Kosto ekonomike e temperaturave të larta
2023-07-25 10:33:42


Një analizë nga studiues të lidhur me Qendrën për Kërkimin e Politikave Ekonomike, e bërë publike ditët e fundit, zbuloi se Franca, Italia, Spanja, Rumania dhe Gjermania, kanë qenë vendet më të prekura, në Europë nga fatkeqësitë natyrore të lidhura me klimën gjatë 20 viteve të fundit. Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, megjithatë, janë goditur gjithnjë e më shumë nga temperaturat e larta dhe problemet klimatike.

Një studim i Bankës Botërore, i botuar vitin e kaluar, synoi të masë ndikimin e valëve të të nxehtit, të shkaktuara nga njerëzit në rritjen ekonomike globale. Sipas tij, humbja kumulative ekonomike midis viteve 1992 dhe 2013, arriti në 5 trilionë dollarë globalisht.

Evropa Jugore dhe shumë vende të tjera të botës, këto tre javët e fundit janë goditur nga temperatura shumë të larta, mbi 40 gradë celsius. Ka ndodhur dhe vite të tjera që të kemi patur temperatura shumë më të larta se normalja në ditët e verës, por asnjëherë kaq gjatë, gati tre javë!

Kostot e temperaturave shumë të larta janë të shumta, të tilla si: reduktimi i produktivitetit të punës, kulturat e dëmtuara, shkalla më e lartë e vdekshmërisë, ndërprerja e tregtisë, ne disa vende dhe raste, edhe e turizmit, si dhe pakësimi i investimeve.

Ndikimi ekonomik i valës së pamëshirshme të të nxehtit që po djeg Europën Jugore, Shtetet e Bashkuara dhe pjesën më të madhe të Hemisferës Veriore mund të jetë afatshkurtër në shumicën e vendeve, ndërkohë që mund të çojë në mbylljen e përkohshme të destinacioneve turistike, në braktisjen e të ngrënit në natyrë dhe në një rritje të përdorimit të energjisë elektrike, i përdorur për ftohje.

Në terma afatgjatë, pasojat ekonomike të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe ndryshimet klimatike mund të jenë të thella.

Zjarret shkatërruese, përmbytjet dhe thatësira priren të mbizotërojnë titujt kryesorë për pasojat e valës së të nxehtit. Por, ka dhe efekte të tjera, të cilat mund të gjenerojnë më pak vëmendje, por gjithsesi kanë ndikim.

Zhvillime të tilla bëjnë presion të shtuar mbi shpenzimet publike, pasi qeverive u kërkohet të zëvendësojnë infrastrukturën e dëmtuar dhe të ofrojnë subvencione dhe lehtësim. Analiza e Qendrës për Kërkimin e Politikave Ekonomike, thekson se të ardhurat nga taksat mund të tkurren, kur ndryshimet klimatike pengojnë aktivitetin ekonomik.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve të Bashkimit Europian, humbjet ekonomike në lidhje me ndryshimet klimatike pritet të rriten ndjeshëm në të ardhmen. Megjithatë, në shumicën e vendeve anëtare të BE-ë ende nuk ka një mekanizëm për të vlerësuar kostot ekonomike. Analistët në bankën e investimeve Barclays, kanë vlerësuar se kostoja e çdo fatkeqësie të lidhur me klimën është rritur gati 77 përqind gjatë tre dekadave të fundit.

Vendet e varfra dhe ato në zhvillim janë ato që vuajnë më shumë. Të ardhurat më të ulëta i bëjnë ekonomitë e këtyre vendeve më pak të afta për t’u përshtatur me rritjen e nxehtësisë ekstreme.

Edhe tek ne, në Shqipëri efektet e temperaturave të larta dhe të ndryshimeve klimatike në tërësi, kanë filluar të ndihen tashmë, duke “trazuar” ekosistemet. Ato që tani, janë në nivele të larta të dhjetra milionë eurove humbje për ekonominë tonë.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Gjeoshkencës tregojnë se temperaturat mesatare vjetore në vitin 2022, shënuan rritje +1.8 Gradë Celsius, ndërkohë që sasia vjetore e reshjeve në formë dëbore dhe shiu, në dy dekadat e fundit, ka pësuar rënie me afër 20 përqind.

Ndikimi më i ndjeshëm dhe direkt është në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike, pasi ne kemi një varësi të lartë nga burimet hidrike dhe po ecim shumë ngadalë në diversifikimin e sektorit. Shpenzimi i energjise elektrike gjatë verës, për shkak të përdorimit masiv të kondicionerëve, shkon në rreth 60 milionë euro energji elektrike shpenzuar më shumë, në krahasim me vitet e kaluara më pak të nxehta.

Bujqësia është sektori tjetër që po preket nga çrregullimi i regjimit termik, veçanërisht në zonat e ulëta gjatë përmbytjeve, apo në zonat mbi ujë në periudhën tejet të nxehtë.

Kushtet e reja të mjedisit po ndikojnë në hartën e shpërndarjes së kulturave bujqësore, si të agrumeve, ullirit, pjeshkës, luleshtrydhes, apo dhe serrave me ngrohje diellore.

Temperaturat tejet mase të larta po sjellin efekte negative në industrinë e verës, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e prodhimit të saj. Klima po prek dhe turizmin, sidomos atë dimëror.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një studim të fundit vuri në dukje se ndryshimet klimaterike po rrisin ekspozimin e Shqipërisë ndaj fatkeqësive natyrore, duke rritur frekuencën e përmbytjeve, zjarreve të shpeshta në pyje, etj., duke krijuar dëme me rreth 1.3% të PBB-së(ose mbi 170 milionë euro) dhe prekin rreth 100.000 banorë. FMN rekomandon se Shqipëria duhet të gjenerojë të ardhura shtesë, për të përmbushur nevojat për investime ndaj ndikimeve të klimës.

Ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike janë zhvillime komplekse, që janë krijuar për dekada me radhë dhe do të duan kohë të adresohen. Vendi ynë, në rradhë parë qeveria shqiptare, duhet të jetë tërësisht e ndërgjegjësuar dhe syhapur, si dhe të minimizojë efektet, duke marrë masa për t’u përballur me sfidat që i rezervon e ardhmja, sidomos, përmes rritjes së fondeve për fatkeqësitë natyrore dhe uljes së faktorëve që rrisin ndotjen tek ne, si moslejimi i qarkullimit të automjeteve të vjetra tërësisht ndotëse.

Ajo që të gjithë, sidomos politikëbërësit, kemi në dorë është të tregohemi të kujdesshëm me mjedisin dhe të marrim masat e duhura, në garë me kohën.