i ri ishte i nevojshëm për t'i mundësuar qeverisë të sundojë dhe bëri thirrje për unitet.
Reforma në gjyqësor ka shkaktuar protesta mbarëkombëtare që zgjasin prej 29 javësh. Më shumë se 11.000 rezervistë ushtarakë, përfshirë pilotë, njoftuan se do të jepnin dorëheqjen, duke ngritur shqetësime se gatishmëria e ushtrisë do të prekej.
Netanyahu, 73 vjeç, udhëheqësi më jetëgjatë i Izraelit, u rikthye në detyrë në fund të dhjetorit si lider i një koalicioni që përbëhet nga parti të ekstremit të djathtë dhe ultrafetar. Qeveria e koalicionit e ka bërë reformën e drejtësisë një agjendë të rëndësishme që nga formimi i saj.(Elona)
