Kina dhe Afrika e Jugut zotohen të thellojnë bashkëpunimin në kuadër të BRICS-it
2023-07-26 19:58:58

foto/VCG

foto/VCG

Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa zhvilloi një bisedë telefonike me kryediplomatin kinez Wang Yi,  i cili ndodhej në Johanesburg të Afrikës së Jugut për të marrë pjesë në Mbledhjen e 13-të të Këshilltarëve të Sigurisë Kombëtare e Përfaqësuesve të Lartë për Sigurinë Kombëtare të BRICS-it

Gjatë bisedimeve, të dy palët shprehën urime për suksesin e samitit të BRICS-it, u zotuan të forcojnë bashkëpunimin për të nxitur zhvillimin dhe shprehën shpresën për të nxitur përparimin më të madh në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, si edhe miqësinë kino-afrikane.

Mbledhja e sigurisë e BRICS-it bëri përgatitje për samitin e ardhshëm të krerëve të shteteve të BRICS-it, që Kina shpreson të jetë i suksesshëm, tha Wang. Nën udhëheqjen e Ramaphosa-s, samiti do t'i japë nxitje të re dhe do të çelë perspektiva të reja për bashkëpunimin e BRICS-it, do të nxitë shkëmbimet e nivelit të lartë ndërmjet Kinës dhe Afrikës së Jugut dhe do të forcojë bashkëpunimin kino-afrikan, shtoi ai.

Duke theksuar miqësinë ndërmjet Kinës dhe Afrikës së Jugut, Wang tha se, ndërsa gjendja ndërkombëtare ndryshon, Kina do të qëndrojë e vendosur në krah të Afrikës së Jugut dhe do ta mbështesë atë në përshpejtimin e zhvillimit dhe rigjallërimit, si edhe për të luajtur një rol më të madh në rajon dhe botë.

Ramaphosa tha se Afrika e Jugut u jep rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën dhe shprehu shpresën se të dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Ai falënderoi për mbështetjen e Kinës ndaj Afrikës së Jugut në mbajtjen e samitit të BRICS-it dhe tha se Afrika e Jugut shpreson ta përdorë samitin si një mundësi për të nxitur përparim më të madh në marrëdhëniet Kinë-Afrikë e Jugut dhe Afrikë-Kinë.

Gjatë qëndrimit në Johanesburg, diplomati i lartë kinez u takua gjithashtu me Khumbudzo Ntshavhenin, koordinatore për mbledhjen e 13-të të sigurisë të BRICS-it dhe ministre në Presidencën e Afrikës së Jugut.

Wang theksoi se mekanizmi i BRICS-it është platforma më e rëndësishme e bashkëpunimit për tregjet e reja dhe vendet në zhvillim, duke shtuar se Kina është e gatshme të punojë me Afrikën e Jugut dhe vendet e tjera të BRICS-it për ta bërë këtë mekanizëm më të fortë, për të nxitur multilateralizmin, për të forcuar demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, për të mbrojtur normat bazë ndërkombëtare dhe të drejtat e interesat e ligjshëm të vendeve në zhvillim, si edhe për të nxitur paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale dhe botërore.

Ntshavheni e vlerësoi përkushtimin e Kinës për thellimin e bashkëpunimit të BRICS-it dhe e falënderoi Kinën për kontributin për mbledhjen e 13-të të sigurisë të BRICS-it. Ajo shprehu shpresën që vendet e BRICS-it të shtojnë bashkërendimin për të hapur perspektiva të reja bashkëpunimi. (Artan)