CFP
Bashkësia ndërkombëtare duhet t'i kushtojë vëmendje të madhe sigurisë ushqimore dhe të kërkojë një projekt zgjidhjeje nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, u shpreh të martën në një konferencë të rregullt shtypi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning. Ajo i tha këto kur iu kërkua të komentonte mbi deklaratat e bëra të martën nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres se sistemi ushqimor global "është shembur" dhe se çmimin për këtë do ta paguajnë grupet më të prekshme të shoqërisë, duke kërkuar që të ndryshojnë metodat e prodhimit e të konsumit të ushqimit.
Mao Ning tha se tani mëkëmbja e ekonomisë botërore është e dobët, bota përballon sfida të ndryshme dhe problemet e varfërisë e të urisë nuk janë zgjidhur ende.
"Kina është vendi më i madh prodhues i drithërave në botë, duke zënë 1/4 e prodhimit global të drithërave me vetëm 9 % të tokës së punueshme në shkallë globale, duke zgjidhur problemin e ushqimit të 1.4 miliardë banorëve. Ky është një kontribut i madh për sigurinë ushqimore botërore. Kina po ashtu ka paraqitur projektin e vet dhe ka ndërmarrë veprime konkrete për problemin e sigurisë ushqimore globale," vuri në dukje zëdhënësja e diplomacisë kineze.
CFP
Mao Ning tha më tej se presidenti kinez Xi Jinping ka paraqitur Nismën e Zhvillimit Global, ku e vë sigurinë ushqimore në një ndër tetë fushat e rëndësishme të bashkëpunimit. Në kornizën e G20-s, pala kineze paraqiti Nismën e Bashkëpunimit për Sigurinë Ushqimore Ndërkombëtare, kurse në kuadrin e bashkëpunimit Jug-jug të Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë të Kombeve të Bashkuara, Kina është vendi në zhvillim që ka dhënë fondet më të shumta të ndihmës, ka dërguar numrin më të madh të specialistëve dhe ka ndërmarrë më shumë projekte. Kina ka zhvilluar bashkëpunim bujqësor me mbi 140 vende e rajone, ka përhapur mbi 1000 teknologji bujqësore në vendet në zhvillim dhe ka nxitur rritjen e rendimentit të drithërave në zonat e projekteve me 30-60%. Kina ka trajnuar më shumë se 14 mijë profesionistë të kultivimit të orizit hibrid në mbi 80 vende e ka formuar 13 fshatra demonstrimi të zhvillimit bujqësor e të pakësimit të varfërisë në Afrikë. (Xu Guang)
CFP