E shtuna e 22 korrikut ishte magjike për qytetin e Vlorës. Artistët që kanë interpretuar për vite me rradhë në Festivalin Italian të muzikës së lehtë "Sanremo", sollën mjaft emocione të bukura për publikun që e ndoqi në qytetin bregdetar të Shqipërisë. Në këtë koncert të mbajtur në Lungomare erdhën emrat më të njohur të muzikës italiane të viteve 80-të si; Albano, Pupo, Marco Masini, Ricardo Fogli, Michele Zarrilo, etj. Pjesëmarrja ishte e shumtë jo vetëm e publikut vlonjat, por edhe turistëve shqiptarë dhe të huaj. Artistët interpretuan këngë fituese të “Sanremos” ndër vite dhe këngë hite si “Volare”, “Bella Stronza” etj ,duke sjellë një atmosferë mjaft të zjarrtë për publikun, i cili i shoqëroi në çdo varg kënge.
Artistët e njohur italianë u surprizuan nga atmosfera e krijuar, madje premtuan se do rikthehen në Shqipëri.
Koncerti nisi rreth orës 21.00 dhe vijoi për katër orë deri pas mesnate. Ky do mbetet një kujtim mjaft i bukur për qytetarët shqiptarë, por edhe për pushuesit e huaj, si një mbrëmje magjike e muzikës italiane në qytetin bregdetar të Vlorës.
Artistët e njohur italianë u shprehën për mediat e pranishme:
“Më pëlqen shumë, është një atmosferë elektrizuese. Ne jemi si vëllezër tashmë, ka shumë gjëra që na bashkojnë. Do të rikthehem këtu!’ – theksoi Scialpi.
‘Jam shumë i lumtur sepse e njoh Vlorën përmes miqve që jetojnë në Bolonja. Kam ardhur shpesh në Vlorë dhe kthehem gjithnjë me dëshirë. Është vend i bukur dhe njerëz të mrekullueshëm.’- u shpreh Ricardo Fogli.
Këngëtari Pupo vlerësoi marrëdhënien Itali-Shqipëri dhe përzemërsisht falënderoi mikpritjen e vlonjatëve, por dhe këngëtarët Marco Massini, Michele Zarillo, Mietta janë surprizuar nga mikpritja e qytetarëve të Vlorës. Kreu i bashkisë së Vlorës ka përshëndeti shfaqjen e dhuruar nga artistët italianë.
Ndërsa biznesmeni Sinan Idrizi, organizatori i këtij koncerti theksoi: “Bëmë atë që patëm premtuar që në verë se do të sjellim “Sanremo në Vlorë”. Pra duke parë këtë ngjizje të Vlorës dhe Sanremos të para ’90-tës, mendojmë që këtë markë ta personifikojmë me atë që e ka më tepër përshtatjen, që është thjesht Vlora. Nuk po flas për Shqipërinë, por po flas në veçanti për Vlorën. Sot kjo dhuratë që po i bëhet qytetit të Vlorës është një shenjë falenderimi drejt atyre që na dhanë këtë kulturë muzikore ndër vite” ka përfunduar Idrizi.
Kjo mbrëmje në qytetin e Vlorës u kthye në një natë elektrizuese ku publiku kërceu dhe këndoi bashkë me artistët. Koncerti "Sanremo në Vlorë u organizua nga Konsullata Italiane dhe biznesmeni Sinan Idrizi, duke forcuar edhe një herë marrëdhëdhien e ngushtë mes dy vendeve.
Sava Lena