Kina lëshon alarmin e verdhë për tajfunin “Doksuri”
2023-07-26 17:11:55

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Observatori Kombëtar i Kinës lëshoi të martën një alarm të verdhë për tajfunin “Doksuri”. Tajfuni i pestë i këtij viti pritet të sjellë stuhi dhe reshje të dendura shiu në rajonet bregdetare jugore të vendit.  

Tajfuni, i vëzhguar mbi ujërat në lindje të ishullit Luzon, Filipine, mëngjesin e të martës, pritet të lëvizë në veriperëndim, bëri të ditur Qendra Kombëtare Meteorologjike, citon “Xinhua”.  

Sipas qendrës, tajfuni pritet të prekë pjesën verilindore të Detit të Kinës Jugore të enjten dhe më pas do të lëvizë drejt zonave bregdetare të Fujian dhe Guangdong.  

Disa zona bregdetare rreth Kanalit Bashi, Detit të Kinës Jugore, Ngushticës së Tajvanit, si dhe rajoneve bregdetare të Tajvanit dhe Fujian do të preken nga stuhitë.  Qendra meteorologjike këshilloi pezullimin e tubimeve, operacionet e rrezikshme në natyrë, si dhe rekomandoi transferimin në kohë të njerëzve që jetojnë në banesa të cenueshme. Po ashtu, qendra kërkoi përgatitje emergjente ndaj tajfunit dhe marrjen e masave paraprake kundër fatkeqësive të mundshme gjeologjike.  

Kina ka një sistem paralajmërimi të motit me katër nivele, të koduar me ngjyra për tajfunet, ku e kuqja përfaqëson paralajmërimin më të rëndë, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe bluja. (Elona)