Ekonomia shqiptare parashikohet të rritet 3.7 për qind në vitin2023
2023-07-24 15:26:51

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka bërë një përmbledhje të treguesve të fundit makro ekonomikë në vend, duke analizuar kontributin e çdo sektori.

“Sektori i ndërtimit ka vijuar të japë një kontribut pozitiv me 4.54% në tremujorin e parë të vitit dhe pritet të vazhdojë të ketë këtë ndikim dhe për pjesën e mbetur të vitit, nisur qoftë nga numri dhe nga vlera e lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë vitit të kaluar përsa i përket investimeve private, por edhe sa i përket investimeve publike.Dega e Tregtisë, Transportit, Akomodimit dhe Shërbimit ushqimor rezultoi me rritje 3.52 %, ku performancën më të lartë pozitive e ka pasur sektori i transportit tokësor dhe me tubacione. Sektori i transportit është ndikuar qoftë nga transporti i mallrave, por edhe nga transporti i udhëtarëve, duke pasur në të dy komponentët një ecuri pozitive.Nga ana tjetër, kemi pasur ecuri pozitive dhe në nëndegën e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, e cila është rritur me 7.2% në tremujorin e parë të vitit dhe nëndega e tregtisë me shumicë dhe pakicë është rritur me 5.5%.”, u shpreh ajo

Pozitivisht në ekonomi kanë kontribuar edhe informacioni, sektori aktivitetit financiar dhe sigurimit.

“Sa i takon “Informacionit dhe komunikacionit”, rritja në këtë sektor ka rezultuar 6.29%, e ndikuar kryesisht nga aktiviteti në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve të lidhura me të, duke reflektuar dhe politikat për nxitjen e këtij sektori që ka ndërmarrë ndër vite qeveria shqiptare. Kjo nëndegë u rrit me 19.56 % në tremujorin e parë.Kontribut pozitiv gjithashtu ka pasur sektori i aktivitetit financiar dhe të sigurimit, i cili u rrit me 5.15% në tremujorin e parë të vitit, duke reflektuar një ecuri pozitive të sektorit financiar dhe gjithashtu të kreditimit në tremujorin e parë, kreditimin ndaj biznesit dhe konsumatorit.” theksoi ministrja

Konsumi final i popullatës ka vijuar të jetë me rritje në tremujorin e pare.

“Nga ana e shpenzimeve, pra nga këndvështrimi i kërkesës, gjithashtu Prodhimi i Brendshëm Bruto ka pasur një ndikim pozitiv në të gjithë komponentët e kërkesës. Kështu, konsumi final i popullatës ka vijuar të jetë me rritje në tremujorin e parë të viti duke shënuar rritje prej 3.05%, ndërsa formimi bruto i kapitalit fiks, pra komponenti që përafron investimet në vend është rritur me 7 %, duke treguar një rritje të qëndrueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga të dy këndvështrimet, qoftë nga ana e ofertës, qoftë nga ana e kërkesës.”, vuri në dukje ministrja

Ministrja Ibrahimaj  u ndal edhe tek analiza e shkaqeve të rritjes së inflacionit.

“Kryefjala e vitit të kaluar ka qenë inflacioni dhe me sa duket do të vazhdojë të jetë edhe gjatë këtij viti, pra inflacioni dhe ndikimi i tij në ekonominë shqiptare. Shqipëria ka vijuar të ketë norma inflacioni të përmbajtura dhe në ngadalësim. Në muajin maj inflacioni rezultoi 4.7 % ndërsa si mesatare e 5-mujorit inflacioni ishte 5.8 %.Komponenti kryesor i rritjes dhe i ndikimit të inflacionit total, që gjatë vitit të kaluar por edhe gjatë këtij viti, ka qenë inflacioni i ushqimeve dhe pijeve, i cili ka peshën kryesore në shpenzimet e shportës së qytetarëve shqiptarë. Megjithatë ky inflacion ka vijuar të jetë ndjeshëm më i ulët se sa inflacioni i kësaj kategorie në vendet e rajonit dhe vendet e BE duke rezultuar në 11.5 % në nivel 5 mujor, ndërsa nëse e krahasojmë me vendet e BE ky inflacion ka rezultuar 17.5 %.”

Sipas Ibrahimajt politikat e ndjekura nga qeveria kanë pasur ndikim tek sektori I turizmit.

“Do doja të ndalesha te të dhënat e turizmit. Siç thashë, aktiviteti i lidhur me turizmin, i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka pasur një rritje me 7.2 % në tremujorin e parë të vitit, ndërsa të dhënat operative sa i takon 5-mujorit tregojnë për ecuri mjaft pozitive të këtij sektori në vitin 2023, ndonëse vijmë nga viti 2022, i cili ka qenë një vit me performancën më të lartë historike të sektorit të turizmit dhe të statistikave të lidhura me të. Në 5-mujor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është rritur me 42.5 %, ose kemi pasur 2.4 milionë qytetarë të huaj të hyrë në vend, rreth 700 mijë më shumë se vitin e kaluar.Kjo tregon se politikat tona për nxitjen e sektorit të turizmit kanë pasur efektin e duhur. Kjo tregon se numri i turistëve në Shqipëri është rritur jo vetëm në sezonin e pikut, pra në sezonin veror, por turizmi ka filluar të jetë i shpërndarë në të gjithë vitin.”

