
Foto nga CFP
Asnjë parti apo bllok nuk arriti të fitojë një shumicë absolute në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të Spanjës.
Sipas rezultateve të dala pas numërimit të 100 për qind të votave, pavarësisht se Partia Popullore (PP) kryesoi në këto votime, ajo nuk arriti të marrë shumicën në parlament.
PP-ja arriti të marrë 136 vende në dhomën e poshtme të parlamentit prej 350 vendesh, 47 më shumë sesa që kishte marrë në zgjedhjet e mëparshme, të mbajtura më 2019-n, njofton “RTSH”.
Partia e ekstremit të djathtë, Vox, mori 33 vende, 19 më pak se në zgjedhjet e 2019-s.
Por, një koalicion hipotetik mes saj dhe PP-së përsëri nuk mund të arrijë shumicën e nevojshme absolute prej 176 vendesh parlamentare.
Ndërkohë, Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë, e kryeministrit Pedro Sanchez, e cila doli e dyta, mori 122 vende, dy më shumë sesa në 2019-n, ndërsa aleatja e saj, Sumar, nga ekstremi i majtë, mori 31 vende, duke mos arritur të kenë shumicën në Parlament pa ndihmën e partive të tjera më të vogla.
Parlamenti i ri i Spanjës do të mblidhet brenda një muaji. (Fatosi)
