Kina dhe Irani zotohen të thellojnë bashkëpunimin për "Një brez, një rrugë"
2023-07-25 14:55:08

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Drejtori i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme të Kinës, Wang Yi, u takua të hënën në Johanesburg të Afrikës së Jugut me sekretarin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit Ali Akbar Ahmadian.

Wang theksoi se Kina është e gatshme të forcojë sinergjinë me Iranin për zbatimin e planit të gjithanshëm të bashkëpunimit kino-iranian, të çojë përpara bashkëpunimin lidhur me nismën "Një brez, një rrugë" dhe ta ndihmojë Iranin të përmirësojë jetesën e njerëzve dhe të nxisë zhvillimin e vet ekonomik e shoqëror.

Irani i jep rëndësi të madhe partneritetit të vet të gjithanshëm strategjik me Kinën, tha Ahmadian, duke shprehur shpresën se të dy palët do ta shfrytëzojnë potencialin e bashkëpunimit dhe do të thellojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si nisma "Një brez, një rrugë", për të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.

Ai shtoi më tej se pala iraniane e vlerëson rolin e rëndësishëm të palës kineze në arritjen e pajtimit ndërmjet Iranit e Arabisë Saudite dhe mirëpret që Kina të vazhdojë të japë kontribut pozitiv për paqen në rajon.