Të dhënat e janar – maj të këtij viti janë optimiste për sektorin e turizmit.

“Qarkullimi në sektorin e turizmit për 5-mujorin e vitit 2023 ka rezultuar në rritje me 10.7%, ndërsa të punësuarit në këtë sektor janë rritur me +11.5%. Në të njëjtën linjë janë edhe treguesit për normën e shfrytëzimit të shtretërve apo rritjen e netëve të qëndrimit në vend, që tregojnë për një rritje të qëndrueshme të këtij sektori. Ne presim që për tremujorin e dytë dhe për tremujorin e tretë turizmi dhe aktivitetet e lidhura direkt dhe indirekt me të të vijojnë të kenë një performancë pozitive. Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e Bilancit të Pagesave, ku të ardhurat e lidhura me sektorin e turizmit, të pasqyruara në Bilancin e Pagesave, janë rritur me 121 % në krahasim me vitin e kaluar ose kanë arritur ne nivelin e 189.5 milionë euro.”

Në rritje sipas Ibrahimajt janë edhe Investimet e huaja direkte dhe remitancat.

“Sa i takon Investimeve të Huaja Direkte, ato kanë vijuar të kenë një trend rritës. Në tremujorin e parë të vitit investimet e huaja direkte janë rritur me 1.85%, duke arritur në nivelin e 308 milionë euro. Ato kanë qenë të shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, megjithatë kontributin kryesor pozitiv në rritjen e IHD për T1 2023 e ka pasur nëndega e Aktiviteteve financiare të sigurimit dhe industria nxjerrëse, e cila edhe në stokun e investimeve të huaja direkte vijon të zërë zërin kryesore, ndonëse ka pasur ndër vite një rishpërndarje të sektorëve që janë më atraktive sa i përket tërheqjes së IHD-ve.Remitancat kanë vijuar të rriten dhe për tremujorin e parë të vitit 2023. Ato janë rritur me 16% ose 29.5 milionë euro më shumë, duke arritur vlerën e 214 milionë euro.”

Kursi i këmbimit ka qenë kërcënim për disa biznese.

“Gjatë vitit 2023 ne kemi pasur një forcim të ndjeshëm të lekut kundrejt monedhave kryesore, partnerë tregtarë të vendit tonë, si Euros, dollarit, por edhe monedhave të tjera. Megjithatë, më e ndjeshme ka qenë ecuria dhe forcimi i lekut krahasuar me euron. Siç kemi shpjeguar edhe në dalje të tjera publike, forcimi i lekut ndaj euros vjen si pasojë e strukturës së ekonomisë dhe performancës së saj, sidomos në lidhje me sektorin e jashtëm, pra me eksportet, me forcimin e eksporteve të shërbimeve të lidhura me turizmin, por edhe me rritjen e investimeve të huaja direkte, të cilat kanë sjellë kapitale në valutë, që kanë ndikuar në forcimin e kursit të këmbimit.”

Kjo lidhet me disa faktorë sipas ministers së financave.

“Kjo dukuri vjen si pasojë dhe e regjimit të kursit të këmbimit që ne kemi, i cili në të gjithë periudhën e trevjeçarit të fundit ku ne kemi pasur goditje të njëpasnjëshme të ekonomisë, ka ndikuar pozitivisht në absorvimin e të gjitha goditjeve që ekonomia shqiptare ka pësuar, apo ajo globale ka pësuar. Një prej elementëve që e ka mbajtur dhe inflacionin në norma të kontrolluar, përveç politikave të ndjekura nga qeveria, ka qenë dhe kursi fleksibël i këmbimit, i cili ka lejuar që inflacioni i importuar, që përbën pjesën më të madhe të inflacionit vendas, të ketë një ndikim më të ulët nga ai që do të kishte nëse do të kishim një kurs këmbimi të fiksuar.”

Sektori bankar gjatë 5-mujorit ka vijuar të performojë pozitivisht. Rritja e kredisë për konsumatorët ka vijuar të jetë pozitive dhe mbi mesataren afatgjatë. Në muajin maj ajo rezultoi 9.5%, ndërsa kredia për blerjen e banesave gjithashtu ka rezultuar në mesataren afatgjatë, në nivelin 10.2%. Sipas të dhënave të financave, numri i të punësuarve për 3-mujorin e parë të vitit ishte 709, 203 të punësuar, ku 557,750 janë të punësuar në sektorin privat, ku sektori privat ka pasur një performancë pozitive gjatë këtij tremujorit duke shënuar 4 mijë të punësuar më shumë.