Mbërmjet poetike janë kthyer në risinë më të fundit të kësaj vere. “Varg Fest”, një iniciativë e Qendrës Kombëtaae të Librit dhe të Leximit dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, mblodhi poetë, lexues dhe adhurues të poezisë në Durrës, duke nisur nga këtu një cikël mbrëmjesh poetike që do të vijojnë gjatë gjithë verës në destinacione të ndryshme turistike. Në mbrëmjen e kushtuar poezisë, në qendrën më të re të informacionit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, në Torrën Veneciane, ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako.
Nata e parë e festivalit nisi me autorë të ardhur nga Kosova. Kjo mbrëmje bashkoi simbolikisht Shqipërinë dhe Kosovën në një skenë letrare, ku u trajtua tema “Letërsitë shqipe apo letërsia shqipe?”. Festivali Varg solli pranë qytetit bregdetar shkrimtarët Sibel Halimi, Ag Apolloni dhe Arbër Selmani për të biseduar e lexuar mbi letërsinë shqipe si një të tërë, përtej hapësirave dhe ndasive, për zona kulturore dhe historinë në perspektiva të reja mendimi.
“Me Sibelin, Agun dhe Arbrin për të folur për letërsinë e zhvilluar këtej e andej kufirit shtetëror, por që frymon shqip”, shkroi ministrja e Kulturës, në rrjetet sociale, ku kujtoi edhe një herë që të gjithë ata që synojnë të eksplorojnë Shqipërinë e traditës dhe kulturës, të shkarkojnë aplikacionin TEA, ku gjenden informacionet e duhura.
Shkrimtari Ag Apolloni erdhi në një rrëfim në kohë mbi letërsinë e tij. Nga poezia tek dramatugjia e proza, Apolloni foli për letërsinë në kontekste të reja vështrimi. Dhe pas tij, Bledar Kurti dhe Ilir Paja dy poetët durrsakë interpretuan dhe diskutuan mbi rolin e poezisë dhe poetëve sot dhe shtratin e bashkëkohësisë në vargjet shqipe.
Nga takimi në takim, mbrëmjet në Torren veneciane të Durrësit, janë gjithnjë e më interesante. Poetja Rita Petro ishte e ftuara e natës së tretë të festivalit “Varg”, në një bisedë mbi lirinë dhe feminizmin në vargjet shqipe. Në hapësirën e Torrës Veneciane poetja foli për lirizmin në vargjet shqipe, si një formë përmes së cilës janë hapur dimensione të reja mendimi. Nuk është hera e parë, por mbase nga më të mirat e diskursit mes poetes dhe Alda Bardhylit në rolin e moderatores së takimit. Mes njerëzve të letrave, miqve e lexuesve durrsakë, Rita Petro ndau mendime, pse jo dhe opinione të ndryshme.
Ndërkohë që Fatmir Minguli, Namik Dokle dhe Vladimir Muça kujtuan përmes rrëfimesh një personalitet të lartë të kulturës shqiptare poetin dhe studiuesin Moikom Zeqo.
Në natën e katërt ishte poetja Flutura Açka që erdhi në një bisedë mbi poezinë si forma më e lartë e përkryerjes njerëzore. Edhe ky takim u zhvillua në një atmosferë tejet miqësore e të mirë, ku poetja bashkëbisedoi për poezinë, ndërsa shoqërohej me violinë nga Gerd Cinxo. “Më kishte marrë malli të notoja në detin që nuk të mbyt… letërsia”, shkruan Açka menjëherë pas takimit. Kësaj mbrëmjeje iu bashkuan edhe autorët e rinj Ermiranda Ndoj, Brajan Sukaj, Pol Milo dhe Arjola Kondakçi, të cilët sollën lexime e reflektime mbi letërsinë.
Të gjitha mbrëmjet e festivalit Varg po mbahen në Torrën Veneciane të Durrësit. Që pas restaurimit nga programi EU4Culture, Torra Veneciane është e hapur për publikun dhe aktivitetet kulturore.
Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku. “Varg Festival” do të vijojë gjatë gjithë sezonit veror. Javën e fundit të korrikut festivali do të udhëtojë në Sarandë, pasi qëllimi i tij është që udhëtojë në qytetet e turistike duke i dhënë jetë metaforës, gjatë takimit të vargjeve me valët e detit, në kuadër të fushtatës “Libri dhe Turizmi” përgjatë verës 2023. “Varg festival” vjen me qëllimin e mirë të të bashkojë krijues e lexues në skena letrare. Lexime nga vetë autorët dhe nga aktorë të qyteteve pritëse do të risjellin agorat e qyteteve, si dikur në skenat e lashtësisë.
Veç të tjerash festivali letrar synon të pikëtakojë qendrat kulturore në rrethina me kryeqendrën e vendit, autorë të njohur dhe të rinj në biseda e lexime duke nxitur shkëmbime kulturore mes tyre.
Neritana Kraja