
Foto nga CFP
Greqia filloi të dielën operacionin më të madh të evakuimit të turistëve në 50 vitet e fundit në Rodos. Ky numër llogaritet në rreth 30.000 turistë, njofton “ATSH”.
Ministria greke e Punëve të Jashtme do të ngrejë një zyrë ndihmëse të dedikuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Rodosit, në mënyrë që turistët që humbën ose nuk morën dokumentet e udhëtimit përpara evakuimit të kthehen pa probleme në vendet e tyre përkatëse.
Operatorët turistikë kanë urdhëruar gjithashtu fluturime çarter të zbarkojnë në Rodos pa pasagjerë në mënyrë që të marrin udhëtarët që dëshirojnë të largohen nga ishulli.
Lidhur me zjarrin në Laerma, autoritetet mohuan se zona është shkatërruar plotësisht nga zjarri.
Në Rodos operojnë 16 ekipe në terren, 266 zjarrfikës dhe 49 kamionë uji, ndërsa së shpejti do të mbërrijnë edhe 10 automjete shtesë zjarrfikëse me 60 zjarrfikës, që do të shtohen me 5 kamionë të tjerë. Nga ajri operojnë 5 helikopterë për hedhjen e ujit dhe 10 avionë, përfshirë 7 aeroplanë grekë, një kroat dhe dy turq. (Fatosi)
