
Foto nga CFP
Dy protestues i vunë zjarrin një kopjeje të kuranit, librit të shenjtë të myslimanëve, përpara Ambasadës së Irakut në kryeqytetin danez të Kopenhagës. Që të dy protestuesit ishin nga një grup që e quan veten “Patriotët danezë”, që mbajti një demonstratë të ngjashme javën e kaluar dhe transmetoi drejtpërdrejt ngjarjet në “Facebook”.
Organizatori i kësaj proteste të hënën në Kopenhagë shkeli kuranin dhe i vuri flakën atij, pranë një flamuri irakian që e kishte vendosur në tokë. Iraku dënoi djegien e kuranit para ambasadës së tij në Danimarkë dhe bëri të ditur se stafi danez në ambasadën në Bagdad ishte larguar nga Iraku pas protestave atje, shkruan “Panorama”.
Protestat kanë shpërthyer në të gjithë Iranin dhe Irakun pasi Danimarka dhe Suedia lejuan djegien e kuranit, sipas ligjeve të tyre që mbrojnë fjalën e lirë dhe të drejtën për të protestuar.
Ministria e Jashtme e Irakut u bëri thirrje autoriteteve të vendeve të BE-së që të rishqyrtojnë urgjent të ashtuquajturën liri të shprehjes dhe të drejtën për të demonstruar. (Elona)